English

Berisha: rënia e ndotjes së ajrit në sheshin “Skënderbe” dhe përreth, arritje e madhe

Sot në Ditën e Tokës, Kryeministri Berisha mbolli në mënyrë simbolike pemë dafine në hapësirën publike në bllokun e banimit 61/1, në njësinë bashkiake nr.4 në Tiranë. Kjo hapësirë i është nënshtruar së fundi rikualifikimit urban, nga bashkia e Tiranës dhe tashmë ka pamjen e një kompleksi që përfshin gjelbërimin me dafina dhe bli, fushë sporti, kënde lojërash për fëmijë.

Kryeministri Berisha theksoi në një prononcim për mediat, se kujdesi për tokën është kujdesi i njeriut për veten, për shëndetin e tij, të fëmijëve të tij dhe shoqërisë, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të bashkisë së Tiranës për përmirësimin e mjedisit dhe të ajrit në kryeqytet. Një nga arritjet më të mëdha të këtyre viteve, tha Kryeministri, ka qenë rënia e ndotjes së ajrit në sheshin “Skënderbe” dhe në zona të tjera të kryeqytetit.

“Me mbjelljen e vazhdueshme të pemëve dhe unë di që bashkia ka një projekt të shkëlqyer për rivitalizimin e Tiranës, rigjelbërimin e saj, një projekt që po ecën me shpejtësi në këtë drejtim, ka një projekt të ndërtimit të terreneve sportive, Tirana do të bëhet shumë më e shëndetshme, shumë më njerëzore, se qyteti që dorëzoi njeriu që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij.”

Kryeministri Berisha vizitoi kompleksin dhe u takua me banorë dhe të rinj në fushën sportive, të cilët u shprehën të kënaqur që tashmë kishin një mjedis të tyre, për t'u marrë me aktivitet sportiv. Në mbyllje të aktivitetit, bashkia e Tiranës i dhuroi Kryeministrit një bonsai, pemën simbol të përjetësisë.

KOMENTE