English

Rama vizitë pune në Danimarkë. Qëllimi i takimit integrimi i Shqipërisë në Europë

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e lira e të ndershme si parakusht themelor për këtë integrim kanë qenë argumentet kryesore për të cilat është diskutuar në takimin midis kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryeministres së Mbretërisë së Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, të zhvilluar dje në Kopenhagen. Kreu i PS, i shoqëruar nga deputetët Ermonela Felaj dhe Ditmir Bushati është duke zhvilluar një vizitë pune në Danimarkë ku takimi kryesor ka qenë ai me kryeministren ë këtij vendi. Në këtë takim është diskutuar lidhur me domosdoshmërinë e Integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane, një integrim që sipas kryesocialistit Rama nuk mund të vijë në mënyrë mekanike thjesht duke miratuar ligje të cilat më pas postohen drejt Brukselit, por duke kryer reformat e duhura, duke zbatuar legjislacionin dhe duke i dhënë qeverisjes standardet demokratike evropiane për të cilat ka aq shumë nevojë populli shqiptar. Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat Partia Socialiste ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm, por që nuk ka gjetur të njëjtin reflektim edhe nga ana e qeverisë.
Po ashtu në takimin mes kryesocialistit dhe kryeministres daneze është diskutuar për pozicionin e Shqipërisë në rajon dhe projektin e PS të detajuar në Programin për një Rilindje Shqiptare për të forcuar bashkëpunim rajonal në kuadër të integrimit në BE, larg retorikave nacionaliste që nuk ndihmojnë asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor dhe as të ardhmen e këtij rajoni.
Pas takimi Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës Helle Thorning-Schmidt dhe Kryetari i PS Edi Rama dhanë prononcimet e mëposhtme për mediat:

Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt: “Patëm një takim shumë të mirë me liderin e opozitës Edi Rama, në të cilin diskutuam për situatën në Shqipëri dhe sigurisht diskutuam për çështjet integruese të Shqipërisë. Kur diskutohet mbi këtë temë gjithnjë diskutohet për zbatimin e ligjit, demokracinë dhe lideri i opozitës më dha një pamje të qartë të brendshme të situatës në Shqipëri pak muaj para zgjedhjeve.”

Kryetari i PS, Edi Rama: “Ishte një takim i shkëlqyer mes miqsh dhe partnerësh brenda familjes së socialistëve europianë dhe ishte një mundësi shumë e mirë për të dhënë një pamje të situatës në Shqipëri në prag të zgjedhjeve. Njëkohësisht për të krijuar një ide të parë dhe të përgjithshme për Programin tonë të Rilindjes në funksion të një bashkëpunimi me Danimarkën, që ne duam ta shtrijmë më tutje dhe ta forcojmë për të përfituar sa më shumë nga eksperienca, nga dijet dhe nga mbështetja që i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”

KOMENTE