English

Rama para mediave me ish-sekretarë të Aleancës Kuqezi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, doli këtë të premte para mediave me ish-sekretarë të Aleancës Kuqezi, tashmë të larguar nga kjo parti, pas zhvillimeve të fundit në këtë forcë politike, veçanërisht pas vendimit të kreut të saj Kreshnik Spahiu për të dalë i vetëm në zgjedhje.

Kryetari i PS, Edi Rama tha: Pata nderin dhe kënaqësinë të pres, pas një kërkese për takim, përfaqësinë e Aleancës Kuq e Zi. Njerëzit, që kanë marrë pjesë në formësimin e një partie që, fatkeqësisht, u shfaq së fundmi në rolin e një force diversion për të çoroditur popullin opozitar në funksion të pushtetit familjar dhe të korruptuar të kryeministrit. Publikisht, dëshiroj t’ju them atë që iu thashë edhe miqësisht në bashkëbisedimin tonë shumë të hapur dhe miqësor se dyert e Partisë Socialiste, dyert e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe dyert e çdo partie brenda kësaj aleance janë të hapura për të gjithë kuqezinjtë idealistë, për të gjithë kuqezinjtë opozitarë, për të gjithë kuqezinjtë që janë investuar në këtë projekt politik me çiltërsinë e qytetarëve të këtij vendi, të lodhur nga politika, të zhgënjyer nga këto vite tranzicioni të stërzgjatur, të paintegruar në forcat politike aktuale, në mënyrë që e gjithë ajo energji patriotike, e gjithë ajo energji e gjeneruar nga ideale dhe ide për një Shqipëri më të mirë, e gjithë ajo energji e derdhur në dy vite për të sjellë në Shqipëri ndryshimin të mos shkojë dëm. Por, përkundrazi të kanalizohet përmes këtij koalicioni të madh të opozitës, përmes Partisë Socialiste, duke qenë të gjithë të bindur se PS është një forcë që në programin e vet, në rrugën e vet, në bindjet e veta përfaqëson interesat kombëtare, përfaqëson aspiratat e kombit shqiptar, përfaqëson ambicien e çdo shqiptari për çka përbënte arsyen madhore të kuqezinjve për t’ju atashuar Aleancës Kuq e Zi.
Dashamir Uruçi: Siç jeni në dijeni, përfaqësojmë një lëvizje të shkëputur tashmë nga strukturat drejtuese qendrore të Partisë Aleanca Kuq e Zi. Në këtë lëvizje bëjnë pjesë drejtues të Sekretariatit qendror të partisë, përfaqësues të departamenteve të AK-së, si dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Gjithashtu, bëjnë pjesë edhe drejtues të strukturave në disa rrethe të vendit. Përpara opinionit publik kemi prezantuar një letër të hapur ku kemi konkretizuar pikëpamjet tona dhe arsyet e largimit nga Aleanca Kuq e Zi. Mospërputhjet tona kanë qenë dhe janë programore, politike, organizative, etike etj. Largimi ka qenë i vetëdijshëm, pas përpjekjeve disa mujore për t’i zgjidhur kontradiktat, mospërputhjet brenda gjirit të partisë, brenda strukturave qendrore të partisë. Bëjmë me dije se Aleanca Kuq e Zi ka sot në krye një lider, i cili e ka monopolizuar 100% aktivitetin politik të partisë. Shumë zhvillime politike, të lidhura me aksionin politik të partisë kanë vulën e vetëm një individi. Prova më e madhe ka qenë dhe dalja e vetme në zgjedhje. Angazhimi apo vendimi i kryetarit Spahiu, për të dalë i vetëm në zgjedhjet e 2013, e them publikisht, nuk është rrjedhojë e konsultave të gjera në parti, e konsultave të gjera brenda sekretariatit të partisë dhe e Këshillit Kombëtar. Ai prezanton në masë të konsiderueshme pëlqimin e tij politik dhe vendimin e tij monopolistik. Largimi ynë nga strukturat ka pasur një përhapje kapilare në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi lidhje me anëtarësinë të partisë, kemi lidhje të fuqishme me anëtarët e departamenteve dhe të gjithë i kemi ftuar që të përkrahin opozitën shqiptare. Sepse jemi të vetëdijshëm që Shqipëria ka nevojë për një rrotacion politik, i cili është tashmë domosdoshmëri. Ne duhet të përkrahim opozitën shqiptare sepse shqiptarët kanë nevojë për ndryshim. Sepse shqiptarët e presin me ëndje të madhe rrotacionin politik shqiptar.
Kryetari i PS, Edi Rama: Duke i falënderuar edhe njëherë të gjithë miqtë e sotëm të selisë “mavi” (qesh), dëshiroj të përsëris edhe njëherë tjetër apelin tim, apelin e Partisë Socialiste për çdo kuq e zi në të gjithë Shqipërinë, që me Aleancën Kuq e Zi ka aderuar, si këta burra dhe këto gra e vajza, me një vizion dhe me ideale, të cilat sot, fatkeqësisht, logoja e AK nuk i përfaqëson më. Përkundrazi, logoja e Aleancës Kuq e Zi ndërtuar mbi energjinë opozitare dhe idealet dhe idetë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, është kthyer në një diversion për të çoroditur popullin opozitar. Në një diversion që nuk ka asgjë të ndryshme nga diversionet që organizojnë diktaturat e korrupsionit në prag të largimit të tyre kur betejën zgjedhore e kanë të pamundur për ta fituar dhe kur pushtetin e mbajtur me dhunë e korrupsion, e kanë të pamundur për ta mbajtur më tutje.
Partia Socialiste është shtëpia që mikëpret çdo opozitar, çdo qytetar. Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane është një aleancë prej shumë partish, por është njëkohësisht dhe aleanca me çdo qytetar të këtij vendi, me çdo grupim, me çdo shoqatë, me çdo organizatë, me çdo grup interesi, që dëshiron të njëjtën gjë që ne të gjithë dëshirojmë; Një Shqipëri europiane. Zonjat dhe zotërinjtë e nderuar që sot na vizituan në Selinë e Partisë Socialiste përfaqësojnë, pikërisht, vullnetin tonë për të zgjeruar këtë aleancë deri edhe me individin më të fundit që kërkon të bashkohet, që kërkon t’ia bashkojë fuqitë e tij një fuqie të madhe siç është fuqia e opozitës për të garantuar rrotacionin, ndryshimin dhe për të krijuar kushtet për një Rilindje Shqiptare.

KOMENTE