English

Berisha homazhe në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Selman Lena

Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Selman Lena, i cili humbi dje jetën në krye të detyrës.

Kryeministri Berisha shprehu ngushëllimet familjarëve të inspektorit Lena, kolegëve të tij, ndërsa ripohoi mbështetjen e fuqishme të qeverisë ndaj Policisë së Shtetit, në përmbushjen e misionit të saj. Kryeministri i uroi shërim efektivit tjetër të Policisë së Shtetit Preng Lleshi, i cili mbeti i plagosur nga ky akt.

Në mesazhin e tij pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh:

“U shpreh ngushëllimet e mia, dhimbjen, pikëllimin, për rënien në krye të detyrës të Selman Lenës, këtij inspektori të shkëlqyer të efektivave tona të rendit, këtij prindi shembullor, qytetari të mrekullueshëm e biri të shquar të një familjeje, por edhe të vendi. Lutem sëbashku me ta që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar. Sikundër kam besimin më të madh se ligji do të japë përgjigjen e merituar ndaj këtij akti kriminal.

Unë gjithashtu uroj që shoku i tij, instruktori i policisë Preng Lleshi, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë, të përmirësohet e shërohet. Shpreh në emër të qeverisë, mbështetjen më të fuqishme ndaj efektivave të Policisë së Shtetit, shpreh besimin tim të madh se asgjë nuk do t’i përkulë ata, në përmbushje e detyrimeve dhe të misionit të tyre të madh ligjor. Edhe një herë ngushëllime!”

Inspektori Selman Lena ishte efektiv i Policisë së Shtetit që prej vitit 1996. Në krye të detyrës u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak, efektivi i Policisë së Shtetit Preng Lleshi.

KOMENTE