Afrim Krasniqi - Rreth 50 mijë nxënës nisën sot provimet e Maturës Shtetërore. Si çdo veprim tjetër administrativ edhe ky u konsiderua nga politika zyrtare si një sukses në reformën arsimore. Në fakt gjatë tetë viteve të fundit janë aplikuar disa “reforma”: u aplikua renditja me mesatare, hyrja me konkurs në universitet, liberalizimi i arsimit publik, liberalizimi i arsimit privat, më pas ndryshimi i strukturës mësimore 4+4+4+4, më pas 4+4+3+1+4, më pas 8+4+3+2+1+4, më pas 8+4+3+2+4, më pas 8+4+3+2+4, më pas 9+4+3+2+4, etj. Megjithëse eksperimentimi ka kosto në miliona euro për familjet shqiptare, ai vijon me të njëjtin argument: po bëjmë reformë.
Problemi më i madh është se në kuadrin e masivizimit të shkollës së lartë (28 universitete të reja private vetëm brenda 3 viteve kalendarike) politika ka pranuar se cilësia është në plan të dytë. Nuk flitet për tregun e punës, përshtatjen me diplomën, cilësinë e diplomës tonë në raport me diplomat në vendet perëndimore, efektivitetin dhe dobësitë e sistemit aktual etj. Flitet për pavarësi akademike por nuk është universiteti ai që përzgjedh studentët: është provimi i maturës, janë sistemi linear i pikëve që buron nga notat shpesh fiktive të periferisë, janë kapacitetet financiare të familjeve dhe tregues të tjerë dytësorë që nuk lidhen me nevojat e universitetit, nevojat e tregut, nevojat e perspektivës.
Kushtetuta shqiptare e përcakton arsimin 9 vjeçar të detyrueshëm, por MASH pranon se rreth 70 mijë të rinj ose nuk shkojnë fare në shkollë ose nuk arrijnë ta mbarojnë atë; siç pranohet se koha e qëndrimit të një student në universitet është rreth 8 vjet, disa herë më e gjatë sesa mesatarja evropiane; kurse ngarkesa reale mësimore e nxënësit shqiptar është 47% e vlerës së treguesit mesatar të vendeve të OECD (cit: PK). Duke marrë në konsideratë faktin se vetëm 30% e institucioneve akademike janë 100% të akredituara në program dhe përmbajtjen e tyre imagjinohet kriza e rëndë e sistemit arsimor dhe problematika e madhe sociale e kulturore që buron prej saj. Studimi i fundit i BB raportoi se mbi 50% e të rinjve janë analfabetë funksionalë. Së fundi, të dhënat zyrtare dështojnë se buxheti shtetëror për arsimin në Shqipëri është nën 3%, rreth dy herë më pak se shumica e vendeve të zhvilluara evropiane (tab. bashkëngjitur).
Ajo që merr më shumë rëndësi është fakti se vendi ndodhet në fushatë elektorale, dhe tema e arsimimit, temë themelore për një shtet dhe një shoqëri me nevoja të mëdha zhvillimi dhe emancipimi, - nuk është temë elektorale. Qeveria bën reklamë dhe quan sukses një shkollë të re që ka nderuar në Paskuqan, opozita kritikon por ende nuk ka një model shkolle referues. Dy palët i kanë përdorur shkollat, nxënësit dhe mësuesit për fushatë elektorale, gjë që po ndodh edhe tani, me ndryshimin se për herë të parë politika ka degraduar deri në atë pikë sa shkon edhe kopshte/çerdhe me thirrje fëmijëve që ti bindin prindërit për të votuar për shefin e partisë-shtet!
Në Tiranë ka shumë sheshe të reja ndërtimi, qendra të reja tregtare dhe sidomos shumë kazino dhe lojëra të reja fati ose baste sportive, por nuk ka ende një shkollë të re, një gjimnaz të ri, një konvikt të ri, nuk ka ende një bibliotekë të re (e premtuan në fushatën 2011), nuk ka ende karrige për të gjithë nxënësit, as ngrohje e ftohje, as libra me standarde të njëjta, as garanci ligjore për mësuesit, as përpjekje për të ndryshuar këtë situatë. Ende prindërit paguajnë për rojën e shkollës, për pastrimin dhe veprimtaritë praktike të shkollës, kurse politika...ka arsye të krenohet vetëm në një pikë! Po, është rritur numri i fëmijëve që përdorin facebook! A është ky lajm i mirë?! Një zot e di. Por sot temë është provimi i maturës, ndaj le të shpresojmë të jetë sadopak lajm i mirë për të gjithë ata mijëra prindër e fëmijë që presin lajme të mira prej saj!