English

Berisha inauguron rrugën Kukës – Shishtavec, loti II

Kryeministri Berisha po zhvilloi dje një vizitë pune në qarkun e Kukësit, ku fillimisht mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të lotit II të rrugës Kukës – Shishtavec. Rruga, një investim me vlerë 1.2 miliardë lekë, u lehtëson lëvizjen 15 000 banorëve në komunat Zapod, Topojan dhe Shishtavec. Gjithashtu, kjo është lidhja e vetme për 19 fshatrat e këtyre komunave me rrugën nacionale, me qytetin e Kukësit, si edhe me rrugën e kombit për t’u lidhur më tej me Kosovën. Së shpejti do të tenderohet edhe loti III i kësaj rruge, nga Ura e Zapodit – Shishtavec – Dogana e Shishtavecit.
Kjo rrugë, e ndërtuar me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, i shërben edhe zhvillimit të turizmit në këtë zonë, pasi nëpërmjet saj bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shishtavecit do të jenë të prekshme për të gjithë vizitorët e turistët.

Në këto vite në qarkun Kukësit, në Has dhe në Tropojë janë bërë investime të shumta për zhvillimin ekonomiko-social. Më konkretisht, janë ndërtuar mbi 570 kilometër rrugë, prej nga të cilat 395 kilometër rrugë kombëtare, 115 kilometër rrugë rajonale nga FSHZH, 160 kilometër rrugë lokale. Gjithashtu, janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 61 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 43 ujësjellës e sisteme kanalizimesh. Në këtë qark janë subvencionuar 1570 fermerë në 700 hektarë, në kultivimin e arrave, bajameve, lajthive, drurëve frutorë. Në bujqësi janë investuar 500 milionë lekë në ujitje dhe kullim tokash. Gjithashtu, janë investuar 80 milionë euro në rehabilitimin e HEC- ve dhe po ndërtohen dhjetëra HEC-e të vegjël.

Investimet në rrjetin e infrastrukturës dhe shërbimeve në qarkun e Kukësit kanë ndikuar edhe në punësim për qytetarët, pasi janë shtuar 540 subjekte. Tashmë numri bizneseve dhe i të punësuarve është 2.5 herë më i lartë. Në vitin 2013 janë 720 subjekte nga 280 subjekte që kanë qenë në vitin 2005. Gjithashtu, janë rritur sipërfaqet e mbjella në bujqësi. Sipërfaqja e punuar ka arritur 11 200 hektarë. Nga subvencionet janë mbjellë 200 hektarë me arrorë, dru frutorë e vreshtari. Gjithashtu, kanë përfituar 960 fermerë dhe blegtorë. Në nivel qarku janë më shumë se 11.275 ferma. Po ashtu është rritur shfrytëzimi i mineraleve me 35 subjekte, të cilat kanë të punësuar 150 persona. Gjatë këtyre viteve, investimet që janë bërë në infrastrukturë, kanë ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit në këtë zonë, pasi është rritur numri i turistëve për turizmin malor, atë ndërkufitar dhe sportet dimërore. Është ndërtuar stadiumi i ri, këndi i lojërave me dorë, është rikonstruktuar Pallati Kulturës dhe Muzeu.

Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorët e kësaj zone, ku prej 35 vjetësh nuk ishte kryer asnjë investim. Ata shprehën mirënjohje për praninë e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni, ndërsa kryetari i komunës theksoi se “Ju, zoti Berisha, jeni kryeministri i parë që shkelni në këto troje”. “Ne, - vijoi më tej ai, - jemi shumë të kënaqur, sepse në komunën Zapod, e cila ka qenë komuna më e varfër në Shqipëri, kemi marrë fonde dhe janë ndërtuar tri shkolla, u ndërtua rruga, është hartuar projekti për ujësjellësin, është ndërtuar dhe qendra shëndetësore”.

Sherif Abedini, banor i kësaj komune, tha se kjo rrugë është një shans shumë i madh për punësim, për biznes dhe për afrim me qytetin. “Ne rruga na shkonte 1 orë e 30 minuta, tani ka arritur në 20 minuta. Ju falënderojmë Kryeministër Berisha për këtë mrekulli që na keni falur”, tha zoti Sherif Abedini.

Kryeministri Berisha u shpreh se, krahas shumë të mirave të tjera, ndërtimi i kësaj rruge do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit malor në këto zona. “Rruga është vetëm përpjekja jonë e parë drejt këtyre maleve. Rruga që po shkon, aeroporti ngjitur me të, përcaktojnë një të ardhme të ndritur turistike, të jashtëzakonshme për malet, për Shishtavecin, për bjeshkët e tij dhe male të tjera”, tha Kryeministri.

Më tej, pasi renditi disa nga reformat ndërmarra dhe të realizuara nga qeveria në këto tetë vite, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të ecur drejt mandatit të ri, si dhe u zotua se “çdo votë do të shndërrohet në rrugë, çdo mbështetje do të shndërrohet në autostrada dhe në shkolla të reja, në kopshte, në subvencione të mëdha për fermerët, në biznese, në lehtësim të klimës së biznesit, do të shndërrohet në hapa të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian, do të shndërrohet në hapa drejt shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”

KOMENTE