Në Deklaratën e saj për media, deputetja e Partisë Socialiste Ledi Shamku, është shprehur:
"Vetëm 56 ditë na ndajnë nga 23 qershori, ditë në të cilën shqiptarët me votë të bashkuar do të largojnë Sali Berishën, kryeministrin e rrënimit të vendit.
Sali Berisha në këto 8 vite keqqeverisje rrënoi sistemin arsimor shqiptar duke rrënuar shkollën dhe të ardhmen tonë si shoqëri. E keqja në arsim po përshkallëzohet dhe këtë alarm e vënë vetë ndërkombëtarët. Para pak kohësh USAID deklaroi 15% analfabetizëm të plotë në këtë vend.
Ndërsa dje Banka Botërore në Raportin e saj të fundit shpalli një të vërtetë të frikshme të cilën Partia Socialiste ka kohë që e denoncon.
Nga raporti i fundit i PISA, del haptaz se 57 % e 15 vjeçarëve në shkollat tona janë analfabetë funksionalë. Analfabetizëm funksional do të thotë se pavarësisht se ti mund të dish thjesht të shkruash e të lexosh, mbetesh te ai cak pasi ato pak njohuri nuk të vlejnë për të prodhuar punë e dinjitet për veten, familjen dhe për shoqërinë. Pra janë aftësuar të lexojnë sa për të plotësuar llotot apo për të parë reklamat me të cilat mbushin kohën e lënë bosh nga papunësia.
Shikoni grafikun, vendi ynë renditet i katërti nga fundi në botë dhe prapa le vetëm Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Kirgistanin. I katërti nga fundi në botë, për turp të botës. Llogarisni pak çdo të thotë cilët janë nxënësit 15 vjeçar të sotëm. Janë të gjithë të shkolluarit në këto 8 vjet të qeverisjes Berisha, janë ata që e kanë nisur klasën e parë me nisjen e mandatit të tij të parë.
Ky është vallë arsimi, prioriteti i prioriteteve të Saliut?! Ky në fakt është rezultati i pushtetit të injorancës, të katërt nga fundi në botë. Krejt larg Europës ku duam të integrohemi. Përse vallë e mbolli këtë injorancë Sali Berisha? Natyrisht e mbolli me qëllim dhe qëllimi i tij i vetëm është grabitja dhe ruajtja e pushtetit.
Mendimtari ltalo Calvino vëren se: “Në një vend ku shkolla shkatërrohet, shkaku i shkatërrimit nuk janë kurrë as kostot e larta dhe as mungesa e fondeve. Një vend ku shkolla shkatërrohet, është i qeverisur nga ata njerëz që humbasin pushtetin po qe se dija shpërndahet gjithkund”. Kjo është dhe arsyeja vrastare pse Sali Berisha në këto 8 vjet foli për arsimin, por në fakt mbolli injorancën derisa na shtyu krejt në fund të botës me mbi gjysmën e nxënësve analfabetë funksionalë. Që do të thotë se investimi i këtyre familjeve shqiptare në këto 8 vjet është ngrënë i gjithi nga pushteti i Saliut.
Ekonomistët e Bankës Botërore përballë këtij fakti deklarojnë sot se ekonomia e Shqipërisë rrezikon seriozisht kolapsin si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore të afta për punë dhe se këta 57 % analfabetë kështu siç janë mund të mbeten të papunë. Ky degradim merr fund me 23 qershor! Buxheti për arsimin do të marrë peshën që i takon, pra 5% të PBB-së sepse arsimi për ne është politika më e mirë ekonomike. Arsim për ne do të thotë punësim dhe dinjitet.
Asnjë fëmijë që për shkak të varfërisë sot nuk shkon dot në shkollë nuk do të mbetet më pa shkuar në shkollë. Do të jemi aty me tekstet dhe paketën shkollore falas. Asnjë fëmijë që për shkak të largësisë së shkollës sot detyrohet të mos shkojë në shkollë nuk do të mbetet pa shkuar në shkollë. Do të vëmë në dispozicion transportin për çdo nxënës që i bie të udhëtojë më shumë se njëzetë minuta në këmbë. Jo më lumenj dhe shtigje që kaptohen në këmbë nga nxënësit.
Sot Shqipëria gëlon nga klasat kolektive, ku bëjnë mësim në të njëjtën kthinë e më të njëjtin mësues nxënësi i klasës së parë dhe nxënësi i klasës së pestë. Bota ka thuajse një shekull që e ka shëruar këtë plagë. Këtu tek ne pushteti i Sali Berishës e mbolli sërish.
Mbas 23 qershorit do të përballemi me plagën e klasave kolektive që prodhon veç analfabetizëm funksional dhe do ta shërojmë me vullnet politik e pasion profesional. Jo më tekste kuturu që çorodisin mendjet e nxënësve por iu ngucen me pahir mësuesve sepse i përzgjedh klientela e oborrit të Saliut.
Qeverisja e Rilindjes do të rilindë dhe krejt procesin e altertekstit duke i dhënë atij dritën e vërtetë të dijes dhe duke e shkëputur nga kapja e interesave të rëndomta. Për ta luftuar këtë analfabetizëm të turpshëm do të rikthehen në punë qysh ditën e parë të Rilindjes së Arsimit të gjithë ata mësues me përvojë dhe përkushtim që pushteti i injorancës i largoi nga detyra për shkak të bindjeve të tyre politike apo të mosbindjes ndaj pushtetit të injorancës.
Shikojeni mirë këtë grafik sepse kjo është edhe pikënisja jonë për ta rilindur arsimin. Këtu zë fill edhe premtimi ynë, i qartë dhe konkret. Testi i tjetër i PISA që do të gjejë Shqipërinë në fund të mandatit të parë të qeverisjes sonë, do t’i rendisë nxënësit tanë shumë më afër Europës dhe larg nga ky fund i botës ku gjenden sot."