English

Shqipëria Europiane, në rajon e botë

Është mbajtur dje aktiviteti “Shqipëria Europiane, në rajon e botë”, ku është paraqitur programi i ri i Partisë Socialiste për politikën e jashtme dhe rolin e Shqipërisë në rajon.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitetet ndër të tjera u shpreh mbi nevojën e ndryshimit rrënjësor të qasjes në politikën e jashtme rajonale: “Shqipëria Europiane për ne s’është slogan, por projekt politik i një rëndësie të posaçme gjeostrategjike dhe gjenerator i një bashkëpunimi më të frytshëm rajonal në funksion të stabilitetit demokratik dhe mirëqenies.
Për ne socialistët, një Shqipëri Europiane me autoritet moral, kapital politik dhe aftësi për të zbatuar dhe ndërtuar standarde ndërkombëtare, do të thotë kalim nga një qasje e papërcaktuar në politikën e jashtme në një politikë propozuese në rajon me fuqi normative.”
Ndërsa deputeti socialist Ben Blushi në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit dhe të vendosjes të ligjshmërisë në vend si hapi më i rëndësishëm në rrugën e Integrimit në BE: “Në këto 20 vjet ne kemi patur shtet të pavarur por nuk kemi patur shtet të së drejtës. Ne kemi patur pavarësinë e mjaftueshme për ta shkelur ligjin, por shumë rrallë e kemi zbatuar ligjin në mënyrë të pavarur. Kemi patur pra shtet por nuk kemi krijuar dot shoqëri. Kemi patur një shtet të pakicës por jo një shoqëri të shumicës. Prandaj sot Shqipëria është kaq e polarizuar mes të varfërve dhe të pasurve, mes të dobëtëve dhe të fortëve, mes atyre që punojnë dhe atyre që nuk gjejnë dot punë. Ky është dallimi i tretë me Europën!
Pra dallimet tona me Europën sot janë shumë më të vogla se para shumë vitesh, ose më saktë të gjitha dallimet që kemi patur janë reduktuar në një: Ligji. Nëse ka sot një arsye që vonon afrimin tonë me Europën, kjo është paligjshmëria. Paligjshmëria, pra shkelja e ligjit na dallon sot më shumë se raca, gjuha, ideologjia apo feja. Është tipari ynë kryesor dhe ndoshta më i dukshmi.”
Deputeti i PS, Marko Bello u shpreh mbi domosdoshmërinë e reformimit të shërbimit diplomatik: “Sfidat nëpër të cilat kalon vendi e bëjnë jetike reformën në shërbimin diplomatik. Si një forcë progresiste dhe europeiste, ne do të bëjmë të mundur përfaqësimin e vlerave dhe standardeve më të larta në shërbimin diplomatik, bazuar në kriteret e mëposhtme, të cilat do të jenë gurë themeli në punën e shërbimit:
Patriotizmi – besnikëria ndaj Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar;
Profesionalizmi – ruajtja e standardeve të profesionalizmit dhe zbatimi i paanshëm i politikës së jashtme;
Meritokracia – Respektimi dhe promovimi i karrierës në shërbimin diplomatik gërshetuar me qarkullimin e diplomatit në mënyrë të paracaktuar, sipas parashikimeve të sanksionuara ligj dhe praktikave më të mira ndërkombëtare;
Integriteti – Pastërtia dhe shmangia e çdo konflikti interesi në ushtrimin e detyrës;
Përgjegjshmëria – angazhimi dhe përkushtimi në zbatim të detyrës për arritjen e misionit të shërbimit diplomatik.”

KOMENTE