Kryeministri Berisha përshëndeti dje 100 vjetorin e emetimit dhe vënies në qarkullim të pullës së parë postare,shqiptare, e cila e nisi rrugëtimin e saj 6 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 5 maj 1913. “Ky moment ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë, një përpjekje e ndershme dhe serioze e Ismail Qemalit dhe eterve të pavarësisë së vendit për të konsoliduar shtetin shqiptar.” iu drejtua kryeministri të pranishmëve në aktivitetin e organizuar nga Posta Shqiptare, në mjediset e Muzeut Kombëtar, ku merrnin drejtues dhe punonjës të saj, si dhe të Postave në Kosovë e Maqedoni, filatelistë, miq të pullës shqiptare dhe të ftuar të tjerë.
“Në 100 vite pulla postare ka qenë një pasqyre dhe pse jo një zëdhënëse shkëlqyer e të gjitha fushave të jetës së këtij kombi dhe zhvillimeve të këtij vendi.” vlerësoi kryeministri misionin e saj, si një mishëruese e trashëgimisë dhe pasurisë së madhe kulturore të kombit shqiptar, si dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përjetuar shqiptarët, në këtë shekull.
Kryeministri u shpreh me mirënjohje për Postën Shqiptare, e cila me drejtimin eficent të saj, përkushtimin e punonjësve, si dhe mbështetjen e pakursyer nga qeveria, u ofron qytetarëve shqiptarë një prej shërbimeve më të mira, më serioze dhe më moderne që ekziston sot. “Posta dixhitale shqiptare është rezultat i një platforme politike, e cila shpalli pak vite më parë Shqipërinë dixhitale si objektivin e saj më madhor. Ajo vetë u bë promotor i zhvillimit të shqipërisë dixhitale”, konkludoi kryeministri.
Gjatë eventit, Drejtori i Postës Shqiptare, zoti Arqile Goreja, në emër të stafit të Postës dhe në shenjë respekti për kontributin e dhënë në zhvillimin e postës shqiptare, i dhuroi Kryeministrit Berisha, pullën e parë shqiptare në kornizë, me dedikimin “Në shenjë mirënjohje dhe respekti, Kryeministrit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, Kryeministrit të 100 vjetorit të Postës shqiptare dhe të pullës shqiptare.”
Gjithashtu, kryeministri i dhuroi mbesës së ministrit të parë shqiptar të postave, në qeverinë e Ismail Qemalit, zotit Lekë Nosi, një medalje mirënjohje dhënë nga Posta Shqiptare, duke u shprehur: “Unë kam nder të madh që pasardhëses të familjes së shquar, pasardhëses të njërit prej personaliteteve të shquara të historisë, një intelektuali të mirënjohur, ministrit të parë të postës dhe komunikacionit Lekë Nosi, ti dorëzoj mirënjohjen e madhe të Postës shqiptare për veprën e pavdekshme të tij.”
Më pas, kryeministri dhe të gjithë pjesëmarrësit vizituan ekspozitën “100 vjet pullë postare shqiptare”, ku ishin të ekspozuara pullat më me vlerë të Postës Shqiptare si dhe koleksionet më te çmuara te filatelistëve të njohur të vendit nga Shkodra, Korça dhe Tirana.