Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në inaugurimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të kanalizimeve të dy zonave, Shëngjinit dhe Lezhës, në zbatim të politikave të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Impianti, një investim me vlerë 12 milionë euro, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, ka një kapacitet përpunimi prej 140 l/sek dhe teknologjia e trajtimit është konvencionale, uji i trajtuar shkarkohet në lumin Drin dhe më pas në det, duke garantuar cilësi të ujit pas trajtimit.
Kjo qeveri i ka dhënë prioritet të veçantë shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në vitet 2005 - 2012 u investuan 55 miliard lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur, si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shirokë, Velipoje, Vlore dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Orikum, Shkodër, etj.. Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë në shkalle vendi për vitin 2012 është 81%, kundrejt 63% që ishte në vitin 2005, ku mbulimi për zonat urbane arriti 90% në vitin 2012 kundrejt 75% që ishte në vitin 2005, ndërsa mbulimi në zonat rurale arriti 60% kundrejt 40% që ishte në vitin 2005. Raporti i mbulimit me shërbimin e kanalizimeve në total, në shkallë vendi, është 66% në vitin 2012, kundrejt 40% në vitin 2005.
Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vepër do të bëjë që potenciali turistik i kësaj zone të shfrytëzohet në shkallën më maksimale. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se për këtë qeveri ka qenë parësore përmirësimi i infrastrukturës, në çdo cep të vendit dhe shtoi se “impiante të tilla në vitin 2005 nuk ekzistonin, ndërsa sot funksionojnë në Kavajë, në Lezhë, në Durrës, në Pogradec, në Korçë dhe janë në përfundim e sipër 12 të tjera”.
“Ne, - tha Kryeministri, - po shkojmë drejt zgjedhjeve me një program, i cili do t’i bëjë shqiptarët të harrojnë ato që ne kemi realizuar në këto dy mandate, me një program i cili do të bëjë që në brigjet e Shqipërisë, në Shëngjin , në gjirin e Drinit, në Velipojë dhe kudo të pushojnë në vit 7 milionë turistë nga e mbarë bota; me një program i cili do të krijojë 250 mijë vende pune në turizëm, në qytete, në biznese, në energji, në ferma dhe në sektorë të tjerë”.