Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës rajonale me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”, e cila po zhvillohet në Tiranë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe Mbrojtjes (QKSM) në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Kryeministri Berisha përshëndeti organizatorët për zhvillimin e kësaj konference për një çështje shumë të rëndësishme, si dhe u shpreh se Shqipëria përpiqet në mënyrën më serioze për një luftë me tolerancë zëro ndaj dhunimit të ligjit në ujërat e saj territoriale. “Ky rajon, - tha Kryeministri, - ka potenciale të jashtëzakonshme, por në qoftë se e vështron, ky është rajoni ku mungojnë më shumë se në çdo rajon tjetër projektet e mëdha evropiane. Konsolidimi i konceptit do të bindë vendimmarrësit se zhvillimi i këtij rajoni është interesi jetik më i mirë i të gjitha rajoneve të tjera të Evropës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo, por këto janë për t’u shfrytëzuar dhe për t’u zhvilluar”.
Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurt rajonin. “Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinje të rajonit, të ecin me hapa të shpejta dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka vetëm do ta bënte rajonin më të sigurt dhe do të ishte një hap i rëndësishëm në sigurinë e mëtejshme të krahut juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha Kryeministri Berisha.
Në këtë konferencë merrnin pjesë dhe përshëndetën ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, Presidenti i Fondacionit “Alcide De Gasperi” dhe President i Shoqërisë Italiane për Organizatat Ndërkombëtare z. Franko Frattini, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, i Kosovës, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, si dhe të ftuar të tjerë.