Kryeministri Berisha ishte sot në mesditë mes qytetarëve të Kamzës, me të cilët inauguroi Pallatin e Ri të Kulturës, një qendër moderne argëtimi, me vlerë investimi 225 milione leke.
Kjo qendër e standardeve nga më të mirat në vend, ofron për të rinjtë dhe të rejat, si dhe për të gjithë banorët e Kamzës, teatrin me 350 vende, Multikinemanë me 320 vende, Ekspozitën e qytetit, Biblotekën, Disa salla konferencash me 100 vende, 70 vende dhe me 50 vende, Sallen e internetit, si dhe ambiente te tjera.
Gjithashtu, aty do të zhvillohen aktivitete te përhershme, si Festivale kombëtare e rajonale, Teatri rinor Rajonal dhe për çdo sektor do ketë veprimtari te vazhdueshme.
Kryeministri Berisha iu uroi banorëve Pallatin e ri të kulturës, të cilin e vlerësoi si të standardeve më të shkëlqyera që mund të ekzistojnë dhe që mund të përmbushë më së miri kërkesat e qytetarëve për një jetë kulturore sa më aktive.
Kryeministri përgëzoi për punën e mirë të bërë nga bashkia e Kamzës, që megjithëse me fonde më të vogla, se bashkia e kryeqytetit ia ka dalë që gjatë këtyre viteve të ndërtojë 23 objekte shkollore, ndër më modernet në Shqipëri, kundrejt 7 shkollave të ndërtuara nga ish kryetari i bashkisë së kryeqytetit në 11 vite.
Duke vlerësuar mundin dhe djersën e banorëve të Kamzës, të cilët në një hark të shkurtër kohor, me sakrificat e tyre e shndërruan Kamzën në qytetin e 6-të më të madh të Shqipërisë, , kryeministri Berisha u shpreh në përshëndetjen e tij:
“Së pari përshëndetjet më vëllazërore për ju, gratë dhe burrat e kësaj bashkie, që në një hark kohor të shkurtër me një mundin tuaj të madh, me sakrificën, me përkushtimin, me sakrificën tuaj ndërtuat këtu në kamës, qytetin e 6-të më të madh të Shqipërisë. Ky është një kontribut i madh dhe kombi, vendi, qeveria është pafundësisht mirënjohës ndaj jush.
Ne sot inauguruam një pallat kulture, jashtëzakonisht i rëndësishëm për jetën tuaj kulturore, por një pallat kulture i standardeve më të shkëlqyera që mund të ekzistojnë , me salla biblioteka , ekspozita dhe si të thuash përmbush kërkesat tuaja për një jetë kulturore sa më aktive."