Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton se pas anulimit zyrtar të Samitit të 16-të të SEECP me vendim të Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Serbia ka tërhequr kundërshtimin për pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, si pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Pas këtij zhvillimi, Republika e Kosovës ka ulur nivelin e përfaqësimit ku ministri Hoxhaj nuk do të marrë pjesë, dhe në këtë takim të ministrave do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Petrit Selimi.
Që nga fillimi, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka insistuar që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera në këtë samit, dhe çdo tendencë për të ulur apo bllokuar këtë format të përfaqësimit është kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, kundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të iniciuar më 19 prill 2013, dhe marrëveshjes paraprake për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal, në kuadër të dialogut teknik të datës 23 shkurt 2012, implementimi i të cilës është siguruar sërish me nënshkrimin e Planit të Implementimit të datës 22 maj 2013.
Republika e Kosovës i jep rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në rrethana ku sigurohet përfaqësimi dhe trajtimi i barabartë, promovohet gjithëpërfshirja dhe mbizotëron fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit.
Për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal është më shumë se një instrument, për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, Republika e Kosovës i trajton si një nga prioritetet dhe interesat shtetërore, prandaj gjithmonë kemi qenë të gatshëm të marrim obligimet që dalin nga proceset e bashkëpunimit rajonal.
Prandaj, për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal paraqet një mundësi dhe proces të pandalshëm për të tejkaluar të kaluarën, nxitur pajtimin dhe krijuar një klimë të favorshme për t’i zgjedhur çështjet bilaterale dhe rajonale me një frymë evropiane të dialogut dhe mirëkuptimit.