English

Edith Harxhi: Rama ka fyer imazhin e Shqipërisë edhe në Vjenë. Berisha: Komision hetimor

"Aktin që ka ndodhur në Vjenë nuk e ka kryer asnjë prej udhëheqësve të komunizmit. Ditën e hënë do të votohet ngritja e Komisionit Hetimor për këtë çështje. Kjo është një histeri kolektive dhe Rama në fund të hetimit do të përfundojë aty ku e meriton".

Me tone të ashpra kryeministri Berisha akuzon kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka kryer akte të dhunshme, brutale dhe amorale ndaj një diplomati shqiptar në Vjenë dhe propozoi ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur me detaje se çfarë ka ndodhur në takimin e një dite më parë në ambientet e Akademisë Diplomatike të Vjenës.

Shefi i Qeverisë theksoi se do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të thirrur Parlamentin në çdo kohë me qëllim ngritjen e komisionit hetimor.

Akuzat e rënda u bënë në seancën e sotme plenare,për një çështje që është konsideruar si incident nga Ministria e Jashtme. Në një konferencë për shtyp, zëvendësministrja e Jashtme Edith Harxhi njoftoi se në Akademinë Diplomatike të Vjenës, gjatë një bisede është fyer imazhi i Shqipërisë disa here.

"Një nga diplomatët shqiptarë, Egin Ceka, në përfundim të takimit është afruar z.Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa here pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Pas një përplasje me fjalë mes tyre, Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij,që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare. Rama fillimisht ka përdorur dhunë verbale ndaj Cekës dhe më pas dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve", tha Harxhi në reagimin e saj.

Ndërkohë me një reagim të minutave të fundit, PS shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar.

"Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike. Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një "diplomati" që s'është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit", thuhet në reagimin e PS.

KOMENTE