English

Bashkia e Tiranës, 805 vende të reja pune në 15 profesione të ndryshme

805 vende të reja pune në 15 profesione të ndryshme janë lançuar që sot në portalin e punësimit të hapur nga Bashkia e Tiranës, në web-in e saj zyrtar. Në kuadër të prioriteteve të lançuara që në 2011 nga Kryebashkiaku Basha, për të orientuar prioritetet e Bashkisë drejt zhvillimit ekonomik dhe punësimit, portali i punësimit i cili do të jetë një urë lidhëse mes punëdhënësve dhe punëmarrësve është projekti i radhës i Bashkisë së Tiranës.

“Sot, në ditën që ne inaugurojmë këtë faqe, 15 profesione kërkohen anembanë qytetit, dizenjues, dizenjues grafikë, drejtues, menaxherë, ekonomistë, elektriçistë, fotografë, specialistë të IT, kuzhinierë, marketing, marrëdhënie me publikun, përkthyes, rrobaqepës, sekretar-recepsionist, shoferë dhe operatorë telefonikë. Kjo ofertë fillestare që hidhet sot në dispozicion të qytetarëve që kërkojnë punë në qytetin e Tiranës vjen nga afro 9 kompani të cilat kanë mundësuar që kërkesën që ata kanë për të punësuar, ta reklamojnë përmes këtij portali, falas dhe të hapur për këdo që dëshiron ta eksplorojë. Edhe 6 kompani të tjera presim që të hedhin të dhënat e tyre në ditët në vijim, duke e çuar në 15 numrin total të kompanive që aktualisht nëpërmjet këtij portali reklamojnë 805 vende pune, 805 mundësi për t’u punësuar për qytetarët e Tiranës, në veçanti për qytetarët e rinj të Tiranës” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se brenda javës së ardhshme do të përzgjidhet edhe banka e nivelit të dytë, e cila do të kreditojë idetë e biznesit të të rinjve nën 35 vjeç, me garancinë 1 milion euro, të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës. Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, nëse 2 vjet më parë Bashkia ishte e kufizuar në aktivitetin e saj si një komunale apo si dhënëse lejesh ndërtimi, sot ajo ka një dimension të ri.

“Qytetarët e mbajnë mirë mend se kush bën kopjacin në fushatë elektorale. Me kopjen e 2011-ës zoti Rama është futur në fushatën e 2013-ës por problemi më i madh i tij mbetet marrëdhënia me njerëzit. Unë i them sot të mësojë nga realizimi i këtij premtimi tjetër, në raport me objektivat tona për punësimin dhe duke mësuar shpresoj të vetëkorrigjohet” – theksoi z. Basha.

KOMENTE