Kryeministri Berisha inspektoi sot pasdite ecurinë e punimeve në segmentin Ura e Brarit – hyrja e Tunelit Qafë Murriz, pjesë e rrugës së Arbrit.
Kryeministri Berisha u informua nga zbatuesit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve. Janë në përfundim 34 kilometra të rrugës së Arbrit, nga Ura e Çerenecit drejt Urës së Vashës dhe nga qendra e Tiranës drejt tunelit të Murrizit, pjesa më e vështirë e së cilës, në këtë anë, ka përfunduar. Rruga e Arbrit shkurton me mbi 100 kilometra distancën me Shkupin; afron Peshkopinë dhe Bulqizën me Tiranën në distancë pothuajse të njëjtë me Lushnjën; transformon në mënyrë të jashtëzakonshme distancën midis Tiranës – Peshkopisë - Bulqizës; afron Peshkopinë me Tiranën dhe detin, pasi rruga bashkohet me unazën e qytetit të Tiranës dhe del në autostradën Tiranë - Durrës.
Pasi inspektoi punimet në këtë segment, Kryeministri Berisha u shpreh se “rruga e dytë e kombit ose rruga e Arbrit po lëshon shtat çdo ditë e më shumë”.
“Rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut, - tha Kryeministri, - qeveria i ka dy përparësitë absolute për t’i përfunduar gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm, sepse që të dyja janë në ndërtim”.
Vlera totale e prokuruar deri më tani për rrugën e Arbrit është 7.477.116.097 lekë, ndërsa vlera totale e punimeve të realizuara është 6.573.368.130 lekë.
Pas inspektimit, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Siç e shihni, rruga e dytë e kombit ose rruga e Arbrit po lëshon shtat çdo ditë e më shumë. Në këtë rrugë janë në përfundim e sipër në 34 kilometra, nga Ura e Çerenecit drejt Urës së Vashës, edhe më këtej, dhe nga qendra e Tiranës drejt tunelit të Murrizit, pjesa më e vështirë e së cilës, në këtë anë, ka përfunduar. Rruga është një vepër e kushtueshme, por jetike për shqiptarët, jo vetëm për qytetarët e Peshkopisë dhe të Bulqizës, por edhe të Dibrës dhe shqiptarët e Maqedonisë.
Në trajektoren e tij të parë, Korridori 8-të në territorin e Shqipërisë kalonte në aksin Bllatë – Tiranë. Rruga e shkurton me mbi 100 kilometra distancën me Shkupin. Rruga afron Peshkopinë, Bulqizën me Tiranën në distancë pothuajse të njëjtë me Lushnjën. Kjo është një rrugë që transformon në mënyrë të jashtëzakonshme distancën midis Tiranës – Peshkopisë - Bulqizës. Kjo është një rrugë që afron Peshkopinë me Tiranën dhe me detin, pasi bashkohet me unazën e qytetit të Tiranës dhe del në autostradën Tiranë - Durrës. Kjo është një rrugë me impakt të jashtëzakonshëm në tregun shqiptar dhe atë të Maqedonisë.
Rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut qeveria i ka dy përparësitë absolute për t’i përfunduar gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm, sepse që të dyja po ndërtohen.
Ju e dëgjuat, shkoi në Peshkopi dhe u tha: do ta ndërtojmë ne rrugën e Arbrit. Le t’i shtrojmë disa pyetje. Në qoftë se projekti i rrugës së Arbrit vërtetë të dukej një projekt për t’u mbështetur, me çfarë morali detyrove deputetët e tu që të votojnë kundër buxhetit të kësaj rruge, çdo vit, nga fillimi i saj deri në vitin në vazhdim? Cila ishte ajo forcë negative shpirtërore, ai përçmim për banorët e këtyre zonave, që të jepte zemër të votoje kundër këtij buxheti? Siç keni vënë re, ai po shëtit si një sinonim i Nastradinit. Mirëpo Nastradini është një burrë në përrallë, në barsoletë, ndërsa ky është një Nastradin në krye të Partisë Socialiste.
Unë jam këtu për t’i thënë se dobësia më ekstreme e burrit është gënjeshtra. Gënjeshtra është toksina që rrënon dhe shkreton tërësisht karakterin e njeriut”.