English

Komunat Komsi dhe Gurrë me ujësjellës bashkohor

Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e komunave Komsi dhe Gurrë, të rrethit të Matit, investim me vlerë 116 milionë lekë

“Ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën tuaj.” iu premtoi kryeministri Berisha banorëve të komunës Komsi në rrethin e Matit, mes të cilëve ishte për të inauguruar ujësjellësin e komunave Komsi dhe Gurrë, të këtij rrethi, një investim me vlerë 116 milionë lekë, financuar nga KFW dhe qeveria shqiptare.

Ujësjellësi, i projektuar me standardet më të mira dhe për ndërtimin e të cilit janë shfrytëzuar dy burime uji me dy rezervuare me kapacitet 75 m3 secili, furnizon me ujë 24 orë 2000 banorë të fshatrave Frankth, Batër e madhe dhe Batër e vogël, në komunën Komsi. Ndërtimi i tij është pjesë e programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” në 50 fshatra, në qarqet Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së rreth 40.000 banorëve.

Kryeministri u zotua se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo qytetar shqiptar, pavarësisht se ku jeton, në fshat apo në qytet, të ndihet qytetar i një vendi të zhvilluar, për sa i përket infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, e çdo shërbimi tjetër.

“Le ta shndërrojmë ne Matin, le ta shndërrojmë ne Shqipërinë në një kopsht të vërtet nga më të bukurat në Evropë.”, u shpreh kryeministri teksa ftoi banorët e zonës të mbjellin sa më shumë drurë frutorë dhe të shfrytëzojnë çdo pëllëmbë tokë në të mirë të tyre. “Ne do të financojmë, do të trefishojmë grantet për projektet tuaja në frutikulturë, sera dhe të gjithë veprimtarinë tuaj si fermerë.”, vijoi më tej kryeministri, duke shprehur edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur çdo projekt që do të përmirësojë jetën e banorëve.

KOMENTE