English

PS nuk arriti dot të ndahet me “xhaketat e vjetra”. PD vijon të sakrifikojë gjithçka në emër të pushtetit

Afrim Krasniqi - E kam “takuar” për herë të parë më 1993. Atëkohë Presidenti i Republikës telefonoi në redaksi dhe porositi një shkrim të ashpër kundër njeriut që siç tha ai, ka pasur një dosje të madhe me aktivitet me sigurimin e shtetit. Ai e përmendi pseudonimin e tij, aktivitetin, disa nga emrat – viktima të raporteve të tij, etj. Shefat në redaksi zbardhën porosinë dhe nesër e lexova në gazetë. Pas 22 vitesh situata është përmbysur: shefi i gazetës është emigrant në Belgjikë, Presidenti është kryeministër, kurse njeriu me dosje e pseudonim është në një post me rëndësi të madhe zyrtare, madje politike, është mik me kryeministrin ish president, e shoh vazhdimisht në krah të tij, dhe në media zë pritë kundër cilido që merr kurajën të kritikojë shefin kryeministër!!

E njëjta situatë me rezulton me të paktën 26 zyrtarëve/politikanë/gazetarë, emrat e të cilëve të rrethuar me të kuqe nga ish Presidenti dhe ish kreu i SHISH (shenjë e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit) i kam në arkivin privat që prej viteve 1995-1996. Ata sot nuk janë më të majtë dhe as rebelë, - janë të “djathtë”, madje shumë të djathtë, përherë në pushtet, përherë pro qeverisë, përherë kritik të ashpër të atyre që kritikojnë shefat e tyre të radhës, madje edhe kandidatë të përhershëm për poste më të lartë publike e politike deri në kreun e shtetit!

Një rast tipik i sistemit të (keq)përdorimit të dosjeve të sigurimit të shtetit, i shërbimit pakusht ndaj regjimit të radhës, i degradimit të politikës, personalitetit dhe identitetit politik! Një sistem 22 vjeçar që përdor të kaluarën për të marrë peng të ardhmen, që tallet me dosjet dhe të përndjekurit dhe ngre në piedestal ata që ushqyen regjimin kriminal. Bashkohem me Prof. Repishtin kur shkruan “Shqipëria gjendet sot ne një moçal moral; Shqipëria nuk e ka gjetur veten akoma; Shqipëria nuk ka përballuar te kaluarën. ...Frika e dosjeve qe kane shfrytëzuar ish-komunistet për frikësimin e elementëve qe duan te shfaqen publikisht, ose qe duan te merren masa kundër krimit komunist ne Shqipëri, janë edhe një tjetër tregues se shoqëria shqiptare është akoma e sëmurë. Shoqëria shqiptare duhet te shërohet”.

Sot duket temë e tejkaluar. Në fushatë nuk e ka njeri mendjen për gjëra të tilla. E kanë mendjen tek mitingu, lideri, mandati, vendi i punës! Nuk kujtohet njeri për premtimin e dy viteve më parë për referendum për dosjet, as për Rezolutën e KE, as për këshillën amerikane për hapjen e dosjeve me një ligj kushtetues, korrekt dhe të modelit gjerman! Sepse askush nga ata që merr vendime, nuk do hapjen e dosjeve. Sa më të mbyllura, aq më lehtë përdorën emrat, të dhënat, dëshmitë dhe detajet që fshihen në fashikujt e panumërt të tyre.

Si rezultat, në parlamentin e ri do të kemi vetëm 1 ish të burgosur politik (V.Zh) dhe 52 ish anëtarë të Partisë së Punës, shumë ish sekretarë të Komiteteve të Rinisë në rrethe apo të paktën 6 persona të akuzuar publikisht gjatë tranzicionit për bashkëpunim me policinë sekrete, PS nuk arriti dot të ndahet me “xhaketat e vjetra”, kurse PD vijon të sakrifikojë gjithçka në emër të pushtetit, madje në listën e saj parlamentare në Tiranë gjendet edhe një ish deputet i PPSH (përveç Islamit).

KOMENTE