English

Segmenti lidhës i rrugës "Elez Isufi" dhe "Ali Gjuzi" tërësisht bashkohor

Me një investim prej 22. 2 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një rrugë tërësisht të re për banorët e njësisë bashkiake nr.11. Segmenti lidhës i rrugës "Elez Isufi" dhe "Ali Gjuzi" i cili shtrihet mbi kolektorin e ujërave të zeza, për shume vite ishte kthyer në makth për banorët dhe një vatër infeksioni. Ndërtimi i kësaj rruge me gjerësi 10 metra, me trotuare nga 1.5 m në të dy anët e saj ka akomoduar edhe kolektorin e ujërave të zeza. Në këtë rrugë është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit, kanalizimeve të ujërave të bardha, sinjalistika rrugore, ndriçimi etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i pranishëm në inaugurimin e kësaj rruge theksoi se ky investim transformon jo vetëm standardin e jetesës së banoreve në këtë zonë të kryeqytetit por rrit edhe vlerën e pronës së tyre. Z. Basha ka bërë të ditur se buxheti i Bashkisë ka parashikuar 16 milionë euro investime për njësinë bashkiake nr. 11 e cila prej vitesh ishte lënë në harresë.

“Kjo rrugë ku ndodhemi sot nuk është veçse fillimi, është fillimi i një premtimi të bërë dhe të mbajtur por është edhe fillimi i ecjes përpara me projektet e Bashkisë së Tiranës, i lënies prapa të paragjykimit, harresës dhe prapambetjes në këtë njësi bashkiake por edhe shumë e shumë të tjera nga qendra në periferi. Dua të siguroj banorët e njësisë bashkiake nr.11, që paketa investuese e Bashkisë së Tiranës për këtë zonë të lënë në harresë prej dhjetëra vitesh është për vitin 2012-2013-2014, të kombinuar mbi 16 milionë dollarë dhe rrugë me këtë standard e me këtë cilësi po projektohen e ndërtohen anembanë kësaj zone, duke filluar me vetë vazhdimin e kësaj rruge në drejtim të komunës së Paskuqanit, me rrugën “Isuf Gërvalla” që ndodhet këtu afër e gjithë bllokun përreth tij, me gjithë rrugicat që lidhen të cilat po kështu përmes projekteve të Bashkisë do i nënshtrohen një rikualifikimi urban apo thënë me fjalë të thjeshta kanalizimeve, asfaltimit, trotuareve dhe ndriçimit, njësoj si në këtë rrugë ku ndodhemi sot” - u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha

Kryebashkiaku Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës, të vazhdojnë së bashku rrugën e transformimit të kryeqytetit, duke i dhënë një herë e përgjithmonë fund kohës së baltës, pluhurit dhe konfliktit politik.

“Ftoj të gjithë qytetarët e kryeqytetit të ecim përpara dhe të mos kthehemi prapa në kohën e baltës, pluhurit dhe konfliktit politik, që pa dyshim ka qenë dhe mbetet shkaktari kryesor i harresës ndaj qytetarëve. Të ecim përpara, duke pasur qytetarët të parët, duke pasur Tiranën të parën, të realizojmë të gjithë projektet tona anembanë qytetit të Tiranës, për të siguruar një cilësi më të mirë jete anembanë qytetit, një Tiranë ku jetohet më mirë, punohet më mirë dhe shijohet më mirë jeta” - u shpreh z. Basha.

Përmirësimi i situatës metereologjike u ka mundësuar firmave kontraktore, të nisin fazën e fundit, atë të asfaltimit të punimeve në shumë rrugë të kryeqytetit. Kryebashkiaku Basha ka inspektuar mbrëmë punimet për asfaltimin e bulevardit "Petro Nini Luarasi”, në njësinë bashkiake nr.2. Me një investim prej 63,7 milionë lekësh, ky bulevard me gjatësi 805 metra i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Në këtë rrugë janë ndërtuar të gjithë shtresat e nevojshme të inxhinierisë nëntokësore, ujësjellës-kanalizimeve, kabllot e telefonisë dhe internetit. Janë vendosur mbi 50 shtylla të reja ndriçimi aktual dhe janë mbjellë mbi 150 fidanë të rinj pemësh.

KOMENTE