Kryetari i PS, Edi Rama ka marrë pjesë në ceremonitë e zhvilluara nga Bashkia e Vlorës me rastin e çeljes së sezonit të ri turistik. Kryetari Rama ka përshkruar në këmbë bulevardin Vlorë-Skelë duke takuar dhe përshëndetur banorë të Vlorës, të cilët i kanë shprehur mirënjohjen për faktin që ka zgjedhur Vlorën për të kandiduar në zgjedhjet e 23 qershorit. Në hyrje të Skelës, aty ku nis edhe rruga e re pedonale e sapo përfunduar nga Bashkia e Vlorës, Rama është bashkuar me qytetarët vlonjatë dhe grupet popullore të ardhura nga gjithë vendet e rajonit, Kosova, Mali i zi, Maqedonia, madje edhe nga Polonia e Bullgaria për të qenë në këtë festë për qytetin bregdetar. Me gjithë mungesën e buxhetit nga qeveria qendrore Bashkia e Vlorës ka arritur të sigurojë financimet e duhura dhe të përfundojë në kohë rikonstruksionin e hapësirave publike në qendër të qytetit, të cilat do jenë shërbim të turistëve që do t’i drejtohen bregut të Jonit dhe qytetit të Vlorës për të pushuar këtë vit.
Ne fjalen e tij kreyetari i socialisteve tha:
"Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë. Por, të gjithë e dinë se Vlora do të kishte ndryshuar edhe më shumë nëse do kishte në Tiranë një qeverie e cila ta shikonte Vlorën me sytë e zemrës, e cila të kishte veshë për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e Vlorës, e cila të kishte sy për të parë qoftë historinë e lavdishme të Vlorës, qoftë të ardhmen e vendit tonë, që nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Vlorës. Fatkeqësisht, në Tiranë, Vlora nuk e ka pasur një qeveri të tillë. Përkundrazi, ka pasur një qeveri që për vite me radhë e ka lënë Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. E ka lënë Vlorën ende pa rrugë që ta lidhë atë me Tiranën, me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe me Kosovën. Sepse edhe Kosova e sheh Vlorën, ashtu siç e shikon gjithë Shqipëria, si kryeqytetin e shtetit shqiptar, si Kryeqytetin e Pavarësisë, si kryeqytetin e historisë, si kryeqytetin e atyre vlerave dhe atyre parimeve, e atyre idealeve dhe ideve që bën të nisë rrugëtimi i Shqipërisë së pavarur, i Shqipërisë së lirë, i Shqipërisë Europiane. Duke qenë se sot, ne, jemi këtu për të ftuar të gjithë ata që na ndjekin, që të vijnë në Vlorë, ta vizitojnë Vlorën, t’i kalojnë pushimet në Vlorë, besoj është edhe dita për të thënë se në katër vitet e ardhshme ne do të bëjmë për Vlorën aq sa nuk është bërë në 20 vjet me radhë.
Pas 23 qershorit Vlora do të ketë në Tiranë qeverinë që i duhet për të qenë në lartësinë e ëndrrave dhe shpresave jo vetëm të vlonjatëve, por edhe të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, për Vlorën e Ismail Qemalit, për Vlorën e Luftës Nacional Çlirimtare, për Vlorën e qytetarëve europianë. Kemi fatin që këtë sezon turistik ta hapim në këtë vepër publike tanimë të realizuar nga Bashkia e Vlorës. Në këtë pedonale, ndërtimi i së cilës ka qenë një betejë e mirëfilltë me shurdhërinë dhe me verbërinë e regjimit të Tiranës. Për këtë pedonale që është shumë pak për Vlorën, por që është shumë për të kuptuar se çfarë transformimesh ne mund t’i bëjmë Vlorës. E, nga kjo pedonale ne do të fillojmë shtrirjen e një kantieri veprash publike për Vlorën, që Vlora i pret prej 20 vjetësh dhe që prej 20 vjetësh i mohohen nga qeveritë në Tiranë.
Ne do të ndërtojmë për Vlorën gjithçka që Vlorës i duhet, që katër vjet më pas të kthehet jo vetëm në një pikë referimi për historinë, por edhe në vendin që çdo turist që shkel në Shqipëri do donte të vinte, të vizitonte dhe qëndronte e të kalonte disa ditë. Po ashtu, ne duam të bëjmë për Vlorën aq sa i duhet Vlorës për të mbajtur këtu vajzat dhe djemtë e vet. Për t’i mbajtur këtu të rejat dhe të rinjtë që kanë pasur fatin të lindin në Vlorë, por që fatkeqësisht më shumë mendojnë sesi të ikin nga Vlora sesa ta ndërtojnë jetën këtu në Vlorë, për shkak të një mijë e një vështirësive, të një mijë e një kufizimeve, të një mijë e një pengesave që Vlorës i vijnë për vite me radhë nga qeveria e Tiranës. E cila, i ka kthyer shpinën Vlorës dhe jo vetëm kaq, por ka bërë çmos për ta penguar Vlorën që të shkojë përpara. Ka bërë çmos për të penguar që dhe ato projekte të bashkisë, edhe ato vepra të nisura nga Bashkia të vonohen sa më shumë. Ka bërë çmos që Vlora të vazhdojë të mbetet e izoluar. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora.
Ne kemi prioritetin tonë të parë që Tirana dhe Vlora, Vlora dhe gjithë Shqipëria të lidhen me rrugën që meriton ky qytet, Kryeqytetit i Pavarësisë, qyteti nga nisi historia e shtetit shqiptar, qyteti ku u projektua ëndrra e parë e madhe e shqiptarëve dhe e shtetit të tyre.
Ne do të bëjmë me shpejtësi një Plan Zhvillimi urban për Vlorën. Ne do ta rindërtojmë Sheshin e Pavarësisë, ne do ta rishohim dhe do ta rindërtojmë të gjithë rrugën lidhëse mes Sheshit të Pavarësisë dhe kësaj pedonaleje. Padyshim, do të hapim kantierin e madh të pedonales që do të lidhë Skelën deri poshtë drejt Ujit të Ftohtë.
Ne do t’i heqim makinat nga bregu i Vlorës. Që do të thotë që do të ndërtojmë by pass-in për të bërë të mundur që gjithkush të kalon në Vlorë të mos bëhet pengesë për ecurinë normale të jetës së qytetit dhe për mijëra dhe dhjetëra mijëra njerëz që do të vijnë në Vlorë për të shëtitur lirisht buzë detit të mrekullueshëm të këtij qyteti.
Ne do të hyjmë në çdo lagje të Vlorës. Do të mbjellim në 4 vitet e ardhshme 10 mijë pemë të reja në Vlorë. Do të ndërtojmë për çdo lagje dhe çdo komunitet ato hapësira publike që sot Vlorës i janë më të domosdoshme se asnjëherë dhe që sot Vlorës i mungojnë, sepse jo vetëm prej 8 vitesh, por edhe më shumë se 8 vitesh, jo vetëm nga kjo qeveri, por edhe nga qeveritë e mëparshme, Vlorës i janë mohuar fondet që kanë merituar.
Ne do ta bëjmë Vlorën hapësirën e aktiviteteve kulturore jo thjesht shqiptare, por aktiviteteve kulturore ndërkombëtare. Do të kemi ditë të posaçme kulture në Vlorë; kulture ballkanike, kulture mesdhetare, kulture europiane.
Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Mesdheut. Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Europës. Vlora do të bëhet bashkë me Durrësin, dhe bashkë me pika të tjera në bregdet, shembulli i një zhvillimi ashtu siç e meriton Shqipëria, ashtu siç e meritojnë shqiptarët.
Ne do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë ndërtimeve pa leje në Vlorë dhe në të gjithë bregdetin. Ne do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë fenomenit të bathorizimit të Adriatikut dhe të Jonit.
Ne do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë abuzimeve skandaloze me pronën publike dhe me pronën private në gjithë këtë pjesë të Shqipërisë, që është një dhuratë e çmuar e Zotit dhe e natyrës, e që dora e njeriut deri më sot vetëm e ka dëmtuar. E pra, ne jemi të vetëdijshëm se çfarë detyrimesh kemi për Vlorën. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë potencialesh të jashtëzakonshme ka ky qytet. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë energjish të jashtëzakonshme kanë njerëzit e këtij qyteti. Nga Vlora ne do të nisim rrugën e një Rilindje Shqiptare.
Kanë kaluar 100 vjet qysh se këtu në Vlorë u ngrit flamuri i Pavarësisë. Ne të gjithë jemi të bindur se as Ismail Qemali dhe as etërit e tjerë themelues të shtetit shqiptar nuk do ta parafytyronin dot se pas 100 vjetësh Shqipëria do të ishte kaq mbrapa të tjerëve. Ashtu sikundër, jemi të bindur që as ata që i dhanë Shqipërisë gjakun e tyre në luftën kundër fashizmit në ëndrrat e tyre nuk e kanë parë kurrë Shqipërinë kaq mbrapa në shekullin e 21-të. Jemi po ashtu shumë të bindur që edhe ata shumë ndër ne që nga vitit 1990 u ngritën kundër regjimit komunist të Tiranës nuk e imagjinonin dot se pas 20 e ca vitesh Shqipëria do të ishte kaq mbrapa. E pra, është koha për ta ngritur në këmbë popullin tonë, për ta ngritur në këmbë vendin tonë, për t’i dhënë aspiratave tona europiane fuqinë e një zhvillimi që Shqipërisë i është mohuar për gjithë këto vite. Për t’i dhënë fuqinë e një Rilindjeje Ekonomike, fuqinë e një Ripërtëritjeje Shoqërore, fuqinë e një Demokracie Funksionale, fuqinë që na duhet për t’u ribashkuar me Europën dhe për ta bërë realitet amanetin e të parëve tanë.
Unë ju jam shumë mirënjohës! Ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje! I shpreh mirënjohjen time kryetarit të Bashkisë së Vlorës për rezistencën në gjithë këto vite. Ju siguroj se pas 23 qershorit Vlora do të fillojë të marrë frymë dhe do të fillojë të vrapojë drejt realizmit të atyre ëndrrave dhe shpresave, që deri më sot i janë bërë të pamundura. Asgjë nuk është e pamundur tani që jemi bashkë."