English

Ervis Tafaruçi, qëllohet me breshëri automatiku në mes të autostradës pasditen e 28 maj 2013

Ervis Tafaruçi, 33-vjeçari nga Kavaja, emri i të cilit prej shumë vitesh është, jo vetëm fort i njohur nga policia e Durrësit dhe e Tiranës, por madje ai është shpallur disa herë në kërkim për ngjarje të ndryshme ka rënë pre e një atentati të pastër.

Pasditen e djeshme, një automjet ka udhëtuar përkrah makinës në të cilën udhëtonte 33-vjeçari, ndërsa në momentin kur rruga ka qenë e boshatisur është qëlluar mbi të me breshëri automatike. Të paktën 15 gëzhoja janë grumbulluar në vendin e ngjarjes, në autostradë, pak metra pasi kalohet kthesa për të hyrë te “Mak Albania”. I riu mësohet se ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Durrësit, ndërsa mbi të kanë rënë të paktën katër plumba. Autorët që mendohet të kenë qenë tre persona, kanë vijuar të njëjtën rrugë, ndërsa makina me trupin e pajetë të Tafaruçit ka mbetur në rrugë. Policia ende nuk ka asnjë lloj emri për atentatorët, ndonëse në vendin e ngjarjes dhe në kërkim të zbardhjes së plotë të ngjarjes kanë mbërritur ekspertët më të mirë të Policisë së Tiranës si dhe ata të Durrësit dhe të Kavajës. Pak orë pas krimit të rëndë, policia e Tiranës bëri të ditur se po hetohet në pistën e hakmarrjes, por fakti që emri i viktimës është i përzier në shumë ngjarje është e vështirë të shkohet tek autorët dhe motivi kryesor i atentatit.

Sipas të dhënave të policisë, mësohet se Ervis Tafaruçi ka qenë në një drekë me disa miq të tij. Autorët e vrasjes dyshohet që kanë ndjekur çdo hap të 33- vjeçarit, ndërsa është pritur derisa ka përfunduar drekën, ka dalë nga lokali dhe është nisur në drejtim të Durrësit. Sipas ekspertëve të policisë, dyshohet se autorët, janë njohës të mirë, jo vetëm të zonës, por edhe të lëvizjeve të viktimës, çka përjashton faktin se autorët e atentatit ndaj 33-vjeçarit me origjinë nga Shijaku, të jenë njerëz të paguar. Burime të besuara thanë për gazetën “Shekulli” mbrëmë se nga mënyra se si është ndjekur dhe qëlluar, personat e kanë ekzekutuar lënë të kuptohet se kanë patur njohje dhe inate personale me viktimën. Mbi mjetin në të cilin udhëtonte Tafaruçi i vetëm, është qëlluar në ecje e sipër dhe, sipas të dhënave, dyshohet se personi që ka qëlluar mbi të ka qenë i ulur në sediljen e pasme të mjetit që dyshohet se ka udhëtuar paralelisht me viktimën në autostradë. Kjo aludohet nga pozicioni i plumbave, por policia saktëson se nuk është mundur të sigurohet asnjë dëshmitar okular.

Postblloqet e shumta nuk kanë dhënë asnjë rezultat deri orëve të vona, ndërsa hetimet janë përqendruar në disa pista, ku kryesorja është hakmarrja. Tafaruçi rezultonte me shumë probleme në Shqipëri, por dyshohet edhe për precedentë të shumtë penalë edhe në vendin fqinjë në të cilin ka jetuar shumë kohë dhe madje vijonte të jetonte mes dy vendeve. Policia ka siguruar dëshmitë e të njohurve të tij, ndërsa priten edhe dëshmitë e familjarëve të tij që gjenden në Itali. Sipas të dhënave, Ervis Tafaruçi, jetonte ivetëm, pasi nëna dhe motrat nga nëna, qëndrojnë në Itali, pasi i ati mësohet se i ka vdekur shumë vite më parë. Gjithashtu policia shpreson edhe në dëshminë e femrës që bashkëjeton me të prej kohësh, ndërsa ekspertët e krimeve të rënda kanë hapur dosjet e 33-vjeçarit për të mësuar se cilat mund të jenë pikat më të forta ku mund të përqendrohet hetimi. Është një atentat i para katër viteve, në të cilin ka qenë i përfshirë viktima si autor në bashkëpunim dhe me dy persona të tjerë. Gjithashtu, sipas policisë, dyshohet edhe për një tentativë tjetër vrasjeje në Durrës, por që nuk është vërtetuar, ndërsa Tafaruçi u njoh nga një akt i pazakontë, të cilin e kreu në Tiranë, duke i vënë flakën një automjeti. Ai u arrestua nga policia e Komisariatit nr 2, në Tiranë për këtë veprim dhe iu dorëzua policisë së Durrësit për të vijuar më pas hetimet në lidhje me ngjarjen e 2009-ës. Bëhet fjalë për plagosjen e një shqiptari nga Maqedonia, por sërish Tafaruçi është lënë i lirë. Policia dyshon se akti i vrasjes ka të bëjë me prishje pazaresh, që lidhen me trafikun e drogës në Itali, ndonëse nuk përjashtohen edhe problemet e shumta që Tafaruçi ka pasur në Durrës. Djegia e makinës me benzinë Në fund të marsit të dy viteve më parë, policia e Tiranës mundi të zbardhte djegien e një makine Reno, në afërsi të komisariatit nr 2. Autori i djegies së makinës rezultoi të ishte një i kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë në Durrës, ndërkohë i prangosuri, jo vetëm që ka kundërshtuar policinë, por edhe i ka dhënë disa versione në lidhje me ngjarjen. Automjeti i cili i përkiste një femre, u dyshua se ishte sulmuar nga Tafaruçi pasi kishte qenë në pronësinë e një të riu nga Durrësi, me të cilin ai kishte probleme qysh nga ngjarja e vitit 2009, në Durrës. Tafaruçi bashkë me dy shokët e tij akuzoheshin për plagosjen e shqiptarit nga Maqedonia. Policia e Tiranës në kohën e arrestimit bëri me dije se autori i sulmit ndaj automjetit, dyshohet se e kishte marrë benzinën që në Durrës, për të djegur makinën, ndërkohë që ai pati pretenduar se kishte dashur të hakmerrej ndaj një vajze, pasi ajo e kishte refuzuar. Pas arrestimit, Ervis Tafaruçi iu dorëzua policisë së Durrësit, por nuk dihet se si u la i lirë, derisa ditën e djeshme edhe u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në afërsi të Malit të Robit.

KOMENTE