Njoftim i policisë së shtetit - Në vijimësi të operacioneve shumë të suksesshme të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë, ditën e djeshme nga Strukturat Kundër Krimit të Organizuar falë hetimeve prej mëse 1 viti në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “LAGUNA “ ku si rezultat i të cilit u shkatërrua një grup kriminal me tendencë trafikimin e narkotikëve, anëtarë të të cilit ishin shtetasit:
Bexhet Selam Alliaj, vjec 43, lindur në fshatin Romës dhe banues në Vlorë, i arrestuar disa herë për disa krime të rënda;
Dritant Marko Kaçani, vjec 42 lindur ne Fier dhe banues në Zvërnec;
Shpëtim Novrus Shehu, vjec 22 banues në fshatin Zvernec të Rrethit Vlorë
Ndalimi i këtyre shtetasve u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në harkun kohor të një viti ka rezultuar se këta persona kanë qënë të përfshirë drejtpërsëdrejti në një aktivitet kriminal me tendencë trafikimin e narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në disa raste këta shtetas kanë tentuar të trafikojnë sasi të mëdha marijuane në drejtim të Italisë të cilat janë kapur dhe sekuestruar nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë.
Më konkretisht shtetasit e mësipërm janë përgjegjës :
1. Për sasinë prej 600 kg marijuanë e sekuestruar në fshatin zvërnec në kuadër të operacionit “EKLIPSI”, më datë 16.06.2012 ku u sekuestruan edhe 2 mjete lundruese si dhe u arrestua shtetasi Novrus Shehu.
2. Për sasinë prej 1 ton marijuanë të sekuestruar në kuadër të operacionit “KARABURUNI” më datë 10.08.2012
3. Për sasinë prej 17 kg marijuanë i sekuestruar në kuadër të operacionit “VACANZE 1”, 18.08.2012 ku u arrestua shtetasi Marlen Gutici;
4. për sasinë prej 14 kg marijuanë të sekuestruara në Portin Vlorë në kuadër të Operacionit “VACANZE 2”, më datë 18.08.2012 ku u arrestua shtetasi Armir Nushi;
Gjithashtu nga informacionet e sakta të dhëna autoriteteve ligjzbatuese në Itali këtij grupi i janë sekuestruar edhe 4 ngarkesa të tjera me sasi të konsiderueshme marijuane. Në total sasia e marijuanës së sekuestruar në Shqipëri dhe Itali, në treg do të kishte një vlerë prej rreth 10 milion euro.
Dokumentimi i aktivitetit të këtij grupi kriminal u krye falë përdorimit të të gjitha llojeve të metodave të hetimit.
Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim me Departamentin Kundër Krimit të Oraganizuar dhe Krimet e Rënda Tiranë, Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë dhe autoritetet ndërkombëtare ligjzbatuese është e vendosur të luftojë me gjithë forcën e ligjit dhe të vëndosë përpara përgjegjësisë të gjitha grupet kriminale të narkotrafikut.