Është miratuar ligji për përgjysmimin e taksës së makinave të përdorura.
Alfred Rushaj, Zëvendësministri i Financave, ka sqaruar se, nuk ka ndryshim të formulës së llogaritjes, e cila është në bazë të cilindratës, vjetërsisë së automjetit dhe koeficientit të karburantit. I vetmi që ndryshon është ky i fundit, i cili për naftën shkon nga 25 që ishte në 12.5 dhe për benzinën nga 20 në 10.
"Të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar ende taksën e mjeteve të përdorura, në momentin kur ligji është futur në fuqi, për ta do të mund të aplikohet taksa e re, formula e re, pra gjysma e saj ç'kanë paguar deri më sot", thotë zëvendësiministri i Financave, Alfred Rrushaj.
Taksa vjetore për automjetet e përdorura u vendos nga Qeveria tre vjet më parë. Nga kjo taksë buxheti mblidhte rreth 5 miliardë lekë në vit. Ndryshimi i kësaj takse ka sjellë reagimin e deputetëve të opozitës. Erion Braçe pohoi se tre vjet më parë Partia Socialiste ishte kundër vendosjes së kësaj takse. "Ne atëherë kemi qenë kundër dhe ju kemi thënë se po ndikoni drejtpërdrejt në buxhetet e ekonomive familjare. Me përllogaritjet e tre viteve, ju i keni marrë 7.5 miliardë lekë të reja familjeve shqiptare dhe vini dhe rrihni duart dhe bëni sikur këtë taksë e kemi vendosur ne dhe jo ju", tha Braçe.
Vonesat në pagesën e taksës së qarkullimit të makinave do të shoqërohen me masa financiare që nisin nga kamata prej 5 deri në 25 % të vlerës së taksës për çdo ditë vonesë. Projektligji që pritet të miratohet sot në mbledhjen e qeverisë, për përgjysmimin e taksave për automjetet e përdorura, do të shoqërohet edhe më masa të ashpra ndaj abuzuesve. Me skemën e re, taksa vjetore e automjeteve do të paguhet në të njëjtën ditë me kolaudimin dhe ata drejtues automjetesh që e shkelin afatin e pagesës do të penalizohen me gjobë 5 % të vlerës deri në 25 për qind në varësi të kohëzgjatjes. Ndërkohë me ligjin e vjetër gjoba për shkelësit ishte vetëm 1000 lekë.
Gjithashtu, Komisioni i Ekonomisë miratoi dhe heqjen e tatimit prej 10 % të shitjes së tokës bujqësore. Sipas Rushajt, në projektligj është saktësuar se sipërfaqja minimale e shitjes së tokës të jetë 1 mijë m2 dhe nuk duhet të ndryshohet destinacioni nga tokë bujqësore, për qëllime të tjera. Kjo nismë synon bashkimin e parcelave të tokave bujqësore për të rritur prodhimin, ndërsa fatura financiare e mbledhjes së këtij tatimi për vitin 2012 llogaritet të jetë 300 milionë lekë.