English

Qeveria ndryshon ligjin për programet sociale për strehimin e banorëve

Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave vendosi koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave. Në shkallë republike për vitin 2013, ajo do të jetë 37 806 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Qeveria ka përcaktuar gjithashtu edhe koston në qytete të ndryshme. Për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, të merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt.

Me një vendim të veçantë qeveria ka ndryshuar ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave duke miratuar koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë Republike. Sipas vendimit, kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave ndryshon sipas qyteteve, por vlera nuk do të kaloje mesataren e përcaktuar në vendim. Sipas legjislacionit në fuqi, programet sociale të strehimit klasifikohen si më poshtë: Së pari, banesat, që ndërtohen apo blihen nga tregu i lirë nga bashkitë ose organizatat jofitimprurëse, të cilat jepen me kontrate qiraje sociale dhe banesat ekzistuese, në pronësi te personave fizike ose juridike, që janë klasifikuar nga organet e qeverisjes vendore apo nga organizatat jofitimprurëse si banesa sociale, të cilat mund të jepen me qira për familjet që përfitojnë bonus strehimi. Së dyti, ligji parashikon edhe objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes se një veprimtarie, të cilat kane kaluar ne pronësi te bashkive dhe janë miratuar për t'u kaluar ne fond banesash sociale me qira, në përputhje me planin rregullues urbanistik.

Familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët kanë të drejtën e marrjes se një kredie hipotekare me kushte lehtësuese nga një institucion financiar që ka lidhur kontratë me Ministrinë e Financave për menaxhimin e kredive. Kushtet e dhënies nga banka të kredisë për familjet përcaktohen me marrëveshje të përbashkët te Ministrit te Financave, ministrit që mbulon fushën e strehimit dhe institucionit që jep dhe menaxhon kredinë. Sipas ligjit, ndihma e shtetit jepet në formën e subvencionimit të interesave të kredisë për ato familje që nuk plotësojnë të ardhurat për të mbuluar koston e kredisë. Masa e subvencionimit të interesave të kredisë jepet sipas aftësisë paguese të familjes dhe përcaktohet nga Ministri i Financave, në bashkëpunim me ministrin që mbulon fushën e strehimit. Masa e subvencionit që rezulton në fund të periudhës së maturimit të kredisë, nuk duhet të kalojë më shumë se 100 për qind të vlerës se banesës. Ne rast se nga llogaritjet rezulton një subvencion më i madh për përballimin e kësteve te kredisë, familja përzgjidhet për t'u trajtuar me banesë sociale me qira ose me truall të pajisur me infrastrukturë, ku familja mund të ndërtojë vetë banesën.

Kriteret për të përfituar

1. Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar;

2. Familjet njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë;

3. Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror;

4. Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare;

5. Familjet me shumë fëmijë;

6. Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç;

7. Familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi;

8. Individët me statusin e jetimit qe nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Bonusi për strehim

Nëse në bashkinë A, niveli minimal i qirasë është 12 000 lekë në muaj për një apartament me strukture 2 + 1 dhe familja paguan një qira prej 20 000 lekësh në muaj, ndërsa te ardhurat e familjes janë 35 000 lekë në muaj, vlera e bonusit për këtë familje do te jetë: Ç=14000 - 35000 x 0,3 = 3500 lekë. Vlera maksimale e bonusit është: Ç<6 000 lekë. Në këtë rast vlera e bonusit do te jete 3 500 lekë, ndërsa familja duhet të paguajë vet diferencën prej 10500 lekesh, midis vlerës se qirasë prej 14000 lekësh dhe vlerës se bonusit. Për të jetuar familjes i ngelen 24 500 lekë në muaj. Nëse pas llogaritjeve rezulton se ajo që i ngelet familjes për të jetuar pasi ka paguar diferencën që i takon nga llogaritjet e mësipërme për qiranë, rezulton më e vogël se masa e ndihmës ekonomike të plotë, vlera e bonusit rillogaritet për të mos lejuar familjen të bjerë poshtë masës së ndihmës ekonomike të plotë. Kjo rillogaritje bëhet duke mbajtur parasysh kufirin maksimal të vlerës se bonusit/O.Manjani.

KOMENTE