English

7 mijë banorë të njësisë bashkiake numër 6, do të kenë nga sot ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre

7 mijë banorë të njësisë bashkiake numër 6, do të kenë nga sot ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Në këtë bllok banimi me 700 familje, uji i pijshëm ka munguar prej 22 vitesh. Kryebashkiaku Lulzim Basha është rikthyer në këtë zonë, një muaj pasi u premtoi instalimin e rrjetit të ujësjellësit, me një tjetër premtim të mbajtur për banorët.

“Që nga dita e sotme, 7000 banorë të kryeqytetit të cilët nuk kanë pasur ujë prej 22 vitesh në shtëpitë e tyre, sot kanë ujë të rrjedhshëm, si rezultat i një investimi të kryer nga UKT, të cilët dua t’i përgëzoj, dua të përgëzoj kontraktorin për punën e kryer në një kohë kaq të shkurtër. Konkretisht, në bllokun ku ndodhemi sot, tek Unaza e Re, 700 familje po marrin ujë për herë të parë, që kur janë bërë banorë të Tiranës” – u shpreh z. Basha.

Kreu i Bashkisë u ka premtuar banorëve se siç mbajti premtimin për ujësjellësin, do të bëjë dhe rikualifikimin urban të këtij blloku banimi, shtrimit të rrugëve, gjelbërim, ndriçim dhe kanalizime të ujërave të zeza e të bardha.

“I siguroj se ky është hapi i parë, një premtim i mbajtur që e kemi bërë bashkarisht para disa javësh por ne do të vazhdojmë në këtë zonë, pikë së pari duke stabilizuar rrugën me shtresat e para të stabilizimit dhe së dyti me një rikualifikim urban, sipas të gjithë standardeve që kanë parë edhe në lagjet e tjera të Tiranës, duke përfshirë trotuare, asfalt, ndriçim dhe gjelbërim, sepse qytetarët e kësaj zone janë qytetarë të Tiranës dhe meritojnë të trajtohen si të tillë, pavarësisht prej neglizhencës, harresës dhe përbuzjes që kanë përjetuar në të gjithë këto vite” – theksoi z. Basha.

KOMENTE