Drejtori i FBI-së, Z. Robert S. Muller, ka vlerësuar me certifikata falenderimi tre drejtues të lartë dhe specialistë të Policisë së Shtetit, në shenjë mirënjohje për profesionalizmin, asistencën dhe bashkëpunimin mjaft të mirë ofruar hetuesve të FBI-së, përkatësisht:
- Z. Agron Kuliçaj, Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda
- Z. Edmon Rizaj, Drejtor i Drejtorisë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve
- Z. Ervin Hasrama, specialist në Sektorin kundër Narkotikëve.
Ky vlerësim vjen pas një hetimi të përbashkët të suksesshëm të kryer kohët e fundit, ku kanë marrë pjesë hetues të FBI-së dhe punonjës të Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
“Ky rast shërben si një model i shkëlqyer për rezultatet që mund të arrihen përmes bashkëpunimit të agjencive të zbatimit të ligjit në nivel ndërkombëtar.” – është shprehur në vlerësimin e tij Drejtori i FBI-së.
Dorëzimi i certifikatave të falenderimit u bë nga Zv/Ambasadori Amerikan, Z.Henry V. Jardine, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e Ambasadës së SHBA-së.
Gjatë kësaj ceremonie Z. Jardine, duke vlerësuar profesionalizmin e specialistëve të Policisë Shqiptare, në mënyrë të veçantë dhe në kuadër të këtij hetimi të përbashkët, evidentoi dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe gjithnjë në rritje mes autoriteteve ligjzbatuese të të dy vendeve, duke e cilësuar si një bashkëpunim për t’u marrë shembull.