Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të kësaj partie, së bashku me drejtuesit e partive që bëjnë pjesë në Aleancën për Shqipërinë Europiane kanë nderuar sot kujtimin e të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Ditën e Dëshmorëve kreu i PS ka kryer homazhe në varrezat e dëshmorëve ku janë vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Më pas në një ceremoni përkujtimore kryesocialisti Rama ka mbajtur edhe fjalën e rastit ku është shprehur:
“Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhtuara. E idealeve të tradhtuara nga ata që sot e sundojnë Shqipërinë, si shëmbëlltyra të një tradhtie të dyfishtë, të tradhtisë ndaj atyre ëndrrave dhe shpresave që i vendosën shqiptarët krah për krah me të gjitha forcat e mëdha çlirimtare të botës kundër murtajës naziste. Dhe po ashtu idealeve, ëndrrave dhe shpresave të tradhtuara të atyre që i nxorën shqiptarët në rrugë në dhjetor të vitit 1990 për t’u ndarë nga një regjim që ëndrrat dhe shpresat e heronjve, e dëshmorëve, e luftëtarëve të nacional çlirimtares i ktheu në një ferrë tokësor.
Sot në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, çdo qytetar i këtij vendi gjendet përpara një zgjedhjeje shumë të qartë. Është një zgjedhje po aq e qartë saç ishte ajo e vitit 1992, për t’u pozicionuar me rrënimin e mëtejshëm apo me hapjen e një perspektive të re, ku Shqipëria të rilindë. Për t’u pozicionuar me tradhtinë ndaj idealeve, ëndrrave dhe shpresave të luftës nacional – çlirimtare, por dhe të lëvizjes së dhjetorit, apo me ëndrrat dhe shpresat e çdo njeriu dhe çdo familje të zakonshme të këtij vendi që meriton të jetojë në këtë vend me dinjitetin dhe me perspektivën për të cilën luftuan, u vranë, u plagosën apo sakrifikuan një jetë të tërë ata që i dhanë Shqipërisë faqen e lavdishme të Luftës Nacional – Çlirimtare, për të cilën u rreshtuan kundër regjimit komunist studentët, pedagogët, intelektualët, populli i tërë në vitin 1990, por që sot e gjithë ditën mbeten ëndrra dhe shpresa që na takon ne socialistëve dhe progresistëve që t’i çojmë në rrugën e realizimit.
Ky 5 maj është i rëndësishëm edhe për një fakt shumë kuptimplotë, sepse është një 5 maj ku jemi përsëri që të gjithë bashkë, të gjithë socialistët, të gjithë progresistët dhe ende më shumë se kaq, të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar, që në shumicë dërrmuese kërkon kthimin e të drejtës natyrale për ta qeverisur Shqipërinë falë faktit që është shumicë dhe si shumicë duhet të vendosë për fatet e veta. Sot ne këtu në këtë 5 maj jemi krenarë që kapërcyem mbi të shkuarën që na ndante dhe u bashkuam për të shkuarën që na bashkon. Për të shkuarën e atyre idealeve që i dhanë jetë gjithë lëvizjes së madhe socialiste dhe progresiste pas vitit ’90 për të shkuarën e atyre arritjeve të pamohueshme të kësaj familje të madhe politike që do të ndjehet gjithmonë krenare pse në 22 vjet pluralizëm sa herë ju paraqit mundësia për t’i udhëhequr shqiptarët i udhëhoqi në anën e duhur të historisë. I udhëhoqi në anën e duhur të historisë, kur e bëri Shqipërinë fuqinë e madhe mikpritëse, por edhe mbështetëse për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
E pra ne sot jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se e shkuara është një thesar i madh. Është një thesar i madh me të gjitha burimet e frymëzimit për të ardhmen, po është një thesar i madh edhe për të nxjerrë mësimet e duhura. Ne sot jemi krenarë sepse kemi nxjerrë të gjitha mësimet e duhura dhe jemi përpara shqiptarëve me zemrën e hapur, me dorën e shtrirë dhe me përulësinë e njerëzve që nuk janë të pagabueshëm, por që janë krah për krah të vendosur që t’i japin këtij vendi dinjitetin që meriton, që t’i japin këtij populli perspektivën që meriton, që të hapin rrugën e punësimit real për t’i dhënë fund rritjes së përditshme të papunësisë. Që të mbështesin të gjithë ata që duan të jetojnë me punën e tyre të ndershme, duke u vetëpunësuar në një biznes të vogël, apo duke bërë një sipërmarrje të madhe, duke mbyllur rrugën e një grushti njerëzisht që janë bërë barrikadë lirisë së konkurrencës dhe që e kanë bërë të pamundur mbijetesën përmes meritës.
Ne jemi këtu krenarë për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë. Një alternativë që është alternativa e gjithë forcave të majta, të qendrës dhe e gjithë atyre forcave të djathta që vijnë jo nga radhët e spiunëve, por nga radhët e atyre që u përndoqën dhe që u dogjën dy herë. U dogjën në regjimin komunist, u dogjën në regjimin e një partie që lindi nga ëndrrat dhe shpresat dhe u kthye në një parti familjare për ta kthyer pushtetin e shqiptarëve në një pushtet familjar dhe për ta bërë shtetin e shqiptarëve në një paradhomë të kësaj force që tanimë ne duhet ta mbështesim që të rilindë duke e çuar në opozitë. Duke e çuar në opozitë me një votë plebishitare që në 23 qershor do të konfirmojë vullnetin e shqiptarëve për të mos u zmbrapsur, për të mos u gjunjëzuar, për të mos u dorëzuar përpara mundësisë dhe besimit se të gjitha ëndrrat dhe shpresat që frymëzuan luftën nacional – çlirimtare, të gjitha ëndrrat dhe shpresat që frymëzuan lëvizjen e dhjetorit, të gjithë ëndrrat dhe shpresat që frymëzojnë çdo shqiptar që kërkon në rrugën e punës së ndershme të arrijë aty ku dëshiron jo vetëm që nuk janë mbytur në batakun që ka hapur mes nesh dhe Europës kjo qeveri, po përkundrazi janë aty të gatshme për të marrë rrugën pasi populli me votë t’i hapë rrugën në 23 qershor duke votuar Aleancën për Shqipërinë Europiane. Duke votuar të gjitha forcat e kësaj aleance, duke votuar për të pasur nesër qeverinë e shumicës legjitime të popullit shqiptar.”