Në varrezat e “Sharrës” në Tiranë nuk ka më vende, gropat po hapen në rrrugë. Projekti për varrezat murale ka probleme. Flasin për “Shekulli” personazhet që punojnë çdo ditë pranë të pajetëve.
Në Tiranë nuk ka më realisht vend për të vdekurit! Gjatë një rrugëtimi që bëmë dje në “qytetin e jetës së përtejme” në Sharrë, konstatuam nga afër problemin dhe pamë se parcelat e varreve që janë hapur së fundmi ishin të tejmbushura. Madje as rrugët mes parcelave nuk ekzistonin më pasi ishin kthyer edhe ato në vare të hapura rishtazi. Tek varrezat e Sharrës takuam një djalë trembëdhjetëvjeçar të quajtur Fatbardh. Ai ishte shoqëruesi ynë. Fatbardhi na rrëfeu punën e tij dhe na shoqëroi për tek varret më të shtrenjta. Ndoshta është e pabesueshme shifra që do t’ju përcjellin, por ka nga ata që duan të duken të pasur edhe aty, në varrezat e Sharrës. Qivuri më i shtrenjtë ishte 20 mijë euro. I dyti, kushtonte 17 mijë euro dhe i treti 12 mijë. Prej dy vjetësh, Fatbardhi kujdesej për qivurin më të shtrenjtë. Ai pastron çdo ditë barin që rrethon mermerin e shtrenjtë, ujit lulet e vendosura përreth dhe fshin e lan për çdo pasdite këtë pllakë të madhe mermeri. Për këtë shërbim ai merr 3 mijë lekë çdo javë.
Të afërmit nuk harrojnë asnjëherë t’i japin Fatbardhit shpërblimin për punën e kryer çdo ditë. Ky është shpërblimi më i mirë që merr, pasi të tjerët nuk tregohen shumë bujarë me të. Ka marrë nën kujdes rreth 40 varre. Për ta kujdeset çdo ditë. Por, vogëlushin 13-vjeçar nuk e shqetëson kjo punë, por roja e varrezave që herë pas here nuk e lejon atë të punojë. Ky i fundit, në fakt na thotë se nuk dëshiron që Fatbardhi të braktisë orët e mësimit. E në fakt, Fatbardhi nuk ka shkuar sërish në shkollë. Ai tregon se familja e tij ka nevojë për të ardhurat e tij, ndaj edhe ndonjëherë ia lejon vetes të shkëputet nga shkolla, por jo çdo ditë. Një tjetër personazh që frymon tek varrezat e Sharrës është edhe Goni. Agronin e gjejmë poshtë hijes së një çadre plazhi. E ka marrë nga shtëpia. Nuk mund të punojë në mes të diellit dhe të shiut. Dhe për aq kohë sa Bashkia nuk i siguron atij një vend ku të fusë kohën gjatë tetë orëve punë, ai do të përpiqet që ta gjejë vetë një mënyrë. Agroni është një mesoburrë që shkuan emrat e atyre që sapo janë larguar nga kjo jetë, në pllakatet që më pas do të vendosen në banesën e fundit. Kur e pyesim se sa kohë ka që punon kështu, Agroni na përgjigjet: “Kam rreth dhjetë vjet që punoj kështu. Çdo ditë nga tetë orë. Gdhend çdo ditë emra të rinj.
E kam mësuar vetë këtë profesion. Një miku im punonte këtu më parë”. Përpiqet që të na shpjegojë se kjo është mënyra më e mirë që ka mundur të gjejë për të mbijetuar. Dhe përgjigjja mungon kur e pyesim për kushtet në të cilat ai punon. E fundit që takojmë tek varrezat e Sharrës është Hamidja. Ajo është një ndër të shumtit që shet lule në buzë të parcelave që janë mbipopulluar në Sharrë. Lulet janë shumëngjyrëshe, natyrale dhe artificiale. Këto të fundit janë më të lira, por ecin më shumë sepse prishen më ngadalë. Ndërsa ato natyralet jetojnë më pak. Hamideja, e veshur në të zeza na tregon, njëlloj si edhe Agroni me Fatbardhin se në Sharrë nuk ka më vende, ndaj bëni mirë të mendoheni para se të vdisni. Edhe banorët e zonës kishin shqetësime për gjendjen në të cilën ndodheshin varrezat. Shqetësohen për mungesën e hapësirës, shqetësohen për grabitësit e varreve që shëtisin atyre anëve çdo natë dhe për mungesën e vëmendjes nga ana e shtetit. Parcela më e re e varrezës ishte vetëm 2 metra larg derës së një shtëpie. Edhe pse ka kohë që diskutohet për një projekt që mund t’i japë zgjidhje kësaj situate, ne nuk morën përgjigje nga Ndërmarrja e Shërbimit Funeral të Bashkisë, në lidhje me projektin e varrezave murale.
E nëse projekti i diskutuar prej kohësh për varrezat murale, nuk do të fillojë të vihet në zbatim, atëherë në fare pak kohë, në Sharrë nuk do të kemi se ku të kalojmë. Por, si të gjitha projektet e tjera në Shqipëri, edhe ky fle në dosjet e vendosura në sirtarët shtetërorë. Por, ky nuk është shqetësimi i vetëm i tyre. Personazhet tona banojnë aty afër, në Sharrë, pranë varrezave. Edhe pse vendas në Sharrë, ata shprehen se nuk mund ta marrin shtëpinë në krahë për t’u shpërngulur e për t’u larguar nga parcelat e reja që “po u hyjnë në shtëpi”. Dhe më shqetësuese është mbrëmja. Gjatë natës, në varrezat e Sharrës ka grabitje. “Gjithnjë ka pasur grabitje, por tani kanë filluar të shtohen shumë”,- na thotë Fatbardhi, vogëlushi 13-vjeçar që kujdeset për banesat e atyre që janë larguar fizikisht nga bota e gjallë. Para se të largohemi nga varrezat, ndalojmë tek punishtet e qivureve. Aty pyesim nëse janë të vërteta ato që na tregoi Fatbardhi. A është e vërtetë që një qivur mund të kushtojë 20 apo 17 mijë euro? Nazmiu, punëtori që prej njëmbëdhjetë vjetësh punon aty, na e konfirmon këtë. “Unë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj duke ndërtuar varre. Më i shtrenjti që kam bërë ka qenë 9 mijë euro. Ka edhe më të shtrenjtë. Ka nga ata që shkojnë 17 mijë euro”, na thotë ai i sigurt falë eksperiencës që ka siguruar në këtë treg.
Po pse kushtojnë kaq shumë? Nazmiu na shpjegon se llogaritet materiali që përdoret si lëndë e parë, llogaritet dizenjimi, forma që do të marrë mermeri dhe kangjellat që mund të rrethojnë vendin. “Ka nga ata që e kanë rrethuar varrin me xham dhe jo xham dosido, por xham të blinduar. Ky lloj xhami vjen nga jashtë, ndaj dhe këtu futet edhe kostoja e transportit. Ja, pse kushton kaq shtrenjtë të vdesësh në kohët e sotme”, e mbyll bisedën me “Shekulli”-n Nazmiu. Dhe vërtet kushton shtrenjtë të vdesësh në kohët e sotme. Kjo është një nga ato arsye që duhet të na shtyjë të jetojmë. “Shekulli” zbulon se qivuri më i lirë kushton 40 mijë lekë, ndërsa vendi 4 mijë. Arkivoli më i lirë është 30 mijë lekë, ndërsa makina e funeralit kërkon 6000. Nuk do të llogarisim këtu, autobusët, lulet dhe afishet, për të cilat, historia e dhimbshme e largimit të personit të afërm nuk i llogarit edhe pse ato kanë një kosto jo të vogël.
Më shumë se 3 mijë të vdekur në vit në kryeqytet
Hajdini nuk përgjigjet për të gjallët, jep shifra vetëm për të vdekurit “Shekulli” u lidh edhe Riza Hajdinin, drejtorin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Funerale. E pyetëm atë për shqetësimin që konstatuam në varrezat e Sharrës dhe ai nuk ka na një përgjigje zyrtare. Më herët , ai është prononcuar për gazetën tonë se ata që e përjetojnë çdo ditë mungesën e vendeve për varreza janë pikërisht punonjësit e Shërbimit Funeral të Bashkisë së Tiranës. Për drejtorin Riza Hajdini, gjendja nuk është fort e mirë, por varrezat murale do ta zgjidhin 40 për qind këtë problem, ndërkohë që çdo ditë mbërrin në këtë institucion lista me personat e vdekur, që sigurisht kërkojnë edhe vendin ku do të vendosen përgjithnjë.
Por edhe projekti i varrezave murale nuk duket se do të realizohet shpejt. Në sektorin e shërbimeve funerale janë kompjuterizuar të dhënat dhe brenda pak minutash, çdo qytetar pasi të japë gjeneralitetet, do të ketë në dorë të shënuar në një letër vendin përkatës ku është varrosur dhe numrin e varrit të të afërmit. Por, ndërsa teknologjia elektronike shërben për ata që tashmë e kanë gjetur një vend, problemi më i madh mbetet për hapësirat e reja, për ata që kanë filluar të shqetësohen se ku do të përfundojnë para se të largohen nga kjo botë. Gjithçka që “Shekulli” mund të përfitonte nga të dhënat e Ndërmarrjes së Shërbimeve Funerale ishin disa të dhëna të hidhura. Deri më tani Tirana duke bashkuar bashkë Tufinën dhe Sharrën ka rreth 550 hektarë varreza. Me vënien në zbatim të varrezave murale shpresohet që kjo hapësirë të zgjerohet më pak se çka ndodhur deri më sot. Deri më tani kjo është zgjidhur me shpronësime. Sipas shifrave që na ofrohen nga kjo ndërmarrje, mesatarisht regjistrohen 3 mijë vdekje në harkun kohor të një viti, në kryeqytet. Dhe me këtë intensitet duhen afërsisht 1 hektar e gjysmë tokë vetëm për Tiranën.
Projekti im për varrezat
Prej kohësh thuhet që Bashkia e Tiranës po bën një projekt për varret murale, shpesh është thënë se është gati, do të aplikohet shumë shpejt... por vetëm kaq. “Shekulli” është interesuar për disa ditë rresht që të marrë një përgjigje se ku ka ngelur ky projekt. Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e kryeqytetit nuk ka qenë i disponueshëm për të komunikuar këtë problem të kahershëm në Tiranë. Petrit Dedej është një prej pronarëve të shumtë në kryeqytet që ofron shërbime funerale në Rrugën e Durrësit. Ai ka gati prej 20 vitesh një projekt që parashikon zgjidhjen e problemit të varreve për vitet që vijnë.
Sipas tij, varrezat murale janë e vetmja zgjidhje përfundimtare dhe leverdishme. Sipas tij, projekti që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës nuk e zgjidh plotësisht problemin ekzistues të nevojës për të krijuar më tepër hapësirë si në Sharrë dhe në Tufinë. “Projekti që ka ndërmarrë Bashkia nuk siguron një zgjidhje përfundimtare. Ky projekt do të hapë vetëm një hapësirë të vogël, duke varrosur në mur eshtrat e italianëve të mbetur në Shqipëri kohë më parë. Varret e huaja nuk janë shumë. Kjo vetëm sa do të shërbejë si shëmbëlltyrë për shoqërinë shqiptare, të cilën ne e shikojmë dhe mund ta pranojmë më lehtë faktin e varreve murale.” Dedej ka prej më shumë se 20 vitesh një projekt, të cilin e ka dorëzuar në Bashki, ndërkohë që kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë nismë apo plan konkret sipas Petrit Dedej. Projekti i tij për varrezat murale parashikon lirimin e hapësirave përmes dy rrugëve.
Fillimisht, të krijohet një varr mural për ata që janë varrosur në Varrin e Bamit, të cilët kanë vite që kanë vdekur. Rruga e dytë parashikon zhvendosjen në varre murale të gjithë ata persona të cilët kanë më shumë se dhjetë vite që “flenë” në tokë. Projekti i mësipërm, sipas Dedej do të zgjidhte problemin për të paktën 150 vitet e ardhshme. Ky fakt ka qenë problem që prej vitesh. Qytetarë të Tiranës shpesh kanë ngritur shqetësimin e gjetjes së një varri, për të përcjellë siç duhet të afërmit e tyre në banesën e fundit. Kjo problematikë vijon edhe në ditët e sotme, aq sa njerëzit janë të detyruar të ecin mbi varre për të përshkuar një rrugë që të çon tek varri i një të afërmi. Rrethi është ngushtuar deri aty ku nuk mban më, ndërkohë që numri i atyre që vdesin po shtohet nga vitit në vit. Në ditën e fundit të vitit që kaloi rezultojnë plot 3359 persona të vdekur. Këtë e bën të ditur Petrit Dedej, vetëm një prej pronarëve të shumtë në kryeqytet që ofrojnë shërbime funerale. “Në Bashki ne marrim një leje varrimi, në të cilën shënohet një numër përkatës. 31 dhjetori ka shënuar rreth 3400 vdekje.
Më parë kanë qenë më pak”. Një gjë dihet me siguri. Projekti për varrezat murale, që parashikohej të ketë nisur me kohë nuk është deri tani asgjëkund.