Sot rreth orës 11:00 në selinë e Partisë Socialiste ishin të pranishëm përfaqësues të PBDNJ-së.
Në takimin e zhvilluar mes dy palëve PBDNJ firmosi për të qenë pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 23 qershorit.
Ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që njoftoi i pari zyrtarizmin e marrëveshjes.
Gjatë një konference për shtyp të dy kryetarët u shprehën:
Kryetari i PS, Edi Rama: “Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin, bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie, që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane e integruar në Bashkimin Europian. Në raportet tona me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut flet historia e afërt dhe më e largët, flet tradita e një miqësie të mirë, e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënieje të mirë të mbështetur në respektin reciprok. Unë jam sot shumë i kënaqur që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule: “Jemi sot në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Pas 4 vitesh opozite me vizion, me objektiva të qarta, është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar. Një rotacion jo për hir të rotacionit, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e këtij objektivi madhor.
Kryetari Rama e ka mbyllur këtë komunikim me mediat “Faleminderit, zgjerimi i koalicionit vazhdon”.