English

Rama: 30 tableta për fëmijët e jetimores

Kryetari i PS Edi Rama me rastin e 1 Qershorit ka qene i pranishen në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë nga ku ka uruar te gjithe femijet anembane botes.

''Mirëmëngjesi të gjithëve!
Gëzuar 1 Qershorin!
Bashkë me Kryetarin e Bashkisë vendosëm që sot këtë 1 Qershor ta festojmë këtu tek shtëpia e fëmijës. Të jemi këtu bashkë me fëmijët jetimë dhe me fëmijët e tjerë të lagjes. Me dëshirë të madhe duke ju uruar këtë 1 qershor fëmijëve, zotohemi se do bëjmë ende shumë më tepër për ta, për të gjithë fëmijët e Vlorës, për të gjithë fëmijët që kanë nevojë shumë për kushte më të mira, për kushte më të mira në çerdhe, në kopshte, në shkolla, në lagje. Kanë nevojë për hapësira dhe për aktivitete që t’i shërbejnë mirë rritjes së tyre.
Sot ne kemi sjellë disa dhurata, dhurata për fëmijët e jetimores. Janë në fakt dhurata që lidhen edhe me atë që ne duam të bëjmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, kemi sjellë këto tableta, kompjuterë të vegjël dore që kanë një të mirë shumë të madhe se fëmijët i mësojnë vetë. Nuk kanë nevojë fare për mësues për të mësuar si t’i përdorin dhe nëpërmjet tyre me aplikacionet që kanë brenda për të mësuar edhe shumë gjëra që nga librat mësohen më me vështirësi. Tabletat janë ajo që ne duam të sjellim si një të re shumë të rëndësishme për shkollën. Ne duam që brenda katër viteve të ardhshme shkollat e mesme dhe dalëngadalë edhe shkollat 9 vjeçare të fillojnë të pajisen deri në fund me tableta. Objektivi është që të arrijmë deri në heqjen e librave dhe mbajtjen e këtyre tabletave për fëmijët edhe për mësimdhënien, pra për të gjithë procesin shkollor.
Unë dua që këto 30 tableta që kemi sjellë sot që janë për 30 fëmijët e shtëpisë së fëmijës të shërbejnë si guri i parë simbolik, i themelit të katër viteve të ardhshme këtu në Vlorë për të gjithë fëmijët e Vlorës.

Ne sot në këtë 1 Qershor do t’i japim këto 30 tableta për fëmijët e jetimores duke i konsideruar si fëmijët tanë, duke i konsideruar si një pasuri dhe një amanet të përbashkët dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë në vijim të pajisim me tableta të gjithë nxënësit në mënyrë që të transformojmë tërësisht gjithë procesin e mësimit dhe njëkohësisht t’ju japim fëmijëve mundësinë që të mësojnë shumë më lehtë edhe anglishten, edhe gjuhët e tjera të huaja.
Unë ju uroj gëzuar 1 Qershorin! Dëshiroj që sot ta kaloni gëzuar ditën!
Këtu ka edhe aktivitet të tjera, ka edhe një teatër për ju, ka edhe muzikë. Unë ju premtoj bashkë me xhaxhi Shpëtimin se ne do të bëjmë akoma shumë më tepër për ju në vijim dhe 1 qershorin tjetër do ta festojmë prapë së bashku diku tjetër.
Ju faleminderit shumë për këtë mikpritje!
Gëzuar 1 Qershorin!

KOMENTE