Fjala e kreut të PS, Edi Rama, në Konferencën Rajonale të Programit “ Për një Rilindje Shqiptare” në Berat.
"Dje u publikua një raport drithërues për Shqipërinë nga Departamenti i Shtetit. Një pasqyrë e një realiteti që ne jetojmë përditë, por që përmes raportit të DASH nuk e shohim vetëm ne, por e sheh mbarë bota. Në atë pasqyrë Shqipëria duket një vend që nuk nderon asnjërin prej nesh. Një vend i turpëruar për shkak të një pushteti, që siç thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, është pushteti i korrupsionit të pandalur në çdo pjesë të qeverisë. I institucioneve skajshmërisht partiake të shtetit, përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat pengojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën demokratike të vendit. I një partie në pushtet që ka gërryer besimin e publikut te institucionet. I zyrtarëve dhe politikanëve që gëzojnë imunitet nga çdo lloj hetimi. Ndërkohë që, njerëzit e qeverisë të përfshirë në skandale abuzimi lëvizen nga një pozicion në një pozicion tjetër. Këto i thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.
Dje, paralelisht, Presidenti i Republikës dha një tjetër provë të faktit rrëqethës se Shqipëria është e turpëruar dhe e gjunjëzuar, si pasojë e rrëmbimit të pushtetit nga duart e popullit në duart e një partie familjare. Propozoi për të çuar në Gjykatën e Lartë njërin nga grabitësit e mandatit të popullit në 8 maj 2011. Tomën! Tomën e famshëm. Nuk kuptoj për çfarë arsye i bëjnë një padrejtësi kaq të madhe Sashenkës. Sepse Toma nuk bëri asnjë heroizëm më të madh se Sashenka. Pra, përse çojnë Tomën dhe nuk e çojnë Sashenkën. ‘Ne kërkojmë që të shkojë edhe Sashenka’! Edhe kështu garantohet edhe barazia gjinore. Një turp që s’ka më turp!
Ndërkohë, pak ditë më parë një revistë prestigjioze ndërkombëtare e shpërndarë në të gjithë institucionet prestigjioze të botës, e karakterizon Shqipërinë si një regjim hibrid. Tani do të ndaj me ju një portret të një regjimi hibrid të shkruar nga një analist i famshëm ndërkombëtar.
Çfarë janë tipike për një regjim hibrid si karakteristika?
1- Në krye të vendi një karagjoz i dhunshëm.
2- Një pushtet familjar me të drejta pa kufij mbi pasurinë kombëtare.
3- Një oborr të korruptuarish pranë kreut të vendit që kanë në dorë të gjitha rrugët e konkurrencës.
4- Një shtet partiak që e kushtëzon rrogën me besnikërinë ndaj kreut të vendit.
5- Një polici e krahinarizuar sipas origjinës së kreut të vendit.
6- Një pushtet gjyqësor i kthyer në një korporatë biznesi, që shkel ligjin për llogari të kreut të vendit dhe shet të drejtën e individit për llogari të xhepit të vet.
Kur dëgjon këto e sheh portretin e Shqipërisë së sotme të shkruar nga dikush që s’e njeh fare Shqipërinë, por që ka portretizuar regjimin hibrid. Ky është një regjim hibrid, ku çdo gjë është jashtë kontrollit të popullit sovran përmes Kushtetutës dhe ligjit dhe ku gjithshka është mall. Mall që shitet dhe mall që blihet, duke filluar nga e drejta. Mund të kesh të drejtë, por po s’pate lekë s’ke të drejtë. Duke vazhduar me shëndetin, mund të jesh sëmurë, por po s’pate lekë nuk kujdeset kush për shëndetin tënd. Duke vazhduar me arsimimin e fëmijëve. Mund të duash që fëmija yt të mësojë shkrim e këndim, por po nuk pate lekë nuk e çon dot në shkollë. E pra, ne, të dashur miq, sot kemi gjithë të drejtën që të ngremë pyetjen që ma paratha dhe Artan Lame me shembullin e rrugës, rruga 20 vjet më parë dhe rruga 20 vjet më vonë. Për çfarë e ndërruam ne sistemin e vjetër ?! E ndërruam sistemin e vjetër diktatorial që në krye të vendit pas 20 vjetësh, sipas këndvështrimit të një analisti mbi regjimet hibride, të kemi një karagjoz të dhunshëm.
E ndërruam sistemin që pas 20 vjetësh të kemi një pushtet familjar me të drejta pa kufij mbi pasurinë kombëtare. E ndërruam sistemin që pas 20 vjetësh të kemi një oborr të korruptuarish që ka në dorë të gjitha rrugët e konkurrencës. E ndërruam sistemin që pas 20 vitesh të kemi një shtet partiak që rrogën e kushtëzon me besnikërinë ndaj kreut të vendit. E ndërruam sistemin që pas 20 vitesh të kemi një polici të krahinarizuar skajshmërisht sipas origjinës së kreut të vendit. Apo e ndërruam sistemin që pas 20 vjetësh të kemi një pushtet gjyqësor që shkel liri dhe të drejta për llogari të kreut të vendit dhe pastaj ta shet të drejtën për llogari të xhepit të vet. Sigurisht, që asnjë nga këto në ëndrrën tonë më të keqe, askush prej nesh, nuk mund ta shihte si të mundshme 20 vjet pas rënies së regjimit të vjetër. Kush nga ata që dolën në Sheshin e Demokracisë dhe kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa mund ta parafytyronte se pas 20 vjetësh, dhe më shumë akoma, se ne do ishim në një gjendje të tillë ku Shqipëria jonë do të ishte sëkëlldi për botën demokratike dhe imazhi i saj do të ishte turpërues për ne të gjithë, për shkak të një regjimi hibrid. Cilët studentë nga Berati në vitin ’90 në Sheshin Demokracia e parafytyruan se kur të bëheshin prindër dhe fëmijët e tyre do të bëheshin studentë rruga nga Berati në Tiranë do të ishte kaq herë më e vështirë për t’u kaluar dhe kthimi nga Tirana në Berat do të ishte kaq herë më i mundimshëm për t’u realizuar, 20 e kusur vjet më pas. Kush nga ata që iu bashkuan Lëvizjes Studentore në vitin ’90 e imagjinonte se 20 e kusur vite më pas prindërit e kthyer në gjyshër dhe gjyshe do ta kishin të pamundur t’i mbijetonin faturave arbitrare të energjisë, të ujit, të ilaçeve. Që do e kishin të pamundur të arrinin fundin e muajt me pensionin e mundimeve të tyre, të një jetë të tërë koperativave, e nëpër ndërmarrje dhe nëpër punë të mundimshme, nëpër hidrocentrale dhe nëpër kantiere?! Askush! Kush mund ta parafytyronte 20 vjet më parë se pas 20 e kusur vjetësh Shqipëria si gjithë Europa do të ishte një ëndërr e parealizuar dhe ndërkohë në vend të saj ne do të jetonim në një Shqipëri ku infermierja do të paguante më shumë taksa sesa kryeministri. Ku mësuesi, mësuesja do të paguante më shumë taksa sesa ministri i brendshëm. Apo ku një polic i thjeshtë do paguante taksa më shumë sesa ministri i brendshëm. Kush e imagjinonte 20 e kusur vite më parë se ëndrra e Shqipërisë si gjithë Europa do të katandisej në një mal librash me borxhe ushqimesh me një vlerë 150 milionë euro.
Një mal i madh që ndan familje të tëra të zakonshme shqiptare nga mundësia për të jetuar pa ankthin se ku e si do t’i gjejë lekët për të blerë bukë. Kur? Ku? Në cilën ëndërr? Në çfarë makthi? Kush e ka parë Shqipërinë, mbas 20 e kusur vjetësh me gra dhe burra që shkojnë kokë ulur në furrën e bukës dhe në vende se të blejnë një kile bukë, kërkojnë disa riska bukë borxh. Ku? Në cilën ëndërr? Në atë mori ëndrrash, shpresash dhe parafytyrimesh të mrekullueshme që na nxorën të gjithëve ne rrugën kundër regjimit të vjetër, është parë që e drejta të kthehet nga një liri e mohuar në një mall që duhet vetëm ta blesh dhe po nuk e bleve dot nuk e ke?! 20 e kusur vjetësh mbasi ka rënë një regjim dhe është ndërtuar këtu një regjim hibrid?! Më keq akoma, në cilën rrugë të parafytyrimit të Europës, së 20 e kusur viteve më pas nga ai Shesh i Demokracisë ende të parealizuar sot, mund ta parafytyronte ndonjëri që karagjozllëku i dhunshëm do të ishte lajtmotivi i përditshëm i komunikimit të kreut të vendit dhe të qeverisë së vendit me qytetarët.
Kemi bërë 10.400 km rrugë, që do të thotë kemi shtruar 33 herë Shqipërinë me asfalt në nga veri në jug, nga jugu në veri….po si ka mundësi që në këto 33 herë nuk paska rënë njëherë këtu nga Lushnja në Berat. Po si ka mundësi që nga këto 33 herë nuk paska rënë njëherë nga Fieri në Vlorë. Po si ka mundësi që nga këto 33 herë nuk ka rënë njëherë nga Lezha në Dibër. Po si nuk paska rënë njëherë nga Tepelena në Gjirokastër, apo nga Ballshi në Tepelenë. Ku janë këto rrugë? Këto rrugë janë në kokën e kreut të qeverisë. Këto rrugë janë në fantazinë e një kryeministri që sot përfaqëson panikun e një pushteti familjar, të cilit i ka ardhur fundi dhe ndaj të cilit, jo socialistët as progresistët, por demokratët e Beratit, këtu, duhet të çohen të revoltuar në 23 qershor dhe t’i japin votën kundër.
Për çfarë ju duhet demokratëve të Beratit Partia Demokratike e kthyer në një parti familjare? Nëse partia të cilës i kanë dhënë votën 20 e kusur vjet nuk u ka kthyer mundësinë që të hyjnë e të dalin nga Berati si qytetarë të këtij shekulli, për çfarë ju duhet Partia Demokratike demokratëve të këtij qarku, edhe pse janë në pakicë. E, si ka mundësi që ende të mos e kuptojnë se ky qark mbart “mallkimin” e të qenit me zemër majtas, ndërkohë që tek ky qark lexohet më së miri në të gjithë barbarinë e vet kjo politikë kaq e vjetër, kaq karagjoze dhe e dhunshme, që qytetarët e vendit të vet nuk i shikon si njerëz, por i shikon vetëm si zgjedhës dhe pikërisht se këtu nuk ka aq shumë zgjedhës sa mund të fitojë as nuk do të dijë nëse ata qytetarë që e besojnë ekzistojnë ose jo, le të vuajnë. Ashtu sikundër kjo fatkeqësisht është e vërtetë edhe për ata të tjerët, aty ku Partia Demokratike fiton, që janë keq e mos keq. Sepse miqtë e mi ne jetojmë sot në një Shqipëri të ndarë; në Shqipërinë reale të gjithë shqiptarëve të zakonshëm dhe në Shqipërinë që zhvillohet më shpejt se Kina në kokën e Saliut. Në Shqipërinë reale të rrugëve që mos o Zot kujt i bie rruga të kalojë dhe në Shqipërinë e 10.400 km të shtruara në kokën e Saliut. Në Shqipërinë reale të njerëzve që nuk arrijnë dot fundin e muajit dhe në Shqipërinë e lumtur në fantazinë e një kryeministri. I cili, fatkeqësisht, nuk na jep mundësinë ta respektojmë si kundërshtar, sepse na ka turpëruar të gjithëve si shqiptarë. Pretendon që ka bërë një rrugë të gjatë, Tiranë – Tokio dhe matanë. Gati-gati ua mbush mendjen disa qorrave dhe disa shurdhërve, të cilët verbërisht dhe shurdhërisht e ndjekin pas kur thotë se: “si çuditen këta, po unë vet kam 28 mijë rrugë gjaku në turp”, medemek që në masën e vogël të trupit mund të ketë aq shumë rrugë sa mund të shkojnë vajtje ardhje Tiranë – Tokio. Pastaj si duket e ngatërroi me kilometrat katror të Shqipërisë apo me numrin e dëshmorëve, pastaj tha “kam 36 mijë kilometra”.
Problemi është që, ne, sot jemi plotësisht të vetëdijshëm, por ende më të vetëdijshëm duhet të jenë demokratët, duhet të jenë ata që i thonë vetes të djathtë, duhet të jenë ata që me PD janë lidhur për arsye se besojnë në disa gjëra që na ndajnë. Duhet të jenë ata të cilët kanë 20 e kusur vite që presin t’ju kthejë pronën dhe sot në ditëlindjen e Profetit Muhamed kryeministri thotë ‘një nga dy porositë e tij të fundit dhe kryesorja kishte të bënte me pronën, mos e prek atë sepse Zoti ia dha njeriut të begatojë veten, familjen dhe shoqërinë’. Po mirë more zoti Kryeministër pse ua prek pronën shqiptarëve që Zoti ua dha të begatojnë veten, familjen dhe shoqërinë?! Në këtë prekje të dyfishtë nga një anë duke hapur rrugën e gllabërimit të pasurive kombëtare dhe private të shqiptarëve dhe nga ana tjetër duke predikuar Profetin ne kemi lënë Zotin që të merret me ty, ndërsa në 23 qershor do të të japim atë që meriton ndëshkimin popullor që do t’i hapë rrugën dy Rilindjeje, një Rilindjeje të madhe shqiptare dhe brenda saj një Rilindje të vogël, rilindjes së PD pa ty.
I takon shekullit të 15 regjistrimi i fundit dhe i plotë i pronës në Shqipëri. Që atëherë kurrë më nuk ka një regjistër të plotë pronash në 100 vjet shtet. Në këtë kalavar të pronës, të pronës që sa më shumë kalon koha aq më shumë kokolepset dhe ngatërrohet në miliona fije konfliktesh, ka një fakt që unë dua ta ndaj me ju; Shqipëria ka rreth 4 milionë prona, nga të cilat rreth 60% janë regjistruar në vitet ‘98-2005. E dini sa prona janë regjistruar nga viti ‘05 deri sot që po flasim? Vetëm 6 mijë nga 4 milionë. Vetëm 6 mijë! 60% e tyre janë regjistruar më parë, pra kur ishin në qeveri socialistët. Pra, socialistët të cilët kurrë nuk kanë marrë votat e pronarëve, sepse janë konsideruar si njerëz të dyshimtë në raport me pronën për arsye të të shkuarës.
Mirëpo në këtë Shqipërinë tonë e shkuara nuk jeton në partinë Socialiste, jeton në krye të Partisë Demokratike. Nuk jeton në zemrat e socialistëve jeton në kokën e kryetarit të PD. Të shkuarën nuk e bart Partia Socialiste, e bart i zoti i PD-së, sepse pas meje si kryetar i Partisë Socialiste qëndron një Skuadër Kombëtare, qëndrojnë aq skuadra lokale sa çka Shqipëria qytete dhe fshatra. Qëndron një popull opozitar, i cili dëgjohet me respekt në rrugën e shkrimit të programit. Ndërsa pas kryetarit të PD-së s’ka asgjë. Qëndron vetëm hiçi i kontrolluar me dorë të hekurt prej tij, prej familjes së tij dhe prej pushtetit të tij familjar dhe klanor. E atëherë, cila nga këto dy pamje ngjason më shumë me të shkuarën? Nëse do të zgjidhnim mes të shkuarës dhe të ardhmes, cila nga këto dy pamje është shëmbëlltyra e së shkuarës dhe kush është shëmbëlltyra e së ardhmes? Sigurisht, shëmbëlltyra e të shkuarës është ajo shëmbëlltyrë që si asnjëherë tjetër në të shkuarën i ka bërë dhe po i bën Beratit atë që nuk ia ka bërë asnjë këmbë e huaj që ka shkelur këtu. Është ajo e shkuar që, si asnjëherë në të shkuarën, i ka bërë dhe po i bën Krujës atë që tre rrethime dhe dy sulltanë as që e imagjinuan se mund t’ia bënin. Ta kthejnë në një zgavër nga ku dalin gurë dhe tym gëlqereje, prodhohet çimento, prodhohen sëmundje, prodhohet shkatërrim dhe ku për herë të parë i “dridhen” këmbët kalit të Skënderbeut, sepse nën të janë buldozerët e korrupsionit që gërryejnë malin e shenjtë të kulturës shqiptare dhe europiane.
E kanë quajtur Ahmeti i Krishtërimit. Kur shikon se si po e rrethon barbaria e këtij pushteti gati-gati sa nuk mendon se ‘do çohet nga kali dhe do ikë me vrap’ Ahmeti i Krishterimit. Për t’i ikur këtyre barbarëve që nuk kanë asnjë lidhje me qytetërimin ku jetojmë, po nuk kanë asnjë lidhje as me ato qytetërime të imponuara mbi shqiptarët. Janë shumë më larg, shumë më thellë, në ca shpella të historisë, të cilat janë kthyer sot në qendrën e pushtetit të shqiptarëve të ndaluar në votën e tyre të lirë, të shqiptarëve të ndalur në ushtrimin e vullnetit të tyre sovran. Jo vetëm kur votojnë, por edhe kur ndërmarrin rrugën e sipërmarrjes, kur ndërmarrin rrugën e shkollës, kur ndërmarrin rrugën e karrierës dhe në të gjitha këto rrugë gjejnë rrugës muret e ngritura nga këta barbarë. Njësoj si muret që po ngrenë rreth e rrotull Krujës, mure korrupsioni, mure babëzie, mure shkatërrimi. Imagjinojeni se çfarë mund të mendojë një vizitor i këtij vendi kur vjen drejt një qyteti që ka kaluar mijëvjeçarë dhe rrugës i duket vetja sikur është 2000 vjet më parë. Imagjinojeni se çfarë do të bënin fqinjët tanë, ata të cilët e kemi të kollajshme t’i luftojmë si inferiorë, që po luftojnë me racën tonë superiore, t’i sulmojmë si albanofobë që po pengojnë kombin tonë dhe bla, bla, bla…në rast se do kishin Krujën, në rast se do kishin Beratin, në rast se do të kishin Gjirokastrën. Edhe një fshat pa vlerë në kuptimin historik e kthejnë në një xhevahir, që ke kënaqësinë e madhe të shkosh dhe ta prekësh me dorë dhe të jesh pjesë e shkëlqimit që i japin, jo më të kishin historinë e qytetërimit europian në një fazë të caktuar të saj, djepin e një rezistence që u bë mburoja e Europës, Krujën e Skënderbeut bashkë me Skënderbeun. Bashkë me Skënderbeun për të cilin flasin, por të cilit po i bëjnë qindin. Imagjinojeni se si do ishte Berati sikur të mos kishte mallkimin që të ishte nën këtë sundim. Do ishte një vend ku nuk do kishte njeri të papunë, ku nuk do kishte njeri me borxhe në ushqimore, ku nuk do kishte njeri që do të donte ta braktiste, ku nuk do të kishte familje që nuk do të ishte krenare që jetonte Beratin dhe që të linte fëmijë për të trashëguar fëmijën vet në Berat. Ky do të ishte Berati dhe ky do të jetë Berati duke filluar nga 23 qershori.
Ne nuk mund ta lëmë Shqipërinë të rrënohet përfundimisht. Nuk mund ta lëmë Beratin dhe Krujën të zhduken fare, të marrin fund. Të marrin fund nën udhëheqjen e këtyre injorantëve. Një injorant si ai ministri i kulturës që doli atëherë dhe tha “po ne nuk kemi roje për të ruajtur monumentet e kulturës”. Po ty pse të kemi? Ty, për çfarë të kemi? Që të dalësh të na thuash që nuk ke roje? E di që janë fjalë të mëdha, po nuk ka fjalë sado e madhe që të mund ta përshkruajë këtë që ndodh. Është përtej injorancës, se nuk ka pasur sesi të kenë qenë më të ditur ata që e ndërtuan Beratin, 2400 vjet më para. S’kanë pasur sesi të kenë qenë më të ditur, s’kishin mundësi sesi të ishin më të ditur, por ama i dhanë Beratit dhe trashëgimisë kulturore botërore një xhevahir. Nuk ishin më të ditur as të parët e të parëve, të të parëve të të parëve, të këtij kryeministri që kanë ndërtuar ato kulla që janë nga pikëpamja e vlerave arkitektonike perla. S’ishin më të ditur as gjyshërit tanë që ndërtuan fshatrat e mrekullueshëm të bregdetit. Por e dini se ku qëndron themeli i arsyes pse ky dallim? Sepse ata e donin tokën e tyre. Ata e donin vendin e tyre. Ata e donin veten e tyre si shqiptarë. Këta nuk e duan këtë tokë. Këta nuk e duan këtë vend. Këta i thonë vetes shqiptarë vetëm kur dalin në televizor për të gënjyer shqiptarët në emër të shqiptarisë. Por, asgjë shqiptare nuk ka në të gjithë sjelljen, në të gjithë politikën, në të gjithë veprimtarinë dhe në të gjitha pasojat e kësaj barbarie. Nuk ka asgjë shqiptare! Asgjë nuk i kanë dhënë këta Shqipërisë dhe shqiptarisë përveçse turpin e madh të një barbarie, të një sundimi, absolutisht, obskurant dhe të një situate që sot e trashëgojmë mbas 20 e kusur vitesh me një vend të dalë duarsh komplet. Me një vend me 400 mijë ndërtime pa leje. Ku ka në Europë? Në Europën që po e kalojmë se jemi të dytët pas Gjermanisë?! Ku ekziston një truall i përbashkët që të ketë dalë duarsh dhe të gjithë njerëzit ndërtojnë pa leje. Vetëm në tokën e askujt dhe toka e askujt nuk gjendet askund tjetër në hartën e botës, përveçse këtu në Shqipërinë e Saliut. Ku ekziston vend tjetër ku fëmijët lihen rrugëve, në Europë jo, në cilën demokraci funksionale sot në botë përveçse në vende që sundohen nga klika dhe nga klane të kriminalizuara që janë brenda atij portreti të regjimit hibrid, ku karagjozllëku i dhunshëm, pushteti familjar, e drejta e pakufishme mbi pasuritë kombëtare bëjnë ligjin dhe ku njerëzit e jetojnë ditën thjesht për të ngrenë dhe për të kaluar tek e nesërmja, madje të pashpresë. Të pashpresë, se diçka do të ndryshojë, se këta janë kaq perfid dhe të pabesë me popullin shqiptar sa nuk pretendojnë më që t’i tregojnë duart e pastra, as që t’i thonë diçka konkrete që do të ndodhë, por vetëm i gënjejnë, e gënjejnë, e gënjejnë. E, ashtu siç djallëzisht i thonë, “por asgjë nuk ndryshon, ne të gjithë jemi njësoj. Kështu që kot, pse do merrni riskun të shkoni në votim, për ca do ta bëni këtë gjë, këtu s’ndryshojnë, të gjithë njësoj janë”. Atëherë ç’duhet bërë? Duhet ta jetojmë qetësisht deri në fund këtë turpërim të pashoq?
Kthejeni kokën pas në historinë e këtij vendi dhe gjejeni një pushtues që i ka bërë Shqipërisë këtë që i kanë bërë këta. E shkatërruan, e dogjën, e degjeneruan, e turpëruan, e kthyen në lajm nëpër botë si një vend të dalë mendsh në vitin ’97. E lanë shkrumb e hi. Tani prej tetë vjetësh po e rrënojnë. Një vend që është vendi i dytë me pasuri kontinentale të naftës dhe ku në mënyrë zyrtare humbasin vetëm nga një ndërmarrje shtetërore 40 milionë dollarë në vit, 200 milionë në total. E shqiptarët janë të varfër! Si janë shqiptarët të varfër kur Zoti i ka dhënë këtij vendi, gjithçka që i duhet që ky popull të jetë i mirëqenë?! Si janë shqiptarët të varfër kur janë në mes të Europës, kur janë në Mesdhe, kur kanë det, kur kanë diell, kur kanë 9 muaj një klimë të hatashme, kur kanë burime minerare, kur kanë burime ujore të dytët mbas Norvegjisë?! Pse janë të varfër, ç’është kjo varfëri që ka pllakosur gjithandej? Si ka mundësi që familjet në fshat janë të varëra, ku ka fshatar të varfër në Europë? Ku janë? Hajde shkojmë i gjejmë. Vetëm këtu, vetëm në Shqipëri. Ku ka vend në Europë që i lejon vetes të mos vadisë dot tokën? 20% e tokës vaditet këtu në këtë qark dhe njerëzit rrinë për turp nëpër kafene, në ato zgëqet ku konsumojnë ndihmën ekonomike dhe ku konsumojnë dëshpërimin e humbjen e shpresës. Po kush do i vadisë tokat, do i vadisin individualisht të gjithë si në epokën e gurit? Kush do t’i kullojë tokat, një vend që përmbytet sa herë bie shi dhe që thahet sa herë i duhet ujë për të vaditur. Si ka mundësi, pse? Arsyeja ngado ta kërkojmë është po aty, tek politika, tek ai emër që njerëzve shpesh herë ju duket si mallkim, sepse të tillë e kanë bërë ata që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Por që në fund të fundit ngado të rrotullohemi përsëri aty do kthehemi. Po mos të ishte politika njerëzit do ishin zhdukur me njëri tjetrin sot dhe nuk do të ekzistonte shoqëria njerëzore. Po është politika që i ka bashkuar bashkë dhe i ka çuar përpara. Është politika që i ka lindur edhe Bashkimin Europian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është politika që mund dhe do ta rilindë këtë vend duke u bërë të gjithë bashkë.
Besomëni është e pamundur të mos përfshihesh nga emocionet dhe të mos përfshihesh nga një ndjenjë e tmerrshme turpi kur merr dhe lexon një raport si ai DASH dje dhe të nesërmen duhet të vish në zemrën e qytetërimit të vendit tënd dhe të kalosh nëpër një rrugë, që turpëron çdo njeri që e kalon njëherë dhe që i jep votën kësaj qeverie. Këtu Sali Berisha nuk do të marrë asnjë votë në qoftë se njerëzit kanë respekt për veten, kanë respekt për fëmijët e tyre, kanë respekt për prindërit e tyre, kanë respekt për emrin e të parëve të tyre, kanë respekt për fshatin e tyre, kanë respekt për qytetin e tyre. Si t’ia japësh votën? Cilën votë? Për çfarë? 8 vjet, shikojeni rrugën. Jam shumë kurioz të di çfarë mendon një demokrat beratas kur e dëgjon në televizor këtë që thotë “i thashë kryeministrit norvegjez kemi bërë 10 mijë kilometra, u habit”. Po sigurisht habitet njeriu, normale. “Si ka mundësi?” tha kryeministri norvegjez. “Në Shqipëri” i thashë “nuk ka asgjë të pamundur”. Po sigurisht që nuk ka gjë të pamundur në Shqipëri, se mund të thuash që kam bërë 10 mijë kilometra dhe prapë të votojnë. Të japin votën. Ka akoma që të votojnë. Dua të më dëgjojnë ata që janë nga Berati, jo ju se ju jeni të qartë mezi po prisni 23 qershorin.
Del pastaj ajo tjera dhe thotë “Po Po, e kam takuar edhe unë atë norvexhezin. Ishte i tranum krejt. Krejt i tranum”. I tranum, po sigurisht, se kur ka vajtur edhe kjo ai i shkreti ka menduar, po këta qenkan të gjithë njësoj.
Bindja jonë, që mishërohet edhe në programin tonë është që në Shqipëri ka mbaruar një epokë, sepse ka shteruar një model ekonomik. Ky modeli kuturu; O burra përpara, nuk ka rëndësi se çfarë të gjejmë nesër. Njësoj si një familje me një kryefamiljar komplet të dehur që konsumon gjithë ushqimin e familjes për gjithë javën ditën e hënë. Llogariteni sesi shkon familja ditët e tjera të javës, e martë, e mërkurë… hap frigoriferin bosh, hap frigoriferin bosh, hap frigoriferin bosh. Dhe që i thotë familjes “Sa të lumtur duhet të jeni se sa të ngopur po më dukeni”. E pra, ka shteruar modeli. Modeli i bazuar në tregti, në ndërtimtari pa lidhje dhe në shtrëngime që nuk mbajnë më.
Ne na duhet një model i ri ekonomik, një model i bazuar tek punësimi real, jo duke mbyllur sytë përpara rritjes së papunësisë, tek investimet prodhuese, tek industritë prodhuese, manifaktura në radhë të parë, tek zhvillimi modern rural.
Në një ëndërr, që ka menduar se është ky Skënderbeu, i ka dalë ulliri dhe një kohë të gjatë thoshte vetëm ullinj, ullinj, ullinj. U futën njerëzit këtu në aventurë dhe u ngelën ullinjtë nëpër shtëpi. Kam qenë në një shtëpi, ku i kishin ullinjtë shtëpitë në dhomë të gjumit dhe njerëzit flinin jashtë. S’kishin ku t’i çonin. Mbi krevat, nën krevat, ngado ullinj, ullinj, ullinj. Ku t’i çonin? Dëgjuan këtë. Mbillni ullinj, ullinj, ullinj. Ndërkohë që 5 milionë ullinj që janë trashëgimi natyrore kombëtare dhe europiane vetëm rrënohen. Prit, ndërto, çaj, shkallmo…Ndërtoni pallate, pallate, pallate… kodrave e maleve.
Sot ne duhet të kthehemi te zhvillimi modern rural. Duhet ta hapim këtë rrugë të zhvillimit modern rural dhe sigurisht edhe të turizmit.
Dua t’ju them se jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut të madh për këtë program.
Kemi programin e parë në këto 22 vjet që nuk është një program elektoral për të hedhur në kosh pas fitores, por është një dokument për ta vënë në tryezën e Këshillit të Ministrave, duke ndarë të gjitha pjesët për çdo ministri dhe për të filluar Rrugën e Rilindjes.
Ne do ta rilindim Beratin. Ne do t’u japim, jo vetëm qytetarëve të Beratit, por të gjithë atyre që vijnë në Berat, atë shije, atë kënaqësi, atë dëshirë për të rildalë në shëtitore apo për t’u rikthyer në këtë qytet, që i ka humbur Beratit prej 20 e kusur vjetësh.
Ne kemi në Berat një kryetar bashkie që është një menaxher i shkëlqyer, por që mbeti duke u marrë me gjëra, jo dytësore dhe tretësore por dhjetësore. Me gjëra të vogla jetike, në fakt, sepse s’ka asnjë fond, s’ka asnjë mundësi, s’ka asnjë dëgjim dhe vëmendje. Shkon i shkreti e takon Ferdinad Ponen herë pas here, por nuk del gjë fare. Sepse mos e harroni, këta që sot qeverisin nuk e duan këtë vend. Mund të duket çudi si ndodh kjo, po nuk e duan. Përvec kësaj, ka dhe një gjë tjetër, që ju pëlqen kështu. Nuk është se nuk dinë ta rregullojnë, se kjo nuk diskutohet, por dhe u pëlqen. Kalojnë dhe nuk i bën përshtypje. Si mund të jesh kryeministër, të marrësh rrugën se merr rrugën rrugëve dhe të kalosh këtu, të vish të kthehesh, të vish të kthehesh dhe e vetmja që ndryshon nga rruga kur hyn nga Plepat në stradë, e vetmja gjë që ndryshon e di çfarë është? Bien shtyllat e elektrikut. 52 kishte numëruar Artan Lamja para 10 ditësh, unë i thashë nuk ka mundësi të jenë 52, nuk ndodh. E tha dhe në televizor, janë 52 shtylla kanë rënë. Sot thashë do t’i numëroj vetë, por kishin rënë të tjera. Sepse Shqipëria vend i zhvilluar përpara është në kokën e atij, e ka në kokë ai. Ai sheh me sytë brenda, nuk sheh me sytë jashtë si ne. Sheh brenda vetes, sheh rrugët, sheh urat, sheh zhvillimin, sheh lajthitë, shef arrat, sheh të gjitha dhe kujton se të gjitha këto i kanë njerëzit dhe u thotë lumsi ju mes të arrave, mes shegëve, mes lajthive.
Ne do të shkojmë në çdo shtëpi të bashkuar, të bashkuar të gjithë. Partia Socialiste, LSI-ja, të gjithë aleatët, në çdo shtëpi ku banojnë në këtë qark qytetarët. Do t’u themi na jep arsyen pse mund të votohet një qeveri që na ka mbyllur rrugën e hyrjes dhe rrugën e daljes dhe që na kthen përpara 2400 vjetësh sa herë duhet të hyjmë dhe sa herë duhet të dalim, këtë do t’ua themi demokratëve. Ne do të luftojmë që në Berat të marrim 7 deputetë. Ata le ta marrin një, si dëshmor të 23 qershorit dhe si dëshmitar.