24 shkolla të mesme të Tiranës, publike dhe private, për një muaj me rradhë kanë konkurruar mes tyre në zhanre të ndryshme të artit. Konkursi në art, mes shkollave të mesme të kryeqytetit i cili ka hyrë sot në fazën gjysmëfinale po gjykohet nga një juri me personalitete të njohura të artit, si Yllka Mujo, Vikena Kamenica, Gent Korini, Gent Çoçoli, Parid Teferiçi etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka ndjekur sot shfaqjen e shkollës “Sinan Tafaj, “New York, New York”. Kryebashkiaku Basha tha se qyteti sot përjeton një energji dhe optimizëm të papërjetuar më parë dhe është ndarë përfundimisht nga pesimizmi.
“Në jetë ka dy mënyra për t’i parë gjërat, optimiste, plot besim, plot energji, siç na falët ju sot dhe kjo është mënyra që unë zgjedh, mënyra që ju zgjidhni, kjo është mënyra që qyteti zgjedh. As pesimizmi, as “qaramanllëku” nuk janë pjesë e rinisë sonë. Me këtë optimizëm që marrim sot këtu, me këtë energji që marrim sot këtu, unë jam plot me dëshirë, ambicie dhe besim, se ky është vetëm fillimi dhe energjinë më të madhe, ky qytet do ta shijojë kur ju të ngjiteni nga kjo skenë, në skenat më të mëdha të Shqipërisë, të Evropës dhe Broadway, të ngjiteni si artistë, si shkencëtarë, si profesionistë” – u shpreh z. Basha.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka theksuar se me punë dhe përkushtim, ashtu siç u arrit heqja e vizave me BE, do të bëhet realitet heqja e vizave me SHBA.
“Le të jetë kjo shfaqje një shembull i mirë për këdo që nuk ka mjaftueshëm besim në zemrën e vet, sepse ashtu siç e thotë edhe music – hall dhe kënga “New York, New York”, për qytetin e përjetshëm të optimizmit New York, nuk ka asgjë që nuk arrihet me besim, nuk ka asgjë që nuk arrihet me përkushtim dhe punë. Ashtu siç me besim, me përkushtim, me optimizëm, me ambicien që na jepni ju nga zemrat tuaja, arritëm t’i heqim vizat për në Evropë, ashtu do t’i heqim edhe për në Amerikë. Do t’i heqim, sepse vendi ynë e meriton dhe ne do e bëjmë realitet. Dua t’ju them sot, se nëse fituesi i këtij konkursi ka të garantuar nga Bashkia e Tiranës një udhëtim falas në një nga qendrat e BE, fituesi i tre apo katër viteve me pas, shpresojmë që do të ketë të garantuar një udhëtim pa viza për në SHBA” – theksoi z. Basha.
Për tre dite me radhë, shkollat “Petro Nini Luarasi”, “Harry Fultz”, “Sinan Tafaj”, “Sandër Prosi”, “Sami Frashëri”, “Besnik Sykja”, “Ernest Koliqi” “A.Z.Çajupi”, “Arben Broci”, “Ismail Qemali”, “Asim Vokshi” dhe “Partizani” do të garojnë për në finalen e madhe të “Tirana – Teens”. Në një mbrëmje gala që do të organizohet nga Bashkia e Tiranes do të kurorëzohet shkolla më e mirë dhe sportistët dhe artistët më të mirë.
Shkolla që do të grumbullojë më shumë stimuj dhe çmime do të përfitojë udhëtim falas në një nga kryeqendrat e Evropës. Çmime të veçanta janë parashikuar edhe për sportistët më të mirë brenda ekipeve dhe artistët më të mirë. Sportistët dhe artistët më të mirë brenda ekipeve do të shpërblehen mes të tjerave edhe me bursa të plota për të ndjekur studimet universitare në një ndër universitetet e Tiranës.