English

Refik Lila ekzekutohet me tre plumba në Durrës

Refik Lila, 27 vjeçari me origjinë nga Dibra është ekzekutuar me tre plumba në Durrës.

Autori i dyshuar i krimit është 28-vjeçari Ardit Hyska, të cilit sipas policisë i është gjetur makina dhe arma me të cilën dyshohet se është qëlluar bashkëmoshatari i tij.

Ngjarja ndodhi në lagjen 18, mbrapa stadiumit “Niko Dovana” të qytetit, ku i riu Refik Lila ka qenë duke ndenjur në lulishten para bllokut të pallateve në këtë zonë.
Dëshmitarë të ngjarjes janë shprehur se ata kanë debatuar një moment lidhur me një femër dhe më pas autori ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar.

Ngjarja Referuar deklaratës së policisë në lidhje me vrasjen e djeshme ku u ekzekutua me tre plumba Refik Lila, bëhet e ditur se “nga tërësia e veprimeve proceduriale dhe provave shkencore të administruara në vendin e ngjarjes, u identifikua si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje 28-vjeçari Ardit Hyska, lindur ne Tiranë e banues në Durrës; shtetas me precedentë të mëparshëm penal. Ai dyshohet se rreth orës 11.00 të ditës së djeshme, në lagjen Nr. 18 të qytetit, ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vrarë shtetasin Refik Lila, 27 vjec, banues në lagjen Nr.17 të qytetit. Lidhur me hetimin për zbardhjen e ngjarjes, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga ana jonë arma e krimit, pistoletë e markës Beretta, kalibri 7,65 mm, e cila ishte fshehur prej autorit pas ngjarjes; autovetura e markës Benz me targa AA 307 AB, e përdorur prej tij për largim nga vendi i ngjarjes, kapela dhe bluza e përdorur gjatë kryerjes së veprës”. Vrasja e Lilës është treguar nga banorë të lagjes të cilët e kanë nisur të riun në drejtim të spitalit për ta shpëtuar, por mjekët kanë bërë me dije se viktima ka patur dy plumba në kokë, të cilët i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Mësohet se dëshmitarët kanë treguar se është dëgjuar një debat mes viktimës dhe autorit që kishte lidhje me një femër, shkak që është fiksuar fillimisht edhe si motiv. Pas arrestimit të Hyskës “Djalin e kam patur gjithë ditën në spital pasi është i sëmurë. Për këtë kam dëshmitarë jo vetëm mjekët, por edhe kamerat e spitalit. Kam qenë gjithë ditën me të”. Kjo ka qenë protesta publike e të atit të djalit të arrestuar ditën e djeshme në Durrës për vrasjen e Lilës, ndërsa familjarë dhe të afërm të 28- vjeçarit mësohet se kanë qëndruar me orë të tëra para drejtorisë së Policisë duke protestuar në lidhje me arrestimin e Hyskës. Ndërkohë që Hyska mësohet se ka qenë i dënuar edhe më parë për krime kundër personit, njerëzit e tij kanë thënë mbrëmjen e djeshme se edhe në arrestimin e mëparshëm ka qenë vetëm sulm i policisë pasi Hyska nuk ka patur lidhje as me atë ngjarje.

Mirëpo policia e Durrësit pretendon se ka provat e pakundërshtueshme për të vërtetuar autorësinë, pasi janë gjendur makina, arma dhe rrobat që janë përdorur në ekzekutim.
Hetimi do të vazhdojë deri në verifikimin e plotë të vrasjes.

KOMENTE