English

Kënd Fjale me Edi Ramën në Shkozë

Pyetje: Unë jam një pensionist. Kam punuar 19 vjet në minierën e Valiasit dhe kur vjen puna, marr 140 mijë lekë pension. Dëgjova Salën që tha se janë ulur çmimet dhe taksat. Po energjia dhe të gjitha faturat e tjera janë shtrenjtuar. Ku i paguaj dot unë i shkreti me këtë pension.
Miku im, kur dëgjon Saliun është kot të më pyesësh mua se ai thotë gjëra që ne sinqerisht nuk i bëjmë dot. Ai nuk i bën, por ai i thotë. Ne as nuk i themi dot. Për shembull një nga gjërat që thotë ai: Unë kam rritur rrogat e mësuesve. Dakord. Po t’i marrësh si lek që hyn në xhep është e vërtetë. Por pyetja është: Me këto lekë blejnë më shumë apo blejnë më pak mësuesit. Blejnë më pak, sepse janë rritur çmimet. Janë rritur çmimet deri në dyfish e më tepër akoma.
Tani ne kemi një plan për të ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Ai mërzitet. S’ka mundësi, thotë, se këta i rrisin taksat. Por kjo është e vërteta. Sot një polic që merr 300 e ca mijë lekë, ka më shumë taksa se Saliu. Tani, a ka kuptim kjo? Një mësuese paguan më shumë taksa Myqeremi. Një infermiere paguan më shumë taksa se ministri i Shëndetësisë. Një furrë buke paguan më shumë taksa se 15-katëshi. A mund të funksionojë kështu kjo? Ne themi jo. Ne do t’i ulim taksat për 95% të shqiptarëve. T’ua shpjegoj se si. Jo vetëm për ata që janë në punë. Ata që janë në punë, kushdo që merr nën 1.5 milionë lekë rrogë, do përfitojë nga kjo ulje taksash mesatarisht 40 mijë lekë në muaj. Në fund të vitit do ketë mesatarisht një rrogë më shumë vetëm nga ulja e taksave.
E dyta, ne do ulim taksat edhe për ata që nuk janë në punë. Se në çdo kokërr vezë ka 20% taksë e fshehtë, në çdo gotë qumësht ka 20% taksë, në çdo kile bukë ka 20% taksë, në çdo litër vaj ka 20% taksë, në çdo kile miell ka 20% taksë. Këto janë 5 ushqimet bazë, ne taksat do t’i bëjmë zero për këto produkte. Vazhdojmë me energjinë. Energjia ka dy anë medaljeje. Njëra është që kush paguan, paguan edhe për ata që s’paguajnë dhe shkon fatura shumë e lartë. Lufta që do bëjmë ne do jetë që të gjithë të paguajnë energjinë. Se këtu nuk është më puna që vjedh shtetin, këtu vjedh qytetarët e tjerë që janë të rregullt në pagimin e faturave. Përveç kësaj ana tjetër është që dhe ka fatura e energjisë ka 20% taksë. Do ta bëjmë 6%. Vazhdojmë me pjesën tjetër, me taksat e fshatit. I propozuam para një viti e kusur Saliut, të hiqte taksën 20% të makineritë prodhuese për njësi. Edhe te makineritë në fshat. Hiqe. Hiqe se po kthehet parmenda. Hiqe se po dalin kënetat. Po dalin zonat malarike atje në Vlorë, poshtë në Orikum. E bëmë edhe ligj. U përgjigj J0! E çuam dhe në parlament. Votuan kundër! Mbaj mend edhe rezultatin. 72 me 58 kundër. Kur u afrua fushata e nxori si idenë e vet. Kemi një ide tani, tha, do ta çlirojmë fshatin, do ta heqim taksën. Dhe e hoqi. E hoqi, po s’e hoqi. Pse? Se bëri një listë dhe tha: Ne do ta heqim, por ama juve, kush do të blejë makineri do t’i blejë te filani, të filani dhe të filani. Se vesi është i keq, por po t’u bë ves ajo punë, do të marrësh kudo. I pëlqen leku. I pëlqen shumë. Kështu që, taksa nuk u hoq. Vijmë te nafta. Shikoni se çfarë u tha fermerëve. U tha: Votoni për mua, se do t’ua bëj naftën 400 lekë. 800 lekë çoi vetëm taksën, së nafta ka shkuar tashmë nuk matet më. 800 lekë vetëm taksën. Se problemi me të dhe me këta është ky: Më mirë aty ku s’premtojnë se nuk u shkon mendja. Aty ku premtojnë aty e ha më keq. Kur thonë do ta rregullojmë këtë ta bëjnë më keq, se s’dinë as si ta bëjnë. Janë edhe gënjeshtarë edhe të paaftë.
Pyetje: Unë jam i djathtë, legalizimet s’janë bërë ?
Haveli, ju e dini kush ishte, thoshte një fjalë shumë të bukur: “Komunisti më i keq është komunisti antikomunist”. Ja ku e keni ky është. Dhe e kam me gjithë ata të djathtët që janë këtu dhe s’flasin. Se më pëlqen shumë kjo pjesa që thonë jam me atë se e kam pasur gjyshin të persekutuar. Po mirë mo, kush ta ka persekutuar gjyshin? Ta ka persekutuar ai apo unë. Se ai ishte me Partinë e Punës, nuk isha unë. E ka persekutuar Ditmiri, thotë.
Unë them që në fund fare të gjitha këto nuk vlejnë. Jo veriu, jo jugu, jo socialist, jo demokrat. Fakti i thjeshtë është ky; Të kam dhënë votën zotëri, një herë, dy herë, tre. Më ke premtuar legalizimi. Ku e ke? Më ke premtuar që këtë Kalkutën këtu do ta bësh Europë. Ku është Europa këtu, se nuk e shikoj? Më ke premtuar infrastrukturën, me thua kam bërë 10.400 km rrugë, ku i ke? I themi, ore nxirr rrugët, nxirr rrugët. Shko në Kosovë, ai është shtet shqiptar. Shqiptarë janë dhe ata si ne, nuk kanë ndonjë ndryshim. Shko atje. Jepi policit atje bakshish dhe shikoje të merr bakshishin, apo të çon në polici. Nuk bën vaki të të marrë polici në Prishtinë lekë, po shkele rregullat. Ose do paguash gjobën, ose do shkosh në polici. Shko në një spital atje. 300 e kusur milionë dollarë harxhon ky shtet për shëndetësinë. I keni parë vetë spitalet, le të mos flasim. Shko në Kosovë, 70 milionë harxhojnë. Shikojeni se si i presin dhe si i respektojnë njerëzit dhe çfarë shërbimi kanë. Shikoni bujqësinë atje, shikoni këtu dhe me radhë e me radhë. Shtet shqiptar, 5 vjet shtet. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, po të shkosh në Kosovë dhe t’i pyesësh sa rrugë keni bërë në këto 5 vjet shtet, për 5 minuta të japin rrugët që kanë bërë me kilometra, me projekte, me shpenzime. Thuaju këtyre qeveritarëve tanë, nuk i kanë. Shkoni matini thotë Saliu, se ne po punojmë nuk kemi kohë t’ua tregojmë. Dhe para ca ditësh tha: Si s’i kemi bërë. Shikoni lekët që kemi harxhuar për rrugët. A, d.m.th keni harxhuar lekë sa për të bërë 10.400 km dhe keni vetëm 1.400 kilometra? D.m.th paskeni vjedhur me mijëra kilometra, i paskeni futur në xhep. Se kështu i bie. Agjencia prestigjioze amerikane dhe deklaroi: 1.3 miliardë dollarë kanë ikur nga Shqipëria në 7 vjet. Po nga dolën këto lekë? Po ashtu agjencia thoshte se kanë ikur nëpërmjet evazionit, nëpërmjet korrupsionit, dhe nëpërmjet krimit. Po 1.3 miliardë andej, 455 milionë euro humbet çdo vit nga keqmenaxhimi dhe grabitja e pasurive nëntokësore, nafta dhe mineralet, po dhe nga doganat e nga këto të tjerat, e të tjerat. Po si do bëhet ky vend?
Prandaj miqtë e mi është dita për të shkuar në zgjedhje pa parë se çarë tesere keni në xhep. Nuk ka rëndësi fare, në zgjedhje duhet shkuar duke menduar: Çfarë do bëj unë me votën time. Se kjo nuk është futboll. Kush do fitojë? Do fitojë Sala, apo do fitojë Edi. Duhet menduar se çfarë do bësh me votën tënde dhe gjithkush duhet të pyesë veten; Me votën time, do investoj për rrënimin e vazhdueshëm, apo për Rilindjen e ekonomisë familjare dhe kombëtare.
Këta dy fëmijë këtu, Esmeralda dhe Arjani kanë lindur këtu besoj unë. Ka ardhur familja nga Kukësi dhe fëmijët kanë lindur këtu. Kështu që këta janë tirans. Tirana është si Amerikë e vogël, të gjithë nga të katërt anët shkuan atje për të ndërtuar një jetë më të mirë. Edhe Tirana kështu është. Po tani ne do rrimë të themi, meqë unë jam nga veriu dhe ti je nga veriu, ta jap votën ty. Po çfarë lidhje ka kjo. Ne jemi këtu për të ndërtuar një Shqipëri që është 28 mijë kilometra katrorë. S’jemi këtu për ta ndarë, kush është nga veriu, kush është nga jugu.
Pyetje – Programi juaj për sportin?
Ju e dini, këtu sporti i vetëm që funksionon janë bastet. Ne duam ta fillojmë edhe këtë nga shkolla. Ne duam të kthejmë sportin në shkollë. Do ndërtojmë edhe klasat sportive, do të ndërtojmë edhe gjithë aktivitetet sportive mes shkollave, se nuk mund të jetë dot kjo punë që ose në loto ose në kafe ose në disko dhe të gjitha janë nga ana tjetër e rrugës së shkollës.
Kjo nuk mund të vazhdojë, por ama nga ana tjetër kur thashë qendër komunitare kisha parasysh që jo vetëm për mësimin, por edhe për aktivitetet sociale dhe kulturore, që do të thotë edhe sportive. Shkolla duhet të jetë qendra ku të rifillojë lëvizja. Të bëjnë aktivitet fizik të rinjtë. Siç bëjnë të gjithë të rinjtë kudo. Vetëm këtu.

KOMENTE