English

Basha: "Investimet e munguara në 11 vjet, këshilltarët e z. Rama na kërkojnë t'i realizojmë në 2 muaj"

Bashkia e Tiranës ka nisur rikualifikimin e Bllokut 92/1, pjesë e të cilit është dhe blloku 6/1, në Njësinë nr.4, me një sipërfaqe prej 12 ha. Me një investim prej 137.7 milionë lekë, rikualifikimi urban i këtij blloku do të përfundojë brenda 10 muajsh. Në këtë bllok banimi i cili shtrihet paralel me rrugën e "Dibrës", nuk është ndërhyrë asnjëherë dhe ka qenë një shqetësim i madh për banorët. Ky bllok banimi vazhdimisht përmbytej nga ujërat e zeza dhe banorët duhet të kalonin vetëm me çizme. Në fillimin e punimeve në këtë bllok banimi, ku i pranishëm ishte dhe Kryebashkiaku Basha, një prej banorëve ka flakur tej në mënyrë simbolike një palë çizme.

"Ka 23 vjet që ne, të gjithë qytetarët, banorët e lagjes vuajmë nga kjo situatë. Më në fund ne do të heqim sot një simbol, (çizmet), ashtu siç kemi hequr simbolet e sistemit të kaluar. Këto ishin simbolet tona, me të cilat kalonin për të hyrë në shtëpi motrat, nënat tona, vëllezërit, fëmijët tanë. Ky le të ngelet si simbol i atyre që kemi lënë pas me votën e zgjedhjeve të pushtetit lokal dhe le të jetë ky simbol që do të na shtyjë që në zgjedhjet e 23 qershorit t'i japim votën Partisë Demokratike, për fjalën që mbajtën" - u shpreh një nga banorët e zonës.


Kreu i Bashkisë Lulzim Basha i cili kthehet në këtë zonë me një premtim të mbajtur para banorëve, për rikualifikimin urban garantoi se në përfundim të punimeve, ky bllok do të sigurojë një cilësi më të mirë jete për të gjithë banorët.

"Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të shiut, rehabilitimin të kanalizimeve të ujësjellësit, për faktin se edhe shtimi i popullsisë, edhe amortizimi i tyre e ka bërë të domosdoshëm. Do të vazhdohet me asfaltimin e zonës, me ndërtimin e trotuareve me gjerësi 2-3 metra, me krijimin e një sipërfaqeje të gjelbër, me sipërfaqe totale prej afro 4130 metra katrorë që i shtohet kësaj zone, sipërfaqe e gjelbër e cila do të mundësojë jo vetëm një cilësi më të mirë të ajrit por edhe një hapësirë të blertë ku qytetarët të pushojnë, do të vendosen stola pushimi, do të ndërtohen dy kënde lojrash për fëmijë, pra do të ketë një rehabilitim tërësor të bllokut. Në fakt, që me ndërtimin e pallateve siç dëshmojnë banorët këtu, nuk është vënë dorë asnjëherë, ndaj edhe nisja e punës këtu më jep një kënaqësi të veçantë, sepse po mbajmë me të vërtetë një premtim të dhënë, një objektiv, një projekt të futur në buxhetin e Bashkisë së Tiranës" - u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku Lulzim Basha, ndërsa ka garantuar qytetarët se të gjithë projektet e nisura nga Bashkia do të përfundojnë brenda afateve, ka kujtuar se ata që për 11 vjet i lanë rrugët dhe lagjet e Tiranës në gjendje të mjeruar, kërkojnë sot që kjo punë të kryhet për dy muaj.

"Natyrisht, i kuptoj disa këshilltarë të z. Rama të cilët të pezmatuar kërkojnë përfundimin e projekteve brenda dy muajve, projekte që nuk përfunduan për 11 vjet, për sa kohë z. Rama ishte kryetar i Bashkisë por kjo vjen sepse ai kishte prioritete të tjera dhe nuk kishte prioritet problemet e qytetarëve. Ndërkohë, Bashkia siç e shikoni, në çdo moment, në kohë fushate apo jo vazhdon të kryejë detyrat e veta, vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj qytetarëve, do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe nëpërmjet këtij përkushtimi, përmes avancimit me projektet tona do të realizojmë të gjithë premtimet, në raport me cilësinë e jetës së qytetarëve, në raport me kthimin e Tiranës në një qytet ku jetohet, punohet dhe shijohet më mirë jeta" - theksoi z. Basha.

Në bllokun 6/1, Kryebashkiaku Basha ka garantuar banorët se ata do të ndahen një herë e përgjithmonë nga ujërat e zeza që i bashkëshoqëronin gjatë gjithë vitit, nga amortizimi i kanalizimeve.

"Dua të them përpara banorëve të kësaj zone të cilët më kanë pyetur vazhdimisht dhe kanë pritur me padurim fillimin e projektit, që ne sot e nisim këtë projekt për ta përfunduar brenda kohës më të shkurtër, me standardet më të mira, duke përfshirë gjelbërim, sheshe për fëmijë, natyrisht asfaltim të plotë dhe eliminim njëherë e përgjithmonë të problemeve të mbartura prej më shumë se sa 15 vjetësh"

KOMENTE