English

Selimi merr pjesë në konferencën e sigurisë globale, “GlobSec”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron në një vizitë në Bratislavë të Sllovakisë.
Zëvendësministri Selimi është ftuar të marrë pjesë në konferencën vjetore të MPJ të Sllovakisë, dedikuar sigurisë globale, “GlobSec”.

Në këtë konferencë janë ftuar edhe mbi 300 ekspertë, diplomatë dhe liderë shtetesh nga mbarë bota dhe kjo është hera e dytë radhazi që Selimi ftohet si pjesëmarrës.

Zëvendësministri Selimi mori pjesë si panelist në debatin e përcjellur nga shumë pjesëmarrës së bashku me komisionerin Stefan Fule, ministrin e Jashtëm maqedon, Nikola Poposki, ish-kryeministrin sllovak, Mikulas Dzurinda dhe aktivisten Sonja Licht nga Serbia.

Paneli ishte moderuar nga gazetari i revistës “Economist”, Tim Judah.

Në këtë panel, tema kryesore që preokuponte publikun në të cilin u panë edhe fytyra të njohura si kryeministri Milo Djukanovic i Malit të Zi, ministri çek i Mbrojtjes dhe ambasadorë dhe diplomatë të shumtë, ishte dialogu që po zhvillohet në Bruksel dhe Selimi pati seancë të gjatë të pyetjeve dhe përgjigjeve me pjesëmarrës.

Në debatin publik me zëvendësministrin Selimi, komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule konfirmoi se rruga e anëtarësisë së Kosovës në BE do të marrë shtytje të rëndësishme me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por po ashtu lajmëroi se parlamentet kombëtare nuk kanë nevojë ta ratifikojnë MSA-në për Kosovën, sipas rregullave të reja të Lisbonës, gjë që lehtëson hyrjen e Kosovës në integrime evropiane.

Zëvendësministri Selimi shpjegoi procesin dhe mbarëvajtjen e dialogut dhe rrugëtimit evropian të Kosovës, duke treguar se Kosova tash e një kohë dëshiron normalizim të plotë të marrëdhënieve në Ballkan dhe është shprehur e gatshme të aprovojë marrëveshjen e propozuar nga baronesha Ashton.

Selimi po ashtu pati takim zyrtar bilateral me zëvendësministrin e Lituanisë, Andrius Krivas, me të cilin u bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe vizitën e ministrit Hoxhaj në Vilnus që parashihet të zhvillohet në maj.

Lituania së shpejti do ta marrë presidencën e radhës së BE-së, në kohën kur pritet edhe aprovimi i MSA-së për Kosovën.

Zëvendësministri Krivas tha se Lituania mirëpret dialogun dhe do t\'i ndihmojë Kosovës në integrimet evropiane.

Zëvendësministri Selimi e falënderoi për përkrahjen e Vilnusit dhe paraqiti pikat kryesore të agjendës evropiane të Kosovës.

Në margjina të konferencës “Globsec”, zëvendësministri Selimi pati bashkëbisedime të rëndësishme me kryeministrin malazias, Milo Djukanovic, presidentin e Estonisë, Tomas Ilves, komisionerin e BE-së, Stefan Fule dhe diplomatë të shumtë nga shtetet e BE-së, opozita siriane, etj.

KOMENTE