English

Kryeministri Berisha inauguron fabrikën e përpunimit të produkteve të liqenit të Ohrit, Rive’s

Gjatë vizitës në Pogradec, Kryeministri Berisha inauguroi fabrikën e përpunimit të produkteve të liqenit të Ohrit, Rive’s, një linjë moderne e përpunimit të rreth 15 produkte liqenore.

Pasi vizitoi fabrikën dhe foli me drejtuesit e saj, Kryeministri Berisha i përgëzoi ata për investimin bërë dhe mbi të gjitha se produktet e saj janë të gjitha prodhime plotësisht bio dhe falë cilësisë së lartë të përpunimit i ruajnë vlerat ushqimore për rreth 27 muaj.

Fabrika e vendosur në Hudënisht është një investim privat me vlerë 450 mije euro dhe në të janë të punësuar 40 punonjës. Drejtuesit e saj e informuan Kryeministrin se ata synojnë të shtrihen në tregjet e bashkimit Europian. Pasi kanë arritur marrëveshje me Kosovën, janë në diskutim me partnerë në Gjermani dhe Zvicër.

Pas vizitës në këtë fabrikë, në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha u shpreh:

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht presidentin e kësaj kompanie, e cila të frymëzon dhe konstaton se është bazuar para së gjithash, në mençurinë e guximin e tij, e bazuar në prodhimet më të mira të liqenit të Pogradecit, e bazuar në gatimet më të shijshme të kuzhinës shqiptare. Kjo është një sipërmarrje unike e këtij lloji. Gjithçka e studiuar, çdo gjë e planifikuar me centimetra dhe në funksion të një standardi e në ambicien e madhe që ka për tregun brenda e jashtë vendit. Ajo punëson 40 punëtorë dhe do të bëjë të njohur prodhimet e famshme të liqenit në Shqipëri dhe në mbarë botën. Unë shpreh kënaqësinë dhe e përgëzoj, sikundër e sigurova se së shpejti do të kemi disponibël linjën e kreditimit për të gjithë peshkatarët dhe anijet e flotën peshkimit.

Ne po ecim me një program të fuqishëm për biznesin. Unë pashë këtu autoklavat e presionit të lartë dhe makineri të tjera, të gjitha janë blerë duke paguar TVSH-në, por tani do të blihen pa paguar asnjë taksë e tarifë. Këto ne i kemi bërë realitet. Pala tjetër premton të bëjë realitet atë që ne kemi bërë realitet. Por një gjë nuk e lëshoi dot. Kur vjen puna tek nafta, thotë do të heqim akcizën, se tollonat atë kohë u shndërruan në tollona të partisë. Ne do t’u japim akcizën e naftës në dorë fermerëve, për aq sa harxhojnë.

Ne kemi filozofi krejt tjetër. Pala tjetër bërtet për taksat, por nuk thotë sa ulen. Ajo thotë se 5 përqind e shqiptarëve do të mbajnë të gjithë Shqipërinë, kur në vendet e lira është e kundërta, janë 90-95 përqind e taksapaguesve që mbajnë vendin dhe ekonominë. Ai do të krijojë shtetin e autobusit mavi. Por shteti i autobusit mavi është shteti i fiksimeve. Unë jam mjek, jam njeri që e kuptoj atë, më mirë se kushdo tjetër. Të vijë burri 50 vjeç me kompleksin e Edipit e të mos çlirohet, e hidhur apo e pahidhur kjo, por ndodh. Imagjinoni, ai që ai që urren babën, se çfarë ndjenjash ka për gjyshin. Por i falet plotësisht se e ka nga kompleksi i Edipit. Nuk u shërua dot, e kapi, e vuajti, e përjetoi, ia bëri si ia bëri atë jetë, por ai është një kompleks. Është për t’u mëshiruar, është i sëmurë. Nuk them gjë tjetër për të.

Si e komentoni takimin e zotit Basha dhe zonjës Nikolla, a mund ta quajmë këtë një thyerje akulli për një takim të mundshëm mes jush e zotit Rama?

Kryeministri Berisha: Zoti Basha ishte në mision të shërbimit të qytetarëve. Rastisi që po rregullohej rruga, pasi zoti Rama la si trashëgimi 250 kilometra rrugë e rrugica të baltosura në Tiranë. Natyrisht, zoti Basha bëri mirë që po ndërton rrugën ku është zyra e përkohshme e zonjës Lindita Nikolli dhe kjo është normale. Por shoku është në autobus mavi. Po ta shihni e dëgjoni, ai i ka të gjitha elaboratet nga autobusi mavi, ia redakton Koçoja, pasi ai është zëvendëshoferi, ndonëse de facto është shoferi i autobusit.

Meqenëse jemi në Pogradec, a ka diçka konkrete sa i takon liqenit e Pogradecit?

Kryeministri Berisha: Së pari do të përfundojë tërësisht kolektori nga Lini në Tushemisht. Ky është zotim solemn dhe nuk lëvizim nga kjo. Së dyti, po punojmë me UNESCO, për t’i dhënë një mbrojtje shumë të veçantë liqenit. Së treti, liqeni ka një potencial ekonomik të jashtëzakonshëm, me llojet e pakrahasueshme të peshqve. Po bëjmë gjithçka që të vendoset kodi dhe disiplina më e mirë për zhvillimin e shfrytëzimin e këtyre potencialeve. Natyrisht, një autoritet është i domosdoshëm. Liqeni është pasuri e jashtëzakonshme. Dy janë liqenet ndër më të thellë e Europës dhe Azisë: Ohri dhe Bajkali. Bajkali është në thellësi shumë të mëdha, ndërsa Ohri është në zemër të Europës. Kush nuk do të dojë ta vizitojë! Ndaj do bëjmë gjithçka për të. Ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë dhe përfundimi i tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan do të dyfishojë turizmin, sepse nga Tirana do të vihet në Pogradec, minimumi duke kursyer gjysmën e kohës. Pra, është në një zhvillim shumë të fuqishëm. Po ashtu rruga nga Lini në Tushemisht do të jetë një nga shëtitoret më të gjata në Shqipëri, me ndriçim e trotuare, në harmoni me liqenin. Pro shoku, nga autobusi me xhama të zinj, u tmerrua kur pa rrugën. Ka frikë nga rrugët. Deri më 23 qershor të thotë e të shajë ç’të dojë, ne do të vazhdojmë fushatën me vlera të qytetëruara, ne do interesohemi për rrugët, ujësjellësit, rrugët, integrimin europian.

KOMENTE