English

Alba Shoes”, në Vlorë, një linjë e standardeve bashkëkohore e prodhimit të këpucëve

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në inaugurimin e fabrikës “Alba Shoes”, në Vlorë, një linjë e standardeve bashkëkohore e prodhimit të këpucëve, investim tërësisht shqiptar me vlerë 3.5 milionë euro. Aktualisht në të punojnë 800 punëtorë, por kapaciteti është deri në 1400 punëtorë.

Kjo fabrikë është një ndër tre investimet e suksesshme në sipërmarrjen fasioniste të kompanisë “Alba Shoes” në prodhimin e këpucëve, krahas fabrikës në Laç, me eksperiencë 20 vjeçare dhe që udhëheq në prodhimin e këpucëve të punës, e certifikuar nga Komuniteti europian, ku 90 përqind e klientëve të saj janë në Europë, me 600 punëtorë dhe kapacitet për 1000 punonjës, si dhe fabrikës në Kamëz (Tiranë), ku punojnë 250 punëtorë dhe aktualisht po punohet për zgjerimin e ambienteve të punës dhe shtimin e fuqisë punëtore.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim të rëndësishëm jo vetëm për Vlorën, me kontribut të konsiderueshëm në rritjen e punësimit në vend, ndërsa theksoi se synimi i qeverisë është të shohë me lupë çdo segment të veprimtarisë sipërmarrëse, për ta lehtësuar gjithnjë e më shumë. “Ne besojmë se krijimi i klimës miqësore për biznesin është rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës dhe punësimin,” – u shpreh Kryeministri, duke garantuar për vazhdimin e politikës së taksave të ulëta dhe masave lehtësuese fiskale për biznesin.

Kryeministri theksoi se alternativa e taksave të larta është si “re e zezë në qiellin e biznesit shqiptar”. “Ata që premtojnë taksa të larta, - tha Kryeministri - premtojnë mbyllje të fabrikave, premtojnë largimin e investitorëve, premtojnë rënie të investimeve, premtojnë rrënim të vendeve të punës.”

Kryeministri i bëri edhe një herë thirrje opozitës për të votuar në parlament tre ligjet, kusht për marrjen e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, pasi duke vepruar në këtë mënyrë, theksoi Kryeministri, nuk dëmton qeverisë, sikurse beson, por shqiptarët.

KOMENTE