English

Godina e Universitetit “Fan Noli” në Korçë tërësisht moderne

Gjithashtu po sot Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të Godinës së Universitetit “Fan Noli”, në qytetin e Korçës, investim me vlerë 122 milion lekë. Kjo godinë e shndërruar tashmë në një institucion modern universitar, ka auditore të pajisura me mjete audiovizuale e të teknologjisë së informacionit, duke rritur në këtë mënyrë cilësinë e mësimdhënies për 7000 studentët e saj.

Universiteti ka sot 4 Fakultete si dhe filialin e Pogradecit i çelur në vitin 2009. Në të bëjnë pjesë 13 departamente, si dhe një Qendër Ekselence në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë. Ky universitet ofron 24 programe studimi Bachelor; 13 programe studimi: Master Professional; 5 programe studimi: Master i Shkencave; 1 program studimi: Doktoraturë. Në mjediset e tij funksionojnë 3 salla videokonference dhe 28 laboratorë.

Pas inaugurimit të godinës Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme, klasat dhe kabinetet e tij. Ai shprehu gëzimin dhe kënaqësinë e veçantë për rindërtimin e këtij universiteti të pajisur me teknologjitë më moderne.

Kryeministri Berisha përcolli një falënderim të veçantë për burrin e shquar të Korçës Thoma Turtulli, për dhuratën fisnike të tij ndaj qytetit të Korçës, duke ndarë me bujari një pjesë të pasurisë së tij për të ndërtuar një shkollë. Kryeministri theksoi më tej se, se kjo shkoll,ë e cila do të bëhej liceu më i njohur i atyre viteve dhe që nxori me qindra e mijëra intelektual, pati fatin e korçarëve dhe shqiptarëve në diktaturë, duke humbur funksionin e saj për tu shndërruar në një korpus ushtarak.

Duke u ndalur tek puna dhe përpjekjet që ka bërë qeveria për sistemin arsimor, Kryeministri Berisha u shpreh se , “përpjekjet tona për zhvillimin e Korçës bazohen që të gjitha në potencialet më të mëdha të saj”.

Kryeministri Berisha i cilësoi fyese deklaratat se universitetet janë piramida. “Kjo, - tha Kryeministri Berisha, - është ide që fyen dijen shqiptare nga rilindasit deri më sot”. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se, në universitete tona ka dobësi, ka të meta, por - tha ai -, ne do të punojmë për të korrigjuar secilën prej tyre, ne do të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë arsimin në çështjen më serioze të integrimit të familjes të shoqërisë, por ne nuk mund të damkosim në këtë mënyrë, një sistem i cili po ecën në mënyrën më të vendosur drejt niveleve të reja. “Është e primitive, është e pafalshme të përpiqesh të sulmosh arsimin”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Nga Korça Kryeministri Berisha iu ka bërë një kërkesë miqësore të gjithë studentëve. “Refuzoni me përçmim çdo ide se po bëheni shumë të shkolluar në numër. Refuzoni me përçmim çdo ide se universitetet tuaja po bëhen piramida, ajo është fyerja më e rëndë që ju bëhet juve dhe përpjekjeve tuaja dhe të prindërve tuaj. Ne kemi nevojë të jemi shumë, sepse ne me ato politika të vjetra selektive, mbetëm në fund të botës përsa i përket përqindjes së të diplomuarve në universitet krahasuar me popullatë tonë. Vetëm katër vjet më parë ajo përqindje ishte aq e ulët saqë ti nuk mund ta thoje, sepse turpëroheshe, ishte 3.4 përqind, sepse rrënoheshin masivisht ëndrrat universitare të të rinjve shqiptarë. Duhet të ecim, duhet të vazhdojmë garën e dijes në të gjitha rrafshet, në rrafshin cilësor dhe në rrafsh sasior”, tha Kryeministri Berisha.

Duke dalë jashtë çdo lloj politike, Kryeministri Berisha, i ka kërkuar rektorit të universitetit dhe pedagogëve, të ftojnë këtu deputetët e opozitës që ta vizitojnë këtë korpus. “Të ftoni këtu të njihen me punën serioze të madhe që ju bëni, me mjetet e shkëlqyera që ju dispononi për ti demonstruar çdo eksperiment studentëve. Të ftohni këtu se këto nuk janë pasuri e qeverisë, kjo është një pasuri e shqiptarëve, është një pasuri kombëtare. Ndaj dhe ne të dashur student dhe studente, jemi përqendruar tek dija për Korçën, për Shqipërinë në tërësi”, u shpreh Kryeministri.

KOMENTE