English

Pronave në bregdet, transparencë të plotë

Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama gjatë takimit elektoral në Delvinë.

Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!
Vërtet që ky shesh nuk ka qenë asnjëherë kaq i mbushur me njerëz. Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që sot janë mbledhur këtu, për të gjithë ju. Për të gjithë ju që sot keni ardhur të dëgjoni çfarë kemi për të thënë dhe për të gjithë ata ndër ju që ende mund të mos jenë plotësisht të bindur se çfarë duhet të bëjnë në 23 Qershor. Pikërisht, atyre unë dua t’ju flas sot duke qenë i bindur vetë se programi ynë, se skuadra jonë, se vullneti im për të dalë këtu përpara jush, ju ofrojnë atë çka ju mungon prej vitesh; mundësinë që qeverinë tuaj të mos e keni më në qafë, por ta keni në krah.
Çfarë do të bëjmë ne?! Po e nis nga një fjalë që është kryefjala e shqetësimeve që dëgjon që nga ura e Mifolit dhe deri këtu poshtë. Po e nis nga e drejta e pronës, nga e drejta për të mos u grabitur në pronën tënde, dhe nga e drejta për të mos i parë pronat e përbashkëta të grabiten, nga ata të cilët pushtetin e përdorin jo për të pasuruar shqiptarët, por për t’u pasuruar vetë duke varfëruar shqiptarët. Ne e çmojmë shumë fatin e madh që kemi lindur në një vend kaq të bukur dhe kaq të begatë, një vend të cilit Zoti apo natyra i fali gjithçka, i duhet, që ky popull të jetojë në paqe, të jetojë në harmoni dhe të jetojë në mirëqenie. Një nga bukuritë dhe pasuritë më të mëdha të këtij vendi është pikërisht bregdeti i Jonit. Një nga burimet më të mëdha të mirëqenies për këtë popull është kjo vijë bregdetare dhe e gjithë kjo zonë pranë kësaj vije bregdetare, që fatkeqësisht, sot është nën kërcënimin e shkatërrimit dhe nën grabitjen e vazhdueshme të atyre, që po i lënë pa të drejta mbi pronat, trashëgimtarët e gjithë këtyre zonave dhe po kthehen në latifondistë tokash me dhjetëra e me qindra hektarë, ndërkohë që nuk kanë asnjë lidhje tjetër me këtë zonë përveç lidhjes që e krijojnë nëpërmjet labirinte të korrupsionit kriminal me pronat e shqiptarëve.
Ne do të bëjmë transparencën më të plotë publike për gjithçka ka ndodhur me pronat e bregut. Për gjithçka ka ndodhur me pronat e shqiptarëve, me ato prona të të parëve të tyre dhe me to prona të përbashkëta tonat, nga ta cilat nuk mund të lejojmë që të përfitojnë një grusht grabitqarësh, por duhet të krijojmë kushtet që të përfitojë i gjithë populli shqiptar.
Ne nuk e pranojmë dot një realitet ku më pak se 5% e njerëzve në këtë vend zotërojnë sot më shumë se gjysmën e pasurive të kësaj toke. E prandaj, ne jemi vendosur, vendosshmërisht, në krah të 95% të shqiptarëve për të cilët ne do të ulim taksat.
Unë nuk e di se me kë parti janë ata që zotërojnë këto dyqane, këto dyqane janë biznesi i vogël i Delvinës. Por, unë di të them një gjë që secili prej tyre në 23 qershor ka një zgjedhje shumë të qartë. Nëse voton Saliun do të vazhdojë të paguajë taksën për biznesin e vogël, do të vazhdojë të paguajë taksën e sheshtë 10% mbi biznesin e vogël dhe TVSH-në 20 % e do të vazhdojë të jetojë për aq kohë sa laku i borxheve dhe i pamundësisë për ta mbajtur dyqanin hapur nuk do ta ketë mbytur përfundimisht biznesin. Por, nëse do të votojë Partinë Socialiste duke harruar çfarë tesere ka në xhep por duke shkuar në zgjedhje për dyqanin e tij atëherë me një kryq tek numri 29 do të heqë taksën për biznesin e vogël dhe do ta përgjysmojë tatimin e fitimit.
Tani ju që i keni gjithë këto dyqane rreth e rrotull çfarë do bëni? Do shkoni të votoni për të mbajtur në punë Saliun dhe për të ngelur pa punë vetë apo do shkoni që të pushoni nga puna Saliun që të vazhdoni të jetoni të vetëpunësuar me biznesin tuaj të vogël dhe t’i jepni mundësinë edhe të tjerëve që të vetëpunësohen. Kjo është zgjedhja!
Ashtu si kudo edhe në Delvinë, edhe në Sarandë si në gjithë qarkun e Vlorës ka mësuese dhe mësues, ka policë, infermiere, mjekë, ka rrogëtarë që merren zvarrë për të mbushur sheshet kur vjen gjyshi me antiplumb për të treguar përralla bashkë me 200 rojet e tij. Të gjithë atyre unë u them se në 23 Qershor kanë një mundësi të madhe që me një votë të kenë në dorë gurin që vret dy zogj, edhe të ulin taksën e tyre duke shpëtuar nga taksa e sheshtë dhe duke hyrë në sistemin e taksimit të ndershëm edhe të heqin qafe njëherë e mirë zgjedhën e pushtetit që i merr si robër dhe i nxjerr nëpër mitingje.
Kurrë më një mësues, kurrë më një nëpunës, kurrë më një infermiere, kurrë më një mjek nuk do të merren me lista për të mbushur sheshet e partive, por do t’i shërbejnë popullit shqiptar dhe të shkojnë me kë parti të duan e të marrin pjesë në çdo miting që duan.
Ne do të ulim taksat edhe për të gjithë ata që sot jetojnë me tokën në fshat, do të ulim taksat për të gjithë ata që rropaten me orë të tëra, 16 orë në ditë, për të nxjerrë diçka nga toka dhe në fund të ditës hanë bukë me kos sepse vetëm mbijetojnë dhe nuk krijojnë dot mirëqenie.
Do të ulim taksat duke filluar nga heqja e akcizës së naftës dhe nga heqja e taksës së qarkullimit për naftën bujqësore. Do të ulim taksat duke hequr atë taksën e fshehtë vrastare 20% që quhet TVSH mbi plehrat kimike, mbi të gjitha inputet bujqësore. Do të ulim taksat duke hequr atë taksën 20% që quhet TVSH, mbi të gjitha makineritë bujqësore dhe mbi të gjitha do t’ju vëmë në krah shtetin që do iu sjellë ujin në çdo parcelë. Me programin tonë 160 milionë dollarë për të ujitur çdo metër katrorë tokë buke në këtë vend ku nuk duhet të ketë më familje që nuk i japin dot qumësht në mëngjes fëmijëve. Ne do të ulim taksat për të gjitha ushqimet bazë, sepse për ne është e patolerueshme që në Shqipëri ka familje që nuk ushqejnë dot fëmijët. Është e patolerueshme që të ketë taksa 20% për vajin, për miellin, për vezën, për qumështin apo për bukën. Ne do t’i heqim këto taksa për këto 5 ushqime jetike dhe do t’i bëjmë këto ushqime më të mundshme për t’u blerë, pa shkuar baballarë e nëna që të rrinë në radhë për të shënuar emrin dhe për të marrë borxh me firmë veresie nëpër lista rriskat e bukës. S’ka turp më të madh!
Mbi të gjitha ne do të shpëtojmë nga tuneli pa rrugëdalje fëmijët e këtij vendi. Ata të cilët sot janë në shkollë, por nuk marrin mësimin e duhur. 8 vjet më parë kur Saliu iu tha “shikojini duart e mia sa të pastra janë dhe më jepni votat” ata që sapo kishin mbaruar abetaren i mori përdore dhe në 8 vjet i nxori nga 9 vjeçarja, 15 vjeçarë, siç thotë sot Banka Botërore, 57% analfabetë funksionalë. D.m.th falë këtij gjyshit që tregon përralla me antiplumb, një 15 vjeçarë në dy, nuk di të përdorë gjuhën shqipe për të shkruar apo për të lexuar.
Çfarë duhet më shumë o prindër që ta harroni partinë dhe të shkoni në votim për të shpëtuar fëmijët e këtij vendi. Çfarë ju duhet më shumë o nëna dhe baballarë për të kuptuar se është koha që me votën tuaj të vendosni të jeni në radhë të parë prindër, pastaj qytetarë të komunitetit tuaj që lëngon mes varfërisë dhe harresës, pastaj shqiptarë që meritojnë një Shqipëri të denjë dhe jo një Shqipëri me të cilën tallet gjithë bota, më pas në fund fare edhe anëtarë partie.
Çfarë lidhje ka tesera e partisë kur partia e ka braktisur atë teserë dhe është kthyer në një grusht familjarësh që mbajnë peng emrin e partisë, mbajnë peng ëndrrat dhe shpresat që e lindën atë parti që u quajt Partia Demokratike po që sot është katandisur në një parti familjare dhe mbajnë peng zhvillimin e këtij vendi.
Miqtë e mi!
Ne nuk vijmë para shqiptarëve për të treguar përralla. Kush do përralla i mjafton të shtypë një sustë të telekomandës, ta gjejë gjyshin atje në ekran dhe të dëgjojë përralla gjithë ditën. Nga ato përralla Shqipëria vetëm humb kohë. Nga ato përralla fitojnë vetëm ata të cilët flasin gjithë ditën për ju, po punojnë ditë natë vetëm për vete. Nga ato përralla humbet Shqipëria, humbet Delvina, humbet Saranda, humbet Vlora, por mbi të gjitha humbasin gjeneratat që vijnë. Ato përralla duhet të mbarojnë, shqiptarët meritojnë një qeveri që të thotë çfarë do bëjë dhe të bëjë atë që thotë. Ato përralla duhet të mbarojnë, sepse shqiptarët kanë 20 e kusur vjet që janë të varfër, janë të papunë dhe mbi të gjitha janë dhe të pashpresë. Ka plot njerëz që thonë po për çfarë të shkoj të votojë unë, s’ia vlen, është e njëjta gjë. Vota miqtë e mi ka dy fuqi.
E para, vota ka fuqinë e ndryshimit dhe çdo njeri ka detyrën që kur i jepet kjo mundësi e madhe që ta jep liria dhe demokracia, ta përdorë fuqinë e ndëshkimit për ata që kanë qeverisur në emër të tij, po kanë bërë vetëm punët e tyre. Vota ka dhe fuqinë e ndryshimit, duke i dhënë mundësinë palës tjetër që të vihet në provë, dhe unë ju siguroj këtu në këtë shesh se duke na vënë në provë në 23 qershor, duke na dhënë mandatin që të qeverisim këtë vend nuk do të zhgënjeheni dhe ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë. Rilindja që duam është e drejta për të marrë frymë lirisht pa ta treguar askush se çfarë duhet të besosh dhe pa të detyruar askush të shkosh aty ku nuk do të shkosh. Rilindja është e drejta për të pasur qeverinë në krah dhe jo në qafë.
Rilindja është e drejta për t’u krenuar falë punës tënde të ndershme, për të fituar para me punën tënde të ndershme, për t’i thënë vetes me krenari që unë jam shqiptar dhe Shqipëria është një vend që të gjithë e marrin seriozisht, jo një vend që është bërë gazi i botës jo për faj të popullit, por për faj të atyre që e kanë marrë popullin peng.
E pra, në 23 qershor çlirojeni veten tuaj, çlirojini fëmijët tuaj, çlirojini mësuesit e fëmijëve tuaj, çlironi Delvinën, çlironi Shqipërinë me votën tuaj, për të patur më shumë liri, më shumë të drejta, më shumë dinjitet dhe mbi të gjitha falë lirisë, të drejtave dhe dinjitetit për të pasur punë.
Ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në punë dhe ne do ta kthejmë Shqipërinë në punë!
Një gjyshe aty, po thoshte qëparë kur erdha “aman mos e zgjat me programin, një pikë të ketë programi na e hiq këtë Saliun nga televizori”. I tërboi ky me gjyshër e me kalamaj. Nuk ka gjyshja faj! Ndaj ju votuesit e parë votoni që të shpëtoni dhe gjyshet tuaja nga ai gjyshi me antiplumb.
Faleminderit! Rrofshin delvinjotët! Rrofshin sarandjotët! Rrofshin lebërit, çamët, minoritarët! Rroftë populli i gjithë qarkut të Vlorës! Rroftë Vlora, që më bën shumë krenar që të jem deputeti i juaj! Rroftë Shqipëria!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

KOMENTE