Mbrëmjen e djeshme në mjediset e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes (QKMBM), u hap edicioni i parë i Festivalit të Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, për rajonin e Mesdheut.
Ky festival, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami, zhvillohet për herë të parë në Tiranë, nga data 3 deri 6 qershor 2013. Në edicionin e parë të këtij festivali marrin pjesë formacionet muzikore të Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Orkestra Frymore e Aviacionit Ushtarak të Greqisë, Orkestra Frymore e Turqisë, si dhe përshëndet festivalin Orkestra Frymore e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj, zëvendësministrja e Kulturës, znj. Suzana Turku, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Viktor Bërdo, ushtarakë dhe punonjës civilë të Forcave të Armatosura, si dhe shumë të ftuar të tjerë nga institucionet kulturore të kryeqytetit.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes Musaraj, pasi ka uruar të gjithë formacionet muzikore për pjesëmarrjen në këtë festival, ka theksuar se, Festivali i Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, të rajonit të Mesdheut është një ngjarje kulturore e veçantë. Simbolika e tij bëhet akoma më e qartë kur publiku i gjerë të njihet me muzikën më të spikatur të traditave muzikore të vendeve tona, e gërshetuar kjo me krijimet muzikore të kompozitorëve shqiptarë, grekë, turq, italianë, amerikanë, etj, të sjella mjeshtërisht në skenë nga artistët e talentuar ushtarakë. Duke vijuar më tej, znj. Musaraj u shpreh: “Ky festival, përmes vendosjes së urave kulturore të komunikimit, me thelbin e tij ndikon akoma më shumë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Festivali i cili synon të kthehet në një traditë të përvitshme, ka për qëllim që të promovojë muzikën si art dhe larminë e dimensioneve kulturore të saj, trashëgiminë kulturore, shpirtërore tradicionale të vendeve tona dhe të forcojë lidhjet mes vendeve të rajonit të Mesdheut, anëtare të NATO”.
Natën e parë të festivalit e hapi Orkestra Frymore e Aviacionit Ushtarak të Greqisë. Kjo orkestër është krijuar në vitin 1946 dhe është në vartësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore Greke. Ajo përbëhet nga oficerë të vjetër dhe muzikantë të rinj të nivelit të lartë, të cilët pasi kanë studiuar në konservatorët e ndryshëm të Greqisë, janë pranuar në radhët e Forcës Ajrore. Koncerti i Orkestrës Frymore të Aviacionit Ushtarak të Greqisë nisi me Himnin e Aviacionit Ushtarak dhe ka vijuar me ekzekutimin e mjaft pjesëve të tjera muzikore të kompozitorëve të shquar grek. Nga programi i kësaj orkestre, ndër të tjera, mund të veçojmë “Valle Epirote” të Nikolas Skalkotas, “Djemtë e Pireut” dhe “Balada e urisë” të Manos Haxidhakis, “Nëse kujton ëndrrën time” dhe “Zorbas” të Mikis Theodorakis, “Le të vazhdojë vallja” të Dionisis Savopulos dhe deri tek Himni i Forcave të Armatosura të Greqisë, i cili mbylli koncertin e kësaj trupe muzikore. Pjesët e përzgjedhura dhe interpretimin me nivel të lartë të tyre nga instrumentistët e orkestrës u pritën me shumë interes dhe u përcollën me duartrokitje përgjatë gjithë shfaqjes nga spektatorë të shumtë që kishin mbushur sallën e madhe të QKMBM.
Koncerti i Orkestrës Frymore të Aviacionit Ushtarak të Greqisë u ndoq edhe nga ambasadori i Greqisë në Tiranë, z. Leonidha Rokanas, si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ambasade.
Ndërsa sot paradite, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi u takua me të gjithë trupat e Orkestrave Frymore që marrin pjesë në Festivalin e Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, të rajonit të Mesdheut. Gjeneralmajor Gjunkshi i ka falënderuar ata në emër të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe në emrin e tij personal për pjesëmarrjen në edicionin e parë të këtij festivali. ”Besoj se flas edhe në emrin tuaj, - u është drejtuar ai më pas artistëve pjesëmarrës, - kur them se tek trashëgimia e Orkestrave Frymore Ushtarake qëndron i përjetësuar shpirti i kombeve tona”. Gjeneralmajor Gjunkshi, duke shprehur mbështetjen për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive të kësaj natyre tha: ”Mendoj se përmes rritjes së mbështetjes sonë të përbashkët për aktivitete të tilla kulturore, do të investojmë akoma më shumë për një të ardhme në paqe, pasi kur tingëllon muzika dhe veglat e saj të hareshme, heshtin zhurmat e armëve”.
Festivali i Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, të rajonit të Mesdheut vijon sot pasdite me koncertin e Orkestrës Frymore të Turqisë që do të jepet në sallën e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, ndërsa nesër mbrëma do të jepet koncerti i Orkestrës Frymore Kombëtare të FA të Shqipërisë, në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve. Ky festival mbyllet më datë 6 maj me koncertin përshëndetës që do të japë Orkestra Frymore e Forcave të Sigurisë së Kosovës.