English

Topi: FRD, jo koalicion parazgjedhor, por do konkurojë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit

Në deklaratën e djeshme kryetari i FRD-së Bamir TOPI është shprehur qartë që FRD të mos bëjë koalicion parazgjedhor, pra të konkurrojë si subjekt elektoral më vehte në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit te vitit 2013.

Deklarata e plotë:

"Kryesia e Frymës së Re Demokratike, e mbledhur sot për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike në vend dhe pozicionin politik të FRD-së, në mënyrë unanime vendosi që FRD të mos bëjë koalicion parazgjedhor, pra të konkurrojë si subjekt elektoral më vehte në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit te vitit 2013.
Ky vendim ishte i pritshëm, i paralajmëruar prej muajsh nga FRD, si nje parti politike serioze që synon reformimin e sistemit aktual politik dhe në përputhje të plotë me mendimet e anëtarësisë së gjerë të kësaj partie.
Me këtë akt FRD bën diferencën nga praktikat dhe modelet e tjera,të cilat për interesa jo parimore kanë injoruar vullnetin dhe dëshirën e elektoratit, duke i detyruar qytetarët të zgjedhin gjithnjë midis dy alternativave gati identike. Sot shqiptarët do të kenë një alternativë të tretë,që vjen si nevojë jetike për demokraci funksionale dhe përfaqësim të shëndoshë demokratik,që ofron garanci, siguri dhe kapacitete për një qeverisje politike shumë më tëmirë, më transparente, më qytetare dhe më evropiane pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Në këtë mënyrë FRD dëshmoi sot se është parti e parimeve të qëndrueshme, e cila nuk do të bëjë kompromise në kurriz të qytetarëve dhe interesit publik, se nuk udhëhiqet nga interesa afatshkurtra pushteti, por ka një program, një synim dhe një projekt afatgjatë, për shtetin dhe qytetarët.
Në kohën kur publiku shikon të krijohen aleanca pa identitet, pa program, pa afërsi morale dhe as nocione parimore, FRD shfaqet ashtu siç qytetarët duan të jetë: parti e përgjegjshme, parti e një ekipi politik me dinjitet dhe të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre politike.
Në respekt të publikut dhe grupeve të interesuara dëshiroj të sqaroj se FRD gjatë aktivitetit të saj një vjeçar nuk ka kërkuar bashkëpunim me asnjë nga forcat politike tashmë të rreshtuara nën siglat e dy partive të tranzicionit. Që në fillim ne kemi synuar aleancë vetëm me qytetarët dhe kemi ftuar çdo forcë politike që ndan parimet tona të bëhet pjesë e projektit përmes shkrirjes së strukturave dhe anëtarësisë.

Ne jemi të gëzuar që thirrjes tonë i janë përgjigjur grupe politike dhe civile me identitet të djathtë dhe moderator, pjesa më e madhe e ish të përndjekurve politikë,pronarë të ligjshëm, rinia studentore, votues përherë të parë, shtresa e mesme dhe elita intelektuale liberale e konservatore. Sot FRD është dhe mbetet shtëpia e vërtetë e qendrës dhe të djathtës së moderuardhe qytetarëve shqiptare.

Misioni kryesor publik i FRD është reformimi tërësor i sistemit përfaqësues dhe qeverisës,mirëqeverisja e vendit dhe demokracia funksionale, kthimi i besimit tek politika dhe forcimi i institucioneve garantuese kushtetuese, një partneritet aktiv dhe i qëndrueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe daljen e vendit nga kriza e gjithanshme ekonomike, sociale dhe politike. Pra, misioni ynë është e mbetet, FUND TRANZICIONIT, një parti politike PËR SHTETIN DHE QYTETARËT!

Me këtë mision dhe me mbështetjen e konfirmuar publike ne do të jemi në kontakt me të gjithë qytetarët,të gjitha grupet dhe shtresat, në çdo njësi vendore të Republikës, për të prezantuar idetë dhe programin tonë politik duke u paraqitur me një listë kandidatësh të denjë dhe përfaqësues.

Forca jonë është fjala, morali, identiteti, ndershmëria, projekti politik dhe sovraniteti qytetar i ushtruar përmes votës së fshehtë, - forcë që nuk cenohet, përkundrazi zgjerohet përmes vendimit tonë politik për të respektuar parimet ku besojmë dhe kërkesën e mijëra qytetarëve nga gjithë Shqipëria.

FRD e mbajti premtimin për të zgjedhur vlerat dhe parimet mbi çdo ofertë tjetër, gjë që garanton se edhe pas 23 qershorit është dhe mbetet parti e parimeve të qëndrueshme.

Bindja jonë e plotë është se 23 qershori do të shënojë një faqe të re në historinë politike të këtij vendi dhe në këtë zhvillim FRD ka të rezervuar një vend përcaktues në çdo formë dhe nivel të vendimmarrjes politike".

KOMENTE