Me një investim prej 20.1 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e rrugës “Miftar Gërbolli” e cila lidh rrugën “Don Bosko” me rrugën “Egnatia”, në njësinë bashkiake nr.11. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në nisjen e ndërtimit të kësaj rruge, e cila u shërben rreth 4500 banorëve të rinj të kryeqytetit si dhe lehtëson ndjeshëm trafikun.
Rruga e cila do të përfundojë brenda 6 muajsh ka një gjatësi 300 metra dhe gjerësi 6 metra, me trotuare nga 1 metër në të dy anët e saj. Projekti parashikon dhe zëvendësimin e mureve rrethuese me kangjella, një standard i ri që Bashkia e Tiranës po sjell në kryeqytet.
“Ne nisim fazën e parë të projektit sot, që parashikon ndërtimin e gjithë këtij aksi me parametrat e rikualifikimit urban (trotuarë, ndriçim, gjelbërim, ujësjellës-kanalizime dhe asfaltim), për të gjithë aksin kryesor dhe rrugicat rreth e qark, që do i shërbejë të gjithë komunitetit, afro 4500 banorëve të këtij komuniteti. Faza e dytë do të mundësojë lidhjen e këtij aksi që bllokohet në një pjesë të caktuar nga disa ndërtime me pjesën tjetër të rrugës, duke bërë të mundur që një arterie e re dhe me standarde, të lidhë rrugën “Don Bosko” me rrugën “Egnatia” dhe të shërbejë kështu për të lehtësuar trafikun në orët e pikut të trafikut në Tiranë dhe për të përmirësuar gjithashtu parametrat e ajrit në këtë zonë e cila është një zonë me trafik të ngjeshur” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur në nisjen e punës në këtë rrugë, se krahas përfundimit të projekteve të nisura tashmë në kryeqytet, do të nisë zbatimi i investimeve të reja të parashikuara në buxhetin e vitit 2013.
“Ndërkohë që nis faza e dorëzimit të veprave të investuara me buxhetin e 2012-ës, ne po përparojmë me fazën e re, atë të veprave që ndërtohen me buxhetin e vitit 2013, pra frontet e punës do të vazhdojnë të shtohen. Nuk do të ketë surpriza, sepse buxhetet janë të konsultuara, qytetarët e dinë për çdo njësi bashkiake se çfarë veprash do të ndërtohen por shpresoj se kontraktorët, në bashkëpunim me supervizorët të na japin surpriza të këndshme, si ajo tek “Ilia Dilo Sheperi”, ku një vepër e cilësisë së lartë u dorëzua para kohe. Ne do të insistojmë që edhe veprat e reja që po nisin anembanë qytetit, të ndërtohen me standardet e parashikuara dhe të krijojnë sa më pak probleme gjatë periudhës së ndërtimit por në përfundim të ndërtimit t’i japin qytetarëve të Tiranës, atë për të cilën ata paguajnë si taksapagues” – theksoi z. Basha.
I pyetur nga gazetarët për ngadalësim të punimeve në disa rrugë, Kryebashkiaku ka garantuar se të gjithë kontraktorët po avancojnë me punimet sipas parashikimeve. Natyrisht punimet në rrugë janë paraprirë nga rrjeti i ujësjellës - kanalizimeve.
“Në dijeninë time dhe në informacionin që unë kam, nuk ka asnjë ndërprerje të punimeve, me përjashtim të atyre që bëhen për azhornim projekti apo koordinim. Ka raste kur Ujësjellës-Kanalizimet duhet të mbyllin një punë, përpara se kontraktori të vazhdojë me pjesën e kontraktuar, ka raste kur duhet vepruar me shpronësime, ka raste kur duhet vepruar siç u veprua tek “Ilia Dilo Sheperi”, ku ndonëse nuk pati shpronësim pati mirëkuptim me banorët dhe u zëvendësuan avllitë me kangjellat, këto janë rastet e raportuara deri tani sa i përket ngadalësimit të punimeve. Deri më sot, çdo kontratë është zbatuar brenda afatit. Në fakt, shumica e kontratave që kanë përfunduar apo janë në proces përfundimi janë bërë para afatit” - u shpreh z. Basha.
Lidhur me akuzat e këshilltarëve të Partisë Socialiste në adresë të Kryebashkiakut, për mbledhjen e këshillit Bashkiak, zoti Basha ka ripërsëritur qëndrimin e tij se askush nuk do ta zhvendose vëmendjen e Bashkisë nga qytetari tek konflikti politik.
“Unë nuk bëhem pjesë e akuzave që tentojnë të zhvendosin vëmendjen e Bashkisë tek lufta politike. Është fare e kuptueshme. Dikush mund të zgjedhë, këshilltar apo jo këshilltar, mund të kenë shpresa për deputetë, që përpiqet të tërheqë Bashkinë e Tiranës në luftë politike. Ne bëjmë punën tonë, Këshilli Bashkiak ka rregullat e veta, funksionon sipas këtyre rregullave dhe Bashkia e Tiranës ka një dhe vetëm një detyrë, të zbatojë ligjshmërinë dhe këtë po bën. Ne si Bashki, jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën tonë. Këshilli Bashkiak merr vendimet e veta”.