English

Inagurohet impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës

Kryeministri Berisha inauguroi dje impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, një investim me vlerë 11 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe qeveria e Luksemburgut. Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Durrësit ishte pjesë e masave të zbatuara nga "Projekti i Menaxhimit të Ekosistemeve të Ujit të Integruar në Shqipëri".
Impianti, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 hektarë, ka teknologji të një shkalle të avancuar që bëjnë të mundur pastrimin e ujit deri në nivelin 97 përqind dhe mundëson edhe përfitimin e biogazit, i cili do të mbulojë nevojat e impiantit për energji elektrike deri në masën 30 përqind. Me ndërtimin e tij vija bregdetare e Durrësit pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza. Durrësi është një ndër qytetet kryesore turistike të vendit, ka një popullsi prej 205.000 banorë dhe në periudhën e sezonit turistik arrin shifrën prej 600.000 banorë.

Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë impiant Durrësi do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë, si dhe do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet turistike. “Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë”, tha Kryeministri, ndërsa theksoi se “gjatë këtyre viteve janë investuar për ujësjellës-kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza 55 miliardë lekë”.

“Politika jonë ndaj mjedisit,- u shpreh Kryeministri, - është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit – mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlefshme me mbrojtjen e jetës”.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. “Ne, - tha Kryeministri, - do të vazhdojmë përpjekjen tonë serioze për të marrë statusin, për të hapur negociatat, për të ecur në mënyrë të pandërprerë drejt Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë evropiane”.

KOMENTE