English

Nishani uron besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve

Me rastin e festës së Pashkëve Presidenti Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë. Ne mesazhin e tij thuhet:

“Të dashur besimtarë kristianë-ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodheni,

Është ndjesi dhe kënaqësi nga më të veçantat dhe më të rrallat për mua, si njeri, si qytetar, si President, t’ju uroj juve Pashkët. Jo çdo President ka privilegjin, nderin, rastin, sigurisht dhe fatin, si dhe padyshim kënaqësinë, të urojë eventet rituale të disa besimeve. Presidenti i Shqipërisë është nga të rrallët që e ka këtë privilegj.

Shqipëria është një vend i vogël me disa besime. Diçka e rrallë dhe e veçantë kjo që, nga pikëpamja e mësipërme, mua si President i Shqipërisë, më vë në një pozitë fatlume.

Lejomëni të dashur besimtarë kristianë-ortodoksë, t’ju them shumë sinqerisht dhe shumë dashamirësisht se ushqej ndaj jush një simpati, një respekt dhe një stimë individuale të veçantë. Për një numër arsyesh. Së pari për marrëdhënien e ngushtë bashkëpunuese mes besimit tuaj, kishës suaj, përfaqësuesve të saj, besimtarëve dhe Rilindjes sonë Kombëtare.

Kanë qenë, janë dhe do të mbeten përgjithmonë të pashlyeshme nga kujtesa jonë kombëtare lodhjet dhe sakrificat e pafundme që të parët tuaj mëmëdhetarë, me pushkë e me penë, bënë për çështjen kombëtare shqiptare gjatë shumë e shumë viteve brenda e jashtë Shqipërisë.

Të dashur e të nderuar besimtarë kristianë-ortodoksë,

Kemi bërë goxha rrugë. Ku ishim e ku jemi, vetëm të kujtosh shkatërrimin e përbindshëm të ndërtesave të kultit, martirizimin e priftërinjve, tmerrin e besimtarëve, se po të zbulonin dikë që kishte zier dhe ngjyrosur vezë për Pashkë, mund ta internonin ose burgosnin, të ngjethet mishi. Por, le të gëzojmë dhe urojmë njëri-tjetrin në këtë ditë gëzimi.

Pas pak kemi zgjedhjet parlamentare. Ftoj me këtë rast, ju dhe komunitetet e tjera besimtare, në një bashkëpunim sa më të frytshëm me institucionet në të mirë të zhvillimit të qetë të zgjedhjeve.

Me shumë respekt, ju përshëndes edhe një herë të gjithëve!”

KOMENTE