English

Bujar Nishani nuk do të marrë pjesë në samitin e SEECP, të Ohrit. Arsyeja

Deklarata e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani lidhur me vendimin për të mos marrë pjesë në samitin e SEECP, të Ohrit.

28 maj 2013

Duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe NATO, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij.

Duke patur parasysh:

Marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, datë 19 prill 2013, garantuar më Marrëveshjen e Parimeve të Përgjithshme për Zbatimin e Planit të dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë, datë 22 maj 2013, të nënshkruara mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçic në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, sipas të cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian.

Parimet e Kartës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore;

Angazhimin e plotë të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë aktive, dhe konstruktive në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale;

Duke respektuar frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok;

Duke çmuar rëndësinë e zbatimit të angazhimeve të marra nga të gjitha vendet e rajonit për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë;

Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon.

Në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në Samitet e Ohrit të datave 1 dhe 2 qershor.

KOMENTE