English

Universiteti Beder-Hëna së shpejti me kampus të ri universitar

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit Beder-Hëna e plotë, investim me vlerë rreth 20 milion euro.
Në urimin drejtuar studentëve dhe stafit pedagogjik të këtij universiteti, kryeministri përshëndeti në emër të qeverisë të gjitha arritjet e këtij institucioni në një hark të shkurtër kohor, 2 vjeçar. “Me punën tuaj të madhe, me përkushtimin tuaj ju u shndërruat në një universitet të njohur mbarëshqiptar, në një universitet të njohur ndërkombëtar, një universitet i cili zhvillon në bazën dhe pajisjet më moderne rreth 18 programe dhe pranon studentë, deri tani nga 12 vende dhe kombe.” tha kryeministri”

Me këtë rast, kryeministri shprehu nderimin dhe mirënjohjen më të thellë, ndaj kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muca, kryetarit të Fondacionit Sema, qeverisë turke për ndihmën e tyre bujare në ringritjen e infrastrukturës fetare në Shqipëri, si dhe rektorin Gjana dhe të gjithë ekipin pedagogjik, të universitetit për punën e shkëlqyer në vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie në këtë universitet.

Universiteti Beder, me një kapacitet prej 485 studentë e filloi funksionimin e tij si institucion i arsimit të lartë, në prill të vitit 2011, me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili miratoi dhënien e licencës për hapjen e Universitetit. Ky institucion ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, sipas legjislacionit shqiptar. Universiteti Beder ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 7 programe studimi të nivelit të parë (bachelor) dhe 12 programe studimi të nivelit të dytë (master).

Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Hafiz Selim Muca, ministra të kabinetit, Rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana dhe rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Dhori Kule, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të trupit diplomatikë, pedagogë e student të këtij universiteti dhe të ftuar të tjerë.

KOMENTE