"U ndjeva shumë, shumë e lumtur. Dukej se gjithë bota ishte e imja dhe gjithë ajo sakrificë, gjithë ai mund u shpërblye në fund. Ndjehem shumë e emocionuar dhe shumë e lumtur dhe nuk kam fjalë për ta shprehur gjendjen time. Ishte ëndrra më e madhe që të arrija deri këtu dhe i falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur deri këtu".
Kështu është shprehur Rita, vajza 12-vjeçare nga Kosova e cila u shpall fituese e spektaklit "The Voice Kids", që të premten në mbrëmje në natën finale në ekranin e Top Channel.
Pas një faze fillestare të audicioneve të fshehta, vajza nga Kosova u bë pjesë e skuadrës së Almës, me të cilën rrugëtoi deri në finale.
"Unë mendoj që Ritën e ka sjellë edhe talenti i vet. Rita është një vajzë shumë punëtore, punon shumë. Vazhdoj ta them se për ne nuk është më rëndësi se kush e fiton. Vetë si format e ka për detyrë që të nxjerrë talente model, këngëtarë që nesër duhet të jenë modelë të këngëtarëve në Shqipëri. Të largohen ato klishetë e këngëtarëve që më shumë dalin me CD. Ne sonte kishim gjithcka live, duke filluar nga orkestra, nga kori, nga vetë këngëtarët; janë fëmijë dhe arrijnë të performojnë në mënyrë fantastike", thotë Alma Bektashi.
Spektakli që solli shumë emocione në ekranin e Top Channel ngjiti në natën finale 6 vajza që në fund mbetën 3, pas përzgjedhjes së trajnerëve Alma Bektashi, Elton Deda dhe Altin Goci.