English

Intervista e plotë midis kryeministrit Berisha dhe shoqatës së transportuesve

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me anëtarë të shoqatës së transportuesve, në terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit.

Kryeministri Berisha u shpreh se sektori i transportit përbën një degë të rëndësishme të ekonomisë dhe në vitet 2006-2012, ky sektor është rritur me mbi tre herë, nga 66 në 212 miliardë lekë. Ndërsa garantoi për mbështetjen e qeverisë për këtë sektor, në katër vitet e ardhshme.

Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është në prag të zhvillimeve të mëdha dhe vetëm në fushën energjetike po realizohen investime të mëdha si kaskada e Devollit apo së shpejti projekti TAP e shumë të tjerë, të cilat në vetvete shumëfishojnë kërkesat për transport. Ndaj është e rëndësishme, theksoi Kryeministri, të gjejmë sëbashku si mund t’ju lehtësojmë në punën tuja, si të lëvizim të gjithë sëbashku më shpejt.

Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me transportuesit.

“Së pari, një falenderim shumë të përzemërt e një mirënjohje të thellë ndaj jush, shoqatës e transportuesve të vendit, drejtuesve dhe punonjësve të një prej sektorëve më nevralgjikë, më jetikë të ekonomisë shqiptare, të cilët në një hark kohor të shkurtër keni përballuar me sukses një rritje shumë të shpejtë e të madhe të vëllimit të punës suaj. Unë dua t’i informoj shqiptarët se në vitet 2006-2012, vetëm në një prej sektorëve të punës suaj, ai i eksporteve është rritur nga 66 në 212 miliardë lekë në vitin 2012, pra, mbi tre herë. Kjo rritje është akoma më e madhe në vëllim, në tonë dhe qartësisht më të mëdha se eksportet janë importet dhe më të mëdha se importet e eksportet është transporti i brendshëm.

Realisht, Shqipëria lëviz mbi mjetet, supet e muskujt tuaj. Ky është sektori i transportit për vendin. Ky sektor është shndërruar në një promotor zhvillimi. Edhe qeveria ka bërë shumë përpjekje për kushte më të mira. Sot, ju lëvizni në një rrjet rrugor jo të përsosur, por pakrahasimisht tjetër me rrjetin rrugor, në të cilin lëviznit vetëm pak vite më parë. Sot, juve ju shërbejnë në një port me kapacitete e shërbime krejtësisht të tjera. Sot, të gjitha lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë janë dy e trefishuar. Megjithatë theksoj se këto ritme të mëdha të rritjes së vëllimeve të transportit janë për ju një sfidë e madhe dhe një sfidë shumë e rëndësishme për ekonominë dhe vendin. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë brenda të gjitha mundësive të saj. Qeveria është përpjekur e do të përpiqet të lehtësojë barrën burokratike mbi ju. Qeveria është e vetëdijshme për vështirësitë që ju gjeni në ndonjë vend tjetër mik, por gjithnjë ne bëjmë negociata në interesin tuaj të ligjshëm, sepse nga miqtë ne kërkojmë ato që duhet të jenë.

Katër vitet që vijnë janë katër vitet e zhvillimit më të pakrahasueshëm, sepse në ato katër vite fillojmë një legjislacion i ri që ne kemi arritur me mund e djersë. Këto katër vite do të jetë vitet që Shqipëria do të ketë statusin e kandidatit për vend anëtar në Bashkimin Europian dhe do të hapë negociatat për integrimin e plotë në BE.

Shqipëria është në prag të zhvillimeve të mëdha. Unë erdha tek ju, pas një forumi ekonomik kushtuar energjetikës. Mund t’u them se në atë sallë ishin një pjesë e madhe e gjigandëve të Europës dhe ata nuk ishin dëgjues, por kompani që po investojnë në Shqipëri si në kaskadën e Devollit, Shell e Petromas në Shpirag, së shpejti TAP-i e shumë projekte të tjerë, të cilat në vetvete shumëfishojnë kërkesat për transportin. Ndaj është e rëndësishme në këtë bashkëbisedim të gjejmë sëbashku se cilat janë lehtësirat e tjera që me mund t’ju ofrojmë, si ta bëjmë punën tuaj të suksesshme, si të lëvizim të gjithë sëbashku më shpejt, se kemi nevojë shumë të madhe. Erdha këtu t’ju dëgjoj me kënaqësi shumë të madhe.

Duke e falënderuar Kryeministrin për mbështetjen ndaj transportit, sigurisht ky grupim këtu dhe të gjithë ata që punojnë në sektorin e transportit kanë gëzuar arritjet e kësaj periudhe, sidomos heqjen e vizave, pasi këta e kanë vuajtur më shumë atë periudhë kur sorollateshin në dyert e ambasadave. Po ashtu, ky grupim më shumë se të gjithë ka ndjerë lehtësitë e udhëtimit në rrugët e standardeve më të mira të vendit tonë dhe sigurisht, një e ardhme më e mirë na pret. Është po ky grupim që më shumë se gjithë shqiptarët pret anëtarësimin në BE, se të parët që do përfitojnë nga kjo do të jemi ne transportuesit. Duke vlerësuar të gjithë këto arritje, zoti Kryeministër doja të prezantoja disa problem që janë shqetësime 20 vjeçare të gjithë sektorit tonë të transportit. Problemi më i madh është sistemi i taksave që kemi me Italinë, një shqetësim 20 vjeçar. Taksat që aplikohen nga pala italiane janë vetëm për shqiptarët dhe janë vendosur që para vitit ’90. Unë i di të gjitha përpjekjet e të gjithë ministrave, por mendoj se duhet të jetë një detyrë e qeverisjes dhe ne e mirëpresim sa më shpejt. Për ta zgjidhur, mendoj duhet një veprim i shkurtër Ministri i Transportit-Ministri i Financave dhe ai i Punëve të Jashtme të shkojnë në Itali dhe t’i shpjegohet palës italiane se nuk ka arsye ta mbajnë këtë taksë vetëm për shqiptarët. Kjo taksë penalizon shumë transportuesit tanë, pasi nuk janë kushtet e barabarta me transportuesit e vendeve të tjera. Në çdo vajtje-ardhje paguajmë më shumë se transportuesit e tjerë, 500-600 euro. Nisur nga kjo shumë, transportuesit për ta mënjanuar atë, kanë filluar të marrin trajlera me targa të shteteve të tjera, maqedonase, bullgare deri në Estoni, por marrja e këtyre trajlareve ka shqetësim të madh, pasi taksat që duhet të shkonin në Shqipëri, shkojnë për shtetet e tjera. Duket sikur kemi fituar, por shteti dhe ekonomia nuk ka fituar gjë. Problemi tjetër është 100 përqind në dorën tonë. Ka disa vite që shumë transporte që mund t’i kryejnë transportuesit tanë i kryejnë transportues nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia. Kjo sepse organet tona të kontrollit i lejojnë ato mjete të kryejnë ngarkesa në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të transportit. Edhe kur nuk i kanë lejet organet, tona të kontrollit i lejojnë. Së treti, ne si shoqatë kemi disa vite që kemi Institutin e Trajnimit për të trajnuar transportuesit e t’i pajisim me një certifikatë të kompetencës profesionale, që është e njohur nga të gjitha vendet e Europës ku ne si shoqatë jemi anëtarë. Atë program që është miratuar nga Akademia e Transportit Rrugor Ndërkombëtar në Gjenevë, ne duam të zbatojmë, por ka disa vjet që bëjmë kërkesa dhe kjo e drejtë nuk na jepet, me arsyetimin që këtë duhet ta bëjë Drejtoria e Transportit Rrugor. Ne nuk kemi ankesë ta bëjë, por në një ekonomi të lirë gjithkush ka të drejtë të trajnohet aty ku mendon se e ka më mirë. Ju siguroj se ato certifikata që lëshohen sipas atij programi janë të njohura në të gjitha vendet e Europës. Një problem tjetër është me tragetet. Si në Durrës, në Vlorë, me tragetet edhe grafikët nuk zbatohen plotësisht, por abuzohet edhe me çmimet. Ndaj organet e kontrollit të shtetit shqiptar duhet ta disiplinojnë këtë problem. Është normale të rritet edhe standardi i trageteve që vijnë këtu, por minimumi të mos kenë pengesa për shoferët. Së fundi, para disa ditësh u inaugurua dogana e re dhe i gjithë sistemi jonë e duartrokiti. Por atje ka filluar një shqetësim shumë i madh, janë vënë çmime katastrofike për parkimin e mjeteve.

Kryeministri Berisha: Të falënderoj shumë zoti president i shoqatës për shqetësimet shumë serioze që shtrove, të vërteta, por fatmirësisht të zgjidhshme. Po e filloj nga dogana. Dogana është partneritet publik privat dhe në këtë kontekst, ai që e ndërtoi duhet të marrë fitimin. A mundet shteti të ndërhyjë? Po, shteti mund të ndërhyjë, ta kompensojë ose ka mënyra ku çmimi të jetë tjetër. Ai është një partneritet publik privat dhe garantoj se shteti do të ndërhyjë pa dëmtuar partnerin privat. Por ato çmime do të njohin një ulje të qartë, bazuar në plotësimin nga ana e shtetit, pasi ajo është kompani private dhe ka investuar aty 20 milionë euro dhe është i interesuar të marrë paratë. Do t’i kërkoj drejtorit të doganës të fillojë negociatat me kompaninë dhe në raste të tilla ka mënyra kompensimi të partnerit dhe ju të keni çmime të arsyeshme. Ne e kemi ndërtuar atë, t’ju lehtësojmë në radhë të parë juve.

Jam këtu të m’i thoni të gjitha shqetësimet. Ndaj përsa i përket trageteve, kërkoj nga ju që të na informoni. Nëse e lëvizin çmimin, duhet të çoni informacion. Dikush mund të korruptojë ndonjë në doganë, të jem i hapur dhe ju duhet të na informoni se kjo po ndodh. Në mënyrë absolute nuk duhet ta bëjë. Duhet të njoftoni autoritetet shtetërore, organin tatimor, pasi zotëria me atë çmim paguan taksën këtu, në Itali e kudo dhe në rast se ndodh, ndryshohen rregullat dhe ju duhet të njoftoni. Ju garantoj se ky problem do të shqyrtohet dhe midis autoritetit të portit, ministrisë përkatëse dhe jush do të gjendet zgjidhja përfundimtare. Unë nuk mund të them se mund të diktohen çmime fikse, por çmime gjashtëmujore ose vjetore fikse plotësisht.

Bileta është dyfishuar nga 450 euro, ka vajtur në 850-900 euro.

Kryeministri Berisha: Prandaj do të krijojmë një grup trepalësh ju-qeveria-autoriteti portal dhe të arrijmë në një çmim të arsyeshëm. Zgjidhja është kjo, se qeveria nuk mundet të fiksojë çmimin. Qeveria përpiqet të garantojë rregulla të ndershme dhe rregullat e ndershme zgjidhen nëpërmjet negociatave. Ne shohim, nëse këto çmime janë rritur pa arsye. Ne jetojmë në një kohë që çmimet rriten, por nuk mund të rriten në këtë mënyrë.

Lidhur me Institutin, unë jam në favor t’ju mbështes plotësisht për funksionimin e Institutit. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se trajnimi dhe ne trajnimin do ta bazojmë tek qendrat tona dhe institucionet private. Kjo shkon plotësisht në filozofinë tonë dhe unë do t’i kërkoj ministrisë që ai rregull që përcakton ta ketë Drejtoria e Transportit Rrugor, t’jua japë juve. Instituti juaj do të ngarkohet për trajnimin.

Një problem shumë i vjetër, shumë serioz është ai me taksën italiane. Absolutisht do të bëj gjithçka dhe ju garantoj se jam përpjekur. Problemi është se nuk është vendim qeverie, por është një ligj i vjetër. Një ligj që nuk duhet të jetë dhe çdo bashkëbisedues italian ma ka marr përsipër heqjen e tij. Absolutisht do të bëj gjithçka që ia ligj të hiqet. Kam besim se do ta arrijmë këtë. Unë jam marrë me këtë çështje, me kryeministrin e të tjerë dhe do të merrem me heqjen e tij.

Ne do të marrim statusin e kandidatit, i cili u bllokua për arsye personale, për votimin e tre ligjeve, gjë që nuk ka ndodhur në ndonjë vend të Europës. E sigurt është se pas zgjedhjeve, ne marrim statusin. Ne jemi të vendosur të bëjmë zgjedhjet më të mira, do të bëjmë zgjedhje të shkëlqyera, do të meritojmë statusin dhe jo vetëm statusin, por do të plotësojmë të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për vend anëtar. Statusi është një fazë, negociatat janë faza tjetër. Ne do të zbatojmë të gjitha detyrimet.

Dëshiroj t’ju falnederoj zoti kryeministër për pjesëmarrjen tuaj. Shumica e problemeve u prekën nga presidenti i shoqatës. Unë doja të prekja dy gjëra, për të cilat mendoj se vetëm ju mund të jeni promotor për zgjidhjen e tyre. Kam një propozim, nuk e di nëse është real, që ju të hyni garant si qeveri për një fond që do t’u jepej transportuesve shqiptarë, për të marrë mjete me kilometër zero, që rrisin sigurinë, rrisin autoritetin e shtetit rrisin cilësinë e punës. Besoj se mund të zgjidhet me ndërhyrjen tuaj, ku financimin e kanë transportuesit, garancia e shtetit. Gjatë kësaj periudhe, ne jemi realistë e do të dëshiroja t’ju falënderoja lidhur me punën e madhe që ka bërë qeveria me sistemimin e këtij porti, që ka qenë problem për ne. Zoti kryeministër, ka një lidhje mes firmave që merren me transport dhe doganave, ku dashje e pa dashje, transportuesit tanë ngarkojnë në kamionët e tyre mbingarkesa që ndikojnë negativisht edhe për emrin e transportuesve të tjerë shqiptarë. Eksportuesi e detyron që ai të vërë mbipeshë dhe i vetmi organ që e kontrollon mbipeshën është dogana, e cila duhet të tregojë seriozitetin duhur. Në vitin 2007 është personalisht ndërhyrja juaj që u ulën gjysmë përgjysmë pagesat e trageteve që prekin porti shqiptar, ndërkohë që tragetet e shoqëritë e huaja që prekin portin shqiptar mbajnë të njëjtat çmime të biletave për shqiptarët. Kjo nismë nuk u bë që të favorizohen shoqëritë e trageteve, por që ne lehtësoheshin shqiptarët. Kam përshtypjen se këtu ka vend për t’u parë. Një çështje tjetër është se shoqëritë e Maqedonisë, duke paguar 0.1 euro për tonë në Itali, e dëmtojnë në palcë transportuesin shqiptar dhe kjo është arsyeja pse transportuesi shqiptar merr trajlera të huaja.

Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj për këto çështje. Së pari, lidhur me kredinë me garanci shtetërore, unë do ta shqyrtoj këtë me Ministrinë e Financave. Ne e kemi praktikuar dhe e praktikojmë për peshkimin. Këtë ia thashë peshkatarëve dhe absolutisht do ta shohim, se mendoj se është një nga më të mundshmet, pasi ky nuk është sektor jo fitimprurës dhe kjo është kredi që ju e paguani. Është plotësisht e mundshme.

Edhe shqetësimi i dytë është një shqetësim shumë i madh. Para disa muajsh, ministria filloi bllokimin e trajlerave me mbingarkesë. Kjo përbën problem edhe për rrjetin tonë rrugor. Kjo po na lë pa ura. Ju garantoj se do të marrim masa shumë të rrepta. Këtë po e them këtu, do t’ia them edhe prodhuesve. Ministria vuri pothuaj postblloqe në Mat e zona të tjera. Por, për fat të keq, ankesat më vijnë nga transportuesit dhe jo nga prodhuesit. Transportuesit na thanë përse po na bllokoni. Ndaj i thashë ministrit se do bëjmë një lëshim, por do të bëjmë një zgjidhje të mëvonshme. Ne jemi të gatshëm të vendosim edhe peshore në zonat e ngarkesave më të mëdha. Ju falenderoj shumë për çështjen që ngritët dhe shoh një shqetësim shumë të përgjegjshëm. Imagjinoni të na bjerë ura e Matit në Burrel, ne këputemi dhe pjesa andej i mbetet të komunikojë nga komshinjtë. Ndaj unë e marr shumë seriozisht këtë çështje. Ne vëmë peshoren dhe ata të kalojnë mbi peshore. Nuk është e drejtë të marrësh mbingarkesë e t’i bësh dëm të madh sistemit rrugor.

Lidhur me ligjin me Italinë, e thashë më sipër, ne do të bëjmë gjithçka. Përsa i përket çmimeve, mund ta rishohim. Ka një problem. Sa herë përpiqemi që nëpërmjet çmimeve të përfitojë një sektor, konstatojmë se çmimet nuk lëvizin. Për fermerët, për shembull, ne vendosëm të heqim TVSH-në për çdo gjë që ata përdorin për prodhim dhe ata me të drejtë na thanë se TVSH nuk vjen tek ata, por mbetet tek të tjerët. Ndaj ne e ndryshuam këtë dhe bëmë mirë. Do t’ua japim parët në dorë fermerëve. Edhe çështjen e çmimeve do ta shqyrtojmë me vendosmëri. Nëse ne bëjmë një ulje çmimi, edhe pala tjetër duhet të jetë e arsyeshme, nuk them në atë proporcion, por e arsyeshme duhet të jetë.

Përshëndetje Zoti Kryeministër, është një kënaqësi që pas 20 vjetësh një kryeministër vjen të flasë direkt me transportuesit. Dua t’ju falenderoj për disa gjëra. Së pari ne si transportues pas 8 viteve qeverisje, kemi rrugë te shtruara dhe mjetet tona nuk vuajnë më si përpara. Kemi një terminal trageti modern dhe së fundi një doganë super moderne. Unë dua të ndalem tek problemi me Italinë, po jap disa të dhëna më të sakta për të gjetur një rrugëzgjidhje. Taksa që Italia aplikon janë dy, taksa mbi peshën dhe taksa mbi qarkullimin. Këta taksa janë bërë për të gjithë transportuesit jo komunitar, që hyjnë dhe dalin nga Italia, që prej vitin ’90. Në harkun e këtyre viteve, dhe këtu po flas për vendet e Rajonit, me të cilat konkurrenca na bën të ndeshemi çdo ditë, i kanë eliminuar, ose i kanë minimizuar, Shqipëria ende jo. Në një rrugë rrugë vajtje-ardhje, këto taksa shkojnë nga 500 deri ne 600 euro. Kjo do të thotë që nesër transportuesit e mallit për të gjithë tenderat që bëhen për shkarkim e malli në Shqipëri nuk jemi konkurrues dhe humbim të gjithë punët e mëdha që ka Shqipëria. Në mos gaboj sot tregu shqiptarë i transportimit mbi 50 përqind është në dorë të transportuesve të huaj. Nuk e di sesa kjo vlerë mund të transformohet në taksa, që nesër taksapaguesit shqiptarë ia paguajnë shtetit shqiptarë , të cilat ne nuk i faturojmë. Është e qartë që ky është një vendim qeverie dhe mbase duhet të kalojë nga parlamenti italian dhe duke njohur pak a shumë Italinë mendoj se do duhet kohë. Do të ishte e mira të gjejmë një alternativë. Po jap alternativën time. Flasim për transportues të rajonit, të cilat ngarkojnë dhe shkarkojnë në Shqipëri, mos ndoshta qeveria shqiptare duhet të marrë një masë për të bërë ekuivalente taksat, që ne paguajmë në Itali për këta transportues, të cilët ngarkojnë –shkarkojnë në Shqipëri dhe shkojnë në Itali, sepse ne nuk mund të presim vite që qeveria italiane të na japë këto të drejta që ne duhet ti marrim?

Kryeministri Berisha: Unë të siguroj se do ta shqyrtojmë. Pa u zotuar, sepse ka marrëveshje ndër qeveritarë dhe ne duhet ti zbatojmë marrëveshjet, por ne do të shqyrtojmë çdo mundësi që ju të lehtësoheni nga ky problem.

Faleminderit z. Kryeministër për mundësinë e takimit me shoqatën, por ke edhe një detyrim karshi shoqatës. Ke 40 mijë transportues z. Kryeministër. Nga 5 vetë për familje i thonë 130 mijë persona, të cilët varen nga të ardhurat tona si transportues. Pas bujqësisë është transporti. Nga transporti varen dhe sektorët e tjerë. Kemi një fatkeqësi që ne nuk kemi ministri të transporteve, në Shqipëri ka një ministri ankandi i druve, e kanë lënë transportin në pikë të hallit. Shoqata jonë ka bërë 6 herë mbledhje, kemi ftuar ministrin e zëvendësministrin, dhe nuk kanë marrë asnjë masë për ne. Ne kemi tre gjera kryesore. Thonë se kemi marrëveshje ndërkombëtare. Nuk ka mundësi z. Kryeministër që ti të firmosësh dhe të vijë maqedonasi tek shtëpia ime dhe të më thotë na një copë bukë edhe ti, kjo është e jashtëligjshme. Maqedonasi nuk punon vetëm në Itali, por punon në Durrës e Tiranë, në transport të brendshëm. Kush fshihet, ku i mban makinat. 90 përqind e transportit shqiptarë është me targa maqedonase. Detyra jote si kryeministër është të ndalosh targat maqedonase të punojnë këtu , nuk ka as 500 mijë as 1 milion lekë. Ose do ta bëjmë si turqit që ju djegin makinat. Duhet të marrim të gjithë shembullit të doganës së Durrësit, e cila është për tu admiruar në të gjithë Shqipërinë, sepse të zgjidhet halli, por dogana e Tiranës na është bërë gangrenë. Në të gjithë botën nuk ka parkim dogane me taksa, sepse mua ti më merr taksë mbi transportin, mbi çdo gjë, për çdo ç’ doganim që bëj paguaj taksën 2500 euro, pse duhet të paguaj dhe parkimin. Duhet të paguaj unë 10 mijë lek peshore, duhet të paguaj 80 mijë lek të vjetra kontrollin e doganës, që i takon shteti ta paguajë se ai po kontrollon. Këta janë gjëra që nuk ndodhin në asnjë vend por vetëm në Shqipëri. Problem tjetër është që paguaj katër licenca për katër targa. Targa për tragetet ju keni thënë 1 euro ne paguajmë më shumë?

Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj për çështjet e rëndësishme që ngrite dhe përsa i përket çështjes së taksave dhe shërbimeve në doganën e Tiranës kjo do të marrë zgjidhje në mënyrë të padiskutueshme. Dogana e Tiranës është e detyruar t’ju ofrojë shërbimet më të mira dhe kudo. Do të bëjmë gjithçka për shërbimet më të mira ndaj jush. Lidhur me tarifat që ekzistojnë, ju thash se ato do të jenë çështje e një shqyrtimi tërësor. Çështja tjetër për taksat e bashkisë. Këshilli Bashkiak ka çuar dosjen në hetim në prokurori, sepse ky në kundërshtim me ligji vë tarifa dhe taksa, që nuk ka autoritet as kryeministri, askush. Në çdo vend të lirë taksa është atribut i parlamentit qendror dhe për lokalet i parlamentit lokal. E shihni ju këtë shokun që vrapon poshtë e përpjetë dhe thotë do të ul taksat. Këta janë filozofia e rritjes së taksave. Këtu në Durrës është vendi me taksa mbi biznesin e vogël, ndër më të lartat që ekzistojnë dhe ajo që bën ai është një hile shumë e ligë. Ti duhet të tatohesh mbi bazën e të ardhurave dhe xhiros jo mjetet. Se ai të konsideron ty çdo mjet një biznes të vogël. Ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë po ashtu edhe çështjen e çmimeve të trageteve. Edhe çështja e licencave do të shqyrtohet.

Kemi shumë probleme në Bari, kemi pasur kontakte me konsullin tonë atje dhe nuk ka asnjë zgjidhje as nuk na përgjigjet, vetëm ne neve na ndodh se po ju jap shembullin e turkut, një telefon bën dhe vjen në minutë konsulli turk? Duam ta shikoni këtë problem?

Kryeministri Berisha: Patjetër që do të shqyrtohet ky problem, menjëherë.

Unë dua të ngre një problem të rëndësishëm. Problemin e doganës dhe të magazinave doganorë. I gjithë sistemi doganorë bën të mundur të shtohen volumet e punës dhe të rriten punësimet , në këtë pikë unë e vlerësoj se Zoti na ka fal Durrësin për të qenë porta hyrëse dhe e dalëse e Ballkanit dhe ne këtë duhet ta shfrytëzojmë ne dhe jo komshinjtë. E vetmja mundësi që ne ta shfrytëzojmë është që Durrësi të rrethohet me magazina doganore, të cilat brenda të gjithë ligjeve dhe rregullave të funksionojnë dhe të gjithë të jenë të zonë që ti shfrytëzojmë. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të rrisim transportet dhe të shumëfishojmë tragetet që vijnë për në Durrës. Nuk kanë nevojë kamionët të shkojnë dhe të vijnë nga Italia. Vijnë kamionët shqiptarë deri në Durrës shkarkojnë mallrat e turqve dhe vijnë turqit ta marrin këtu. Të shfrytëzojmë korridorin sa më mirë për interesin e Shqipërisë. Ka probleme me ç’ doganimin duke krijuar një kaos të madh. Ne kemi infrastrukturën doganore më të mirë por duhet ta shfrytëzojmë?

Kryeministri Berisha: Të siguroj se do ta marr shumë seriozisht propozimin tënd dhe ju unë jam plotësisht dakord me ju për potencialin shumë të madh që Durrësi ka. Ju e dini që është në tender thellimi i tij dhe pasi të përfundojë thellimi këtu do të hyjnë anijet 40 mijë tonëshe, që do të thotë që të behet një port rajonal shumë i rëndësishme dhe sëbashku me ministrinë e financave dhe te transporteve ne do të shohim të gjithë kuadrin, i cili do të jetë sa më inkurajues dhe lehtësues për ju. Kjo është kërkesa juaj, që Durrësi të marrë rolin që i takon dhe qeveria të bëjë gjithçka për një rol maksimal të këtij porti. Kjo është detyrë e qeverisë sikundër do të shqyrtojnë të gjithë problematikën me doganat dhe besoj se do të gjejmë zgjidhjen më të mirë.

Nga problemet që dolën këtu do të bëj dy sqarime për tarifat e udhëtimit , dua të bëj të qartë se ministra e transporteve çdo vit rinovon licencat e kompanive detare dhe kompani detare kur bene kërkesën për licenca bashkangjitur dërgon edhe një listë për tarifat që do të aplikojë. Këto janë të detyrueshme për tu respektuar gjatë gjithë vitit deri në vitin tjetër?

Kryeministri Berisha: Jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Së pari kam insistuar në ministritë që të liberalizohen licencat për tragetet dhe unë di që janë shtuar. Ne duhet të japim autorizimet dy herë në vit në dhjetor dhe në maj dhe kjo është edhe kërkesa juaj mesa kuptoj, gjithashtu ju po kërkoni që marrëveshjet të afishohen dhe të dalin të gjitha në faqen zyrtare të portit dhe të kompanive dhe kjo do të bëhet.

Të shikohen tarifat portuale. Sepse dy janë autoritete që i vendosin ato tarifa, autoritet portual dhe rimorkiatori?

Kryeministri Berisha: Çështje serioze, të cilat do të shihen me përparësi absolute.

Ne kemi tarifa më të larta sesa Bari, jemi dakord që te liberalizohet tregu, por të ketë një diferencim ne trajtimin taksativ?

Kryeministri Berisha: Unë ju falenderoj ju për çështjet që ngritët. Ju siguroj që Durrësi nuk mund të ketë tarifa më të larta se Bari, nuk mund të jetë një ishull me tarifa të larta në një vend që është i tarifave dhe taksave të ulëta. Do të bisedoj me drejtuesit e portit të Durrësit, të shqyrtojmë tarifat në maksimumin e mundshëm, se është ndërmarrje publik dhe duhet të garantojë mbijetesën.

I nderuari zoti kryeministër, jam Luciano Antoneli dhe kam 30 vjet që prek Shqipërinë. Ndërhyrja ime e vogël është se përveç se keni ngritur këtu këtë strukturë të mrekullueshme, kemi një ankesë të vogël dhe jemi të bindur se ju mund ta përmirësoni, vonesat. Nuk është e mundur që ne, me 200-300 pasagjerë, anija niset edhe me tre orë vonesë. Ne e kuptojmë se kontrollet janë të nevojshme, për shkak se ndonjëherë mund të ketë edhe trafik ilegal, por jemi edhe të bindur se me të gjithë strukturat e sotme elektronike, skanerat, mund të pajiset porti me këto pajisje teknologjike e të përmirësojë kohën e nisjes. Në kulmin e sezonit, ne transportojmë mbi një mijë pasagjerë, atëherë të nisemi ditën tjetër apo të anulojmë udhëtimin. Ne ju urojmë të vazhdoni të jenë në krye të qeverisë dhe urojmë që kjo të përmirësohet.

Kryeministri Berisha: Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar procesin e kontrollit. Në dijeninë time është plotësisht e mundshme. Kontrollet janë të nevojshme, por mund të vazhdojnë në disa raste të veçantë, edhe gjatë udhëtimit, por vonesat janë të papranueshme. Autoritetet shqiptare do të bëjnë të gjitha kontrollet paraprake, për të mos vonuar nisjen e trageteve. Kjo është e mundshme.

Zoti Kryeministër, ju falënderoj për mundësinë për të folur sëbashku. Përfaqësoj disa investitorë gjermanë që punojnë këtu në port prej katër vitesh. Mendoj se padyshim historia e portit është sukses dhe Autoriteti Portual ka bërë një punë të mirë. Mendoj se tre pika nuk janë plotësisht të qarta, në mënyrë që të çohet përpara kjo histori. E para, zonat e lira ekonomike, që janë të rëndësishme për biznesin tonë të transitit. Së dyti, çfarë ende mungon dhe unë jam këtu prej dy vjet e gjysmë, bëhet fjalë për projektin e thellimit të portit dhe nuk po flasim për një shumë të vogël, por për 15 milionë euro. Së treti, në mënyrë që të lidhet më mirë i gjithë vendi, po flas për sistemin hekurudhor që është ekologjikisht dhe ekonomikisht më i arsyeshëm.

Kryeministri Berisha: Së pari, nëse shihni regjimin e ri të portit jam, me do të bëjmë gjithçka për të shfrytëzuar potencialet e mëdha që ka ky port, i cili është edhe porti më mirë i pozicionuar.

Së dyti, në dijeni time, projekti është në fazën finale, tenderi ka përfunduar. Është një projekt shumë i mirë, i financuar nga BERZH, Autoriteti Portual dhe institucione të tjera financiare. Mendoj se puna do të nisë brenda një kohe të shkurtër. Do të bëhet një thellim serioz i tij dhe mund të ankorohen 44 mijë mjete, pra, do të dyfishojë potencialin.

Lidhur me çështjen e tretë, ne do të bëjmë më të mirën. Ekziston një masterplan në proces finalizimi. Bashkimi Europian ka treguar një interes të madh për rinovimin e sistemit tonë hekurudhor. Jam dakord që hekurudha është kruciale për portin.

Tre javë më parë isha në Dhërmi dhe atje takova dikë nga BE-ja, të cilin e pyeta se me ç’merrej. Ai tha se ishte specialist nga BE, përgjegjës për hekurudhat. Unë as nuk e dija që ai ekzistonte dhe ai më tregoi për këtë plan dhe financimin.

Kryeministri Berisha: BE-ja është e fokusuar për të na ndihmuar në rinovimin e sistemit hekurudhor. Ne jemi në pritje dhe absolutisht do të vazhdojmë.

Në mbyllje të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha: Edhe një herë dua t’ju falenderoj shumë përzemërsisht për mendimet absolutisht të çmuara, të drejta që shprehët këtu. Ky është një sektor jetik dhe për ne, ky ka qenë një përparësi. Mjafton të kujtoni investimin tonë nga Morina e Kukësit në Portin e Vlorës dhe ky është investimi ynë më i madh, çka dëshmon për interesin tonin apo investimet, sistemimet e punën shumë të madhe që është bërë në Portin e Durrësit dhe faktikisht, ky port sot është tjetër. Por, prapë, ajo që është me shumë interes, është se ju, në kërkesat tuaja dhe ju e njihni shkëlqyeshëm punën, i keni të gjitha probleme burokratike. Ju kërkoni të shpëtoni nga pengesa burokratike, nga padrejtësi që ju lëndojnë në punën tuaj, nga pabarazi që janë të pamerituara. I thashë se këto janë probleme absolutisht të zgjidhshme dhe ju garantoj se këto do të jenë çështje të axhendës së qeverisë gjatë kësaj kohe dhe kohës në vazhdim. Ju falënderoj shumë, për të gjitha mendimet e shkëlqyera që dhatë.

KOMENTE