English

Pavioni i Hemodinamikës dhe Reanimacionit të Kardiologjisë Tiranë, me aparatura moderne

Kryeministri Berisha vizitoi dje në mesditë pavionin e Hemodinamikës dhe Reanimacionit të Kardiologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë. Ky pavion është i pajisur me aparatura tepër të avancuara dhe moderne, me vlerë 2.5 milionë dollarë.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe angazhimin e stafit të mjekëve, të cilët me anë të aparaturave dhe disa teknikave bëjnë ndërhyrje të mrekullueshme dhe evitojnë shumë kirurgjinë e hapur. “Del si detyrë, - tha Kryeministri, - të nisim mjekë për specializim, për një periudhë 3 vjeçare, në spitalet më të mira të Evropës ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikundër, i kërkova edhe ministrit që të shqyrtojë mundësitë që të marrim edhe visiting Profesorë për 2-3 vjet, të cilët kanë anën tjetër pozitive, sepse formojnë një ekip të tërë”.

Pas kësaj vizite, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:

Në një moment pauze nga fushata elektorale, shfrytëzova kohën për tu bërë një vizitë miqve të mi të dikurshëm. Mund t’ju them se qendrën në të cilën kam punuar për shumë vite, nuk e njoha më. Në të janë aparaturat dhe praktikat më moderne të mjekimit. Këto janë aparatura, për ndonjë prej të cilave as nuk kam lexuar. Kaq të avancuara janë. Krahasuar vetëm me pak vite me parë, tani është një vëllim pune 6-7 herë më i madh. Një ekip i shkëlqyer i drejtuar nga Prof. Artan Goda, me shumë mjeke dhe mjekë të rinj, të cilët përballojnë një ngarkesë pune të jashtëzakonshme, në një sintoni të madhe me kardiokirurgjinë.

Më bëri përshtypje dhe Prof. Goda më tha se në një fushë të caktuar kardiokirurgjia është më e avancuar. Se këta nuk janë kardiokirurgji, por edhe këta me ballona dhe me disa teknika bëjnë ndërhyrje të mrekullueshme dhe evitojnë shumë kirurgjinë e hapur. Dhe del si detyrë të nisim mjekë për specializim, për një periudhë 3 vjeçare, në spitalet më të mira të Evropës ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikundër, i kërkova edhe ministrit që të shqyrtojë mundësitë që të marrim edhe visiting Profesorë për 2-3 vjet, të cilët kanë anën tjetër pozitive, sepse formojnë një ekip të tërë.

Me kënaqësinë më të madhe konstatoj se gjeta një qendër që unë, përveç Artanit dhe disa bashkëpunëtorëve të mi të vjetër, nuk e njoha dot më. Kaq e bukur ishte.

Zoti Kryeministër, çfarë do të bëhet me kirurgjinë e vjetër?

Kryeministri Berisha: Kirurgjia e vjetër, në rast se qeveria do të gjejë fonde dhe shpresoj të gjejë, pasi nuk mund të them se është imediate, aty do të ndërtojmë korpusin më të bukur spitalor të Shqipërisë. Ajo sërish kirurgji do të jetë.

Ne jemi në negociata me një linjë që është partneritet publik-privat dhe kërkon: së pari, një projekt më modern; së dyti, fondi disponibël; së treti, kompania që do ta ndërtojë. Pastaj do të përcaktohet një afat 15 apo 18 mujor, në mënyrë që aty të ngrihet një spital kirurgjikal madhështor, nga me modernët që ekziston.

Natyrisht, nuk mund të përcaktojë çështje kohe. Nuk mund të them që është fare i afërt, imediat. Mund të them se është fat që i tërë ky territor është territor spitalor dhe në këtë territor mund të bëhen ndërhyrje për të përmirësuar cilësinë e spitaleve. Tirana ka një shans të madh me këtë territor. Le të nderojmë ne ata që e ndërtuan këtë spital dhe Prof. Osman Jonuzin, një nga themeluesit e tij. Kanë zgjedhur një vend të shkëlqyer dhe ky është një spital i shkëlqyer.

KOMENTE